13.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Erdoğan: I ftoj të gjitha shtetet të mbajnë premtimin lidhur me refugjatët

Më të lexuarat

Erdoğan ka thënë se të gjitha zhvillimet dhe tragjeditë njerëzore në botë janë tregues i vërtetësisë së thirrjes së Turqisë për ristrukturimin e KS-OKB-së

NEW YORK (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në adresimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje shteteve të botës dhe organizatave ndërkombëtare të mbajnë premtimet e tyre lidhur me barrën e refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Këtu, para tërë botës, i bëj thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, që kanë lënë tërë barrën e 3,2 milionë refugjatëve që strehon Turqia mbi supet e saj, të mbajnë premtimin e tyre”, tha Erdoğan.

“Duhet të punojmë së bashku për paqen, sigurinë dhe stabilitetin”

Presidenti i Turqisë ka folur edhe në lidhje me çështjen e referendumit për shkëputjen e rajonit kurd të Irakut verior të planifikuar për më 25 shtator nga Qeveria rajonale kurde e Irakut, duke i bërë thirrje qeverisë rajonale kurde të heq dorë nga referendumi për pavarësi. Erdoğan ka theksuar se është e nevojshme të qëndrohet larg hapave siç janë kërkesat për pavarësim, të cilat siç tha ai, mund të prodhojnë kriza dhe konflikte të reja në rajon.

“Kemi nevojë për pajtime në themelin e integritetit territorial të Irakut dhe të zbatohen ideale për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët. Duhet qëndruar larg nga kërkesat si ajo për pavarësi, të cilat mund të prodhojnë kriza dhe konflikte të reja në rajon”, tha Erdoğan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“I bëj thirrje qeverisë rajonale kurde të Irakut të heqë dorë nga kjo iniciativë. Shpërfillja e qëndrimit të hapur dhe të vendosur të Turqisë në këtë drejtim, mund të hap rrugën për një proces i cili mund të privojë edhe qeverinë rajonale kurde nga mundësitë që i posedon. Në vend të ndezjes së konflikteve të reja, ne duhet të punojmë së bashku për të ndërtuar paqen, qetësinë, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha Erdoğan.

“Tragjeditë njerëzore konfirmojnë nevojën për reformimin e KS-OKB-së”

Recep Tayyip Erdoğan poashtu ka thënë se të gjitha zhvillimet dhe tragjeditë njerëzore në botë janë tregues i vërtetësisë së thirrjes së Turqisë për ristrukturimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

“Të gjitha zhvillimet dhe tragjeditë njerëzore konfirmojnë vërtetësinë e thirrjes së Turqisë për ristrukturimin e KS-OKB-së, që ne si Turqi e kemi simbolizuar si ‘Bota është më e madhe se pesë’. Në të njëjtën kohë, kjo tregon se sa vonë kemi mbetur në reformimin e KS-OKB-së”, tha Erdoğan.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk ka dhënë një provë të mirë për Arakanin”

Erdoğan, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka apeluar deri tek komuniteti ndërkombëtar që të parandalohet edhe tragjedia njerëzore e muslimanëve të Arakanit.

“Komuniteti ndërkombëtar ashtu sikurse edhe në Siri nuk ka mundur të japë një provë të mirë për dramën njerëzore me të cilën janë përballur muslimanët e Arakanit. Nëse kjo tragjedi e përjetuar në Mianmar nuk parandalohet, historia njerëzore do të ndodhet përballë turpit dhe të një njolle të re të zezë”, ka deklaruar Erdoğan.

“Një pjesë e madhe e forcave nuk kanë qëllim luftën kundër DEASH-it”

Presidenti turk poashtu ka folur edhe për luftën kundër organizatës terroriste DEASH. Ai ka theksuar se një pjesë e madhe e grupeve dhe forcave të cilët shprehen se po luftojnë kundër DEASH-it në rajon, nuk kanë absolutisht asnjë qëllim të tillë.

“Këto grupe dhe forca përdorin DEASH-in si një mjet për të vendosur në zbatim axhendat e tyre. Janë krime njerëzore përpjekjet për të ndryshuar strukturën demografike, për të konfiskuar mallrat e njerëzve, për të vrarë ose për të larguar ata që i kundërshtojnë ato, përpjekje të cilat i kryen PYD, YPG në rajonet që merr nën kontroll në Siri. Lufta kundër DEASH-it nëse nuk kryhet në një bazë legjitime është e pashmangshme që bota të hyjë nën kërcënimin e DEASH-ve të tjerë”.

“Ne të cilët jemi mbledhur nën këtë çati me cilësinë e përfaqësuesve të të gjithë botës, nëse nuk do të mund të vendosim një vullnet për të penguar krimet e organizatave terroriste, krizat njerëzore dhe viktimizimin, atëherë çdokush do të kërkojë rrugët për të zgjidhur problemet e tij. Në rast të përhapjes së kësaj qasjeje bota jonë do të përfshihet brenda një kaosi dhe stuhie të re mizore”, ka theksuar Erdoğan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit