22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

“Mianmari ka vendosur mina në kufirin me Bangladeshin”

Më të lexuarat

Marzuki Darusman, tha se qeveria e Mianmarit ka vendosur mina në kufirin me Bangladeshin në mënyrë që muslimanët e Arakanit të ikur në këtë vend nga dhuna e ushtrisë dhe budistëve radikalë të mos kthehen prapa

GJENEVË (AA) – Kryetari i Misionit të Pavarur Hetimor Ndërkombëtar për Mianmarin, Marzuki Darusman, tha se qeveria e Mianmarit ka vendosur mina në kufirin me Bangladeshin në mënyrë që muslimanët e Arakanit të ikur në këtë vend nga dhuna e ushtrisë dhe budistëve radikalë të mos kthehen prapa, raporton Anadolu Agency (AA).

Darusman, i cili në seancën e 36 të Këshillit të të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara (OKB) iu drejtua shteteve anëtare, tha se muslimanët e Arakanit “janë përballur me mizori të madhe” dhe janë rrezikuar nga “një propagandë dehumanizuese”.

Ai ka nënvizuar se autoritetet e Mianmarit janë drejtuar kah “masakrat masive, përdorimi i forcës së tepruar, dhuna dhe asgjësimi i të gjitha fshatrave” përmes operacioneve të organizuara në Arakan pas 25 gushtit.

Darusman, kryetar i misionit i cili vepron nën çatinë e OKB-së, shtoi po ashtu se sipas të dhënave që kanë siguruar, qeveria e Mianmarit ka vendosur mina në zonën kufitare mes dy shteteve në mënyrë që muslimanët e strehuar në Bangladesh të mos kthehen prapa dhe se si pasojë e kësaj, disa muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën ose kanë mbetur të gjymtuar.

Gjithashtu, Darusman njoftoi se janë në kontakt me qeverinë e Mianmarit, të cilës, siç tha, i kanë kërkuar qasje të plotë dhe pa kushte në rajon për zyrtarët e OKB-së.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 200 fshatra ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë publikuar shumë pamje satelitore të shumë fshatrave të muslimanëve të djegur në mënyrë sistematike.

Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, lumit Naf ose rrugëve detare.

Që nga 25 gushti, mbi 400 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh.

Muslimanët e Arakanit llogariten si komunitet “pas shtet”, pasi humbën të drejtën e shtetësisë përmes një ligji të miratuar në vitin 1982 në Mianmar, ndërsa qeveritë e vendit i kanë konsideruar si migrantë të ardhur nga Bangladeshi. Në dokumente zyrtare ata emërohen si “Bengali”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit