26.6 C
Pristina
Monday, July 1, 2024

Erdoğan: Erol Olçok asnjëherë nuk e aprovoi padrejtësinë

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Erdoğan, ka shkruar një shkrim në librin e përgatitur për bashkëpunëtorin e tij Erol Olçok, i cili së bashku me të birin e tij Abdullah Tayyip Olcçok ranë dëshmorë gjatë tentativës për grusht shteti

STAMBOLL (AA) – MÜCAHİT TÜRETKEN

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë një shkrim në librin e përgatitur për bashkëpunëtorin e tij Erol Olçok, njëherit dhëndër i një shqiptari nga Shkupi, i cili së bashku me të birin e tij Abdullah Tayyip Olçok ranë dëshmorë gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi nga organizata terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).

Në shkrimin e tij, presidenti Erdoğan ka theksuar se reagimi, kryesimi dhe trimëria e Erol Olçok gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik ishin tregues i personalitetit të tij.

Sipas Erdoğan, Erol Olçok gjatë jetës së tij asnjëherë nuk e ka aprovuar padrejtësinë dhe nuk i është dorëzuar atyre që kanë shkaktuar padrejtësi.

“Ai jo vetëm që ishte aty ku jepej përpjekje për drejtësi, por radhitej i parë dhe merrte mbi vete përgjegjësinë. Edhe bashkëpunimi im me të nisi në vitin 1993, në prag të një përpjekjeje të këtillë. Që nga ajo kohë, ne nuk u ndamë asnjëherë, ecëm së bashku, shijuam shumë fitore së bashku, vuajtëm dhimbje së bashku, përballuam shumë kriza së bashku, zgjidhëm problemet së bashku. Kur mësova detajet e ngjarjeve që nga momenti i informimit për tentativën për grusht shteti më 15 korrik e deri në rënien e tij dëshmor, nga njëra anë nuk mundja t’i ndalë lotët, e nga ana tjetër thoja ‘Po, pra, ky është Eroli ynë'”, ka thënë Erdoğan, duke shtuar se dëshmi më e mirë për sakrificën e tij për të drejtën në të cilën ka besuar ishte dalja e tij në rrugë më 15 korrik së bashku me të birin Abdullah Tayyip Olçok, siç thotë Erdoğan, dritën e syve të tij.

Sipas Erdoğan, edhe i biri Abdullah Tayyip ka dëshmuar trimërinë sikurse të të atit.

“Ata që e njihnin Erolin e dinë shumë mirë se karakteri i tij nuk e lejonte një vdekje të rehatshme në shtrat”, ka shtuar presidenti Erdoğan.

“Gjatë rrugëtimit tonë të gjatë së bashku, unë isha dëshmitar i shembujve të panumërta të produktivitetit të tij të lartë në sferën e publicitetit politik. Atë natë, krahas që humba një mik të drejtë dhe të vullnetshëm, ne humbëm edhe një profesionalist i cili kishte fituar jo vetëm respektin tim dhe të pjesëtarëve të partisë sonë, por edhe atë të të gjithë Turqisë dhe botës”, ka thënë Erdoğan.

Presidenti turk po ashtu ka shprehur bindjen se Eroli do t’i bënte rrëfimet, komponimet dhe videoklipet më të mira të asaj nate sikur të mos binte dëshmor.

44 shkrime në librin për Erol Olçok

Cevat Olçok, kryetari i Agjencisë së Reklamave Arter, tregoi se për librin e botuar për dëshmorin e 15 Korrikut Erol Olçok janë shkruar shkrime nga 44 persona, përfshirë edhe presidentin Erdoğan dhe lideri i Lëvizjes Nahda të Tunizisë, Rashid al Ganushi.

Cevat Olçok paralajmëroi vazhdimin e librit, për arsye se, siç thotë, nuk kanë arritur t’i përfshijnë të gjitha shkrimet e miqve të shumtë të Erolit brenda një libri. Ai po ashtu njoftoi se kanë përgatitur një film dokumentar në lidhje me të dhe se në të ardhmen do të botojnë edhe një libër me biografinë e tij.

Cevat Olçok po ashtu theksoi se si familje e Erolit dëshirojnë të themelojnë një fondacion në emër të tij. “Këtë fondacion duam ta themelojmë si Fondacioni për Kulturë, Art dhe Komunikim. Bursat që vëllau im Eroli i dha teksa ishte gjallë, duam t’i vazhdojmë përmes këtij fondacioni”, tha ai.

Ndryshe, si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi nga ushtarë puçistë të organizatës terroriste FETO të infiltruar në ushtrinë turke, 250 qytetarë ranë dëshmorë, kurse rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit