1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Ëmbëlsia e Besimit

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton, se profeti a.s ka thënë: “Kush i ka tre cilësi, ka gjetur ëmbëlsinë e besimit. Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë tek ai më të dashur se çdo gjë tjetër. Ta dojë një person vetëm për hir të Allahut. Të urrejë të kthehet në mosbesim (kufr), pasi Allahu e shpëtoi, ashtu siç urren të hidhet në zjarr”.[1]
 
Kuptimi i disa shprehjeve:
Ëmbëlsia e besimit: Ndjenja e kënaqësisë në adhurim, të afrohesh tek Allahu me përmallim dhe përballimi i vështirësive për të fituar kënaqësinë e Tij.
Ta dojë një person për hir të Allahut: Ta dojë me sinqeritet të plotë.
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Ka ndryshim të madh ndërmjet një personi, që i kryen obligimet me plogështi, neglizhencë dhe përtaci, pasi ai ka dëshirë vetëm që të shpëtojë nga mëkati, llogaria dhe ndëshkimi dhe atij personi, që shpejton në kryerjen e tyre me dëshirë, dashuri dhe përmallim, i cili ka dëshirë të zjarrtë për t`i kryer ato punë, si ai që ka uri për ushqim dhe ai që ka etje për ujë të ftohtë.
Përkundrazi, ky krahasim nuk përputhet plotësisht me gjendjen e besimtarit të përmalluar për ibadet, sepse i urituri ngopet dhe është i velur me ushqimin. Ndërsa besimtari, i cili e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit, nuk ngopet. Për këtë arsye ai ka një mall të vazhdueshëm, që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, të arrijë shkallët e përsosmërisë, të lusë Allahun e Lartësuar gjatë namazeve, lutjeve dhe përkujtimeve, si dhe të kryejë një adhurim të sinqertë për hir të Allahut.
Nëse mëkatarët e shijojnë lezetin dhe kënaqësinë e mëkateve, kur i kryejnë ato, gjë që në të vërtetë është fatkeqësi dhe mjerim, atëherë ata të cilët i kanë shpirtrat të qetë, nuk i pengon askush që ta duan Allahun dhe profetin a.s, si dhe ta adhurojnë Allahun me sinqeritet, sepse kur besimi zë vend në zemër, atëherë besimtari e ndjen vlerën dhe e shijon ëmbëlsinë e tij. Besimi tashmë nuk është i portretizuar në disa fjalë, të cilat i thotë gjuha, por shndërrohet në mirësjellje të frytshme, thirrje të përulur ndaj Allahut dhe dashuri të sinqertë.
Profeti a.s. për këtë gjë, është shprehur duke thënë: “Kënaqësia ime është në namaz”[2]. Namazi është lidhja ndërmjet njeriut dhe Allahut, njeriu kënaqet me të, zemra i zgjerohet e i mbushet me gëzim, qetësi e paqe dhe nëse ai shkëputet nga kjo lidhje, do të ndjejë dhimbje dhe vështirësi të papërballueshme.
Është transmetuar prej dijetarëve të mëparshëm (Allahu i pastë mëshiruar), se ata e ndjenin kënaqësinë e shijimit të ëmbëlsisë së besimit, kur i luteshin Zotit të Madhëruar. Ata afroheshin tek Ai me adhurim, nënshtrim dhe shpejtim në vepra të mira.
Njëri prej tyre ka thënë: “Banorët e dynjasë janë të mjerë. Kanë dalë prej saj dhe nuk e kanë shijuar gjënë më të mire”. “Cila është gjëja më e mirë?” – pyetën disa. “Dashuria për Allahun, afrimi tek Ai, përmallimi për takimin me Të dhe kthimi i shpinës ndaj gjithë gjërave të tjera” -tha ai.[3]
I lumtur është ai, i cili e shijon ëmbëlsinë e besimit, e edukon veten e tij me punë të mira e bindje dhe largohet nga gjynahet e mëkatet. Ndërsa fatkeq është ai, i cili dëshiron të bëjë mëkate dhe është neglizhent në kryerjen e adhurimeve.
Në këtë kontekst shtrohet një pyetje:
Si mund të ngrihet muslimani në gradat më të larta, që të shijojë ëmbësinë e besimit?
Këtë përgjigje e jep profeti a.s, edukuesi ynë, duke na treguar se ëmbëlsinë e besimit, muslimani nuk ka për ta shijuar, derisa të plotësohen tek ai tre cilësi:
Cilësia e Parë: Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë tek ai më të dashur se çdo gjë tjetër.
Kjo do të thotë: Që të përpiqet ta dojë Allahun dhe profetin a.s. Të nxjerrë nga zemra lidhjen e ngushtë, që ka me dynjanë, derisa Allahu dhe profeti a.s të jenë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër. Shprehja “çdo gjë tjetër” përmbledh, atë që logjikon dhe atë që nuk logjikon prej njerëzve, parave dhe kënaqësive të tjera të kësaj bote.
Cilësia e Dytë: Ta dojë një person vetëm për hir të Allahut.
Kjo cilësi vjen si rrjedhojë e cilësisë së parë, sepse ai që e ka mbushur zemrën me dashurinë për Allahun dhe profetin a.s, i do njerëzit e mirë dhe ka mjaft dëshirë, që të marrë pjesë në grumbullimet e tyre, pasi zemra anon për nga e bukura dhe karakteret përputhen. Kush është i interesuar, që të shoqërohet me njerëzit e mirë, do të ndikohet prej tyre e do të përfitojë nga thëniet dhe veprat e tyre.
Cilësia e Tretë: Të urrejë të kthehet në mosbesim (kufr), pasi Allahu e shpëtoi, ashtu siç urren që të hidhet në zjarr.
Kjo do të thotë: Që urrejtja e tij për mosbesimin dhe pasuesit e tij të jetë më e madhe se urrejtja dhe frika se do të hidhet në zjarr. Kjo kërkon shmangien nga grumbullimet e tyre, përveçse në rastet kur janë të domosdoshme. Kjo kërkon, që ata të shihen me syrin e mëshirës për shkak se janë në humbje, pa u anuar apo u ndikuar nga idetë, bindjet e tyre të humbura e të devijuara dhe nga përhapja e dilemave.
Ashtu si i mençuri, i cili nuk dëshiron të bjerë në zjarr, të digjet e të ndiejë dhimbje nga flakët e tij, po kështu edhe besimtari nuk është i kënaqur, që besimin e tij ta prekë ndonjë e keqe, apo të devijojë nga rruga e fesë, qoftë edhe sa një fije floku, sepse ky do të ishte shkatërrimi i vërtetë.
Sahabët e nderuar, që e kanë shijuar ëmbëlsinë e besimit, u kapën fort pas fesë dhe e morën atë me sinqeritet dhe vendosmëri. Ata u përballën me lloje të ndryshme torturash dhe ndëshkimesh nga idhujtarët, por kjo u shtoi atyre vetëm qëndrueshmëri.
Këtë gjë e ka miratuar edhe Ebu Sufjani, përpara se të ishte besimtar, kur Herakliu mbreti i bizantëve e pyeti: “A kthehet ndonjëri prej tyre nga feja e tij duke e urryer atë, pasi ka hyrë në të? Jo – tha ai. Ky është besimi kur përzihet me kënaqësinë e zemrave-tha Herakliu”.[4]
Profeti a.s e ka lajmëruar umetin e tij për sprovat e shumta, që do të vijnë si errësira e natës, derisa njerëzit do ta braktisin fenë e do të bëhen lakmitarë të gjërave kalimtare të kësaj bote.
I dërguari i Allahut ka thënë: “Nxitoni të veproni punë të mira përpara se t’ju vijnë sprova, që janë si nata e errët, kur njeriu gdhin besimtar dhe ngryset jobesimtar, ngryset besimtar dhe gdhin jobesimtar, shet fenë për gjërat kalimtare të vogla të kësaj bote.”[5]
Muslimani është krenar me fenë e tij, sepse pa të ai do të ishte me kafshët. Ai e zbaton atë, sepse ajo është gjëja më e shtrenjtë dhe është mirësia më e madhe, që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar.
Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “ Dijeni se në mesin tuaj keni të dërguarin e Allahut. Sikur ai t’ju dëgjonte në shumë çështje, do të pësonit vuajtje, por Allahu ua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja. Ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, ua bëri që ta urreni. Të tillët janë ata, që gjetën rrugën e drejtë. Kjo është dhuratë dhe begati prej Allahut. Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë.”[6]
Besimtari musliman e falenderon Allahun, që e ka begatuar me besim. Ai i gëzohet kësaj begatie dhe nuk neglizhon aspak edhe nëse do t’i dhurohej dynjaja e ç’ka në të” Kështu ai zbaton thënien kur’anore: “Thuaj: Vetëm mirësisë dhe mëshirës së Allahut le t’i gëzohen, sepse kjo është shumë më e mirë se ajo që grumbullojnë”.[7]
Ai është gjithmonë i gëzuar, i kënaqur dhe i lumtur me këtë fe, me të cilën e ka nderuar Allahu, në mënyrë që të marrë për shembull më të mirin e profetëve. Kjo lumturi shtohet, kur shtohet më shumë shijimi i ëmbëlsisë së besimit.
Imam Muslimi shënon në Musnedin e tij nga Ibn Abasi (r.a), se ai ka dëgjuar profetin (a.s) të thotë: “E ka shijuar besimin ai, që është i kënaqur me Allahun si Zotin e tij, me Islamin si fe dhe Muhamedin si të dërguar”.
Profeti a.s na ka lajmëruar, se besimi ka shije dhe zemra e shijon atë, ashtu siç e shijon goja ushqimin dhe pijen. Kush e arrin diçka të tillë, zemra i qetësohet dhe ai ka fituar kënaqësinë e Allahut.
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Besimi shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me gjynahe. Ai ka një ëmbëlsi të cilën besimtari e shijon dhe e provon. Kraharori i tij zgjerohet, kur ai kryen sa më shumë vepra të mira, derisa bëhet një cilësi e përhershme, pa të cilën nuk mund të bëjë.
2- Dashuria për Allahun dhe profetin a.s është themeli i besimit të çdo muslimani. Muslimani e ka për detyrë, që ta dojë Allahun dhe profetin a.s më shumë se fëmijën, familjen, veten e tij dhe dynjanë e ç’ka në të. I dërguari i Allahut ka thënë: “Askush nuk ka besuar derisa unë të jem më i dashur tek ai se fëmija, babai dhe të gjithë njerëzit e tjerë”[8]
3- Dashuria e vërtetë arrihet me ndjekjen e plotë, zbatimin e Kur’anit dhe Sunetit e jo me pretendime. Kriteri bazë për këtë është zemra e shëndoshë. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, më ndiqni mua, që t’ju dojë Allahu e t’ua falë gjynahet. Allahu është Falës dhe Mëshirues”.[9]
4- Obligimi i shoqërimit me njerëzit e mirë dhe dijetarët, duke i dashur ata për hir të Allahut.
5- Obligimi i urrejtjes së mosbesimit. Kujdesi nga dyshimet dhe epshet që të shkatërrojnë.
6- Gjëja më e shtrenjtë për besimtarin është besimi, kështu që ai nuk lëshon asnjë fije peri e po ashtu nuk rri pa të.
[1] Këtë hadith e ka transmetuar imam Buhariu, në librin e besimit, kapitulli “Ëmbëlsia e besimit”, nr:16. Po ashtu këtë hadith e ka transmetuar edhe imam Muslimi, në kapitullin e “sqarimit të cilësive të besimit”, nr:43 [2] Këtë hadith e ka transmetuat imam Nesa’i 7/62. Ky hadith është i saktë. [3] Marrë nga libri “Medarixhus Salikin” i imam Inbi Kajmit. [4] Ky fragment është shkëputur nga një hadith i gjatë që e ka transmetuar imam Buhariu, numër: 2782 [5] Këtë hadith e ka transmetuar imam Muslimi në librin e besimit, në kapitullin e motivimit të përshpejtimit në kryerjen e veprave të mira përpara shfaqjes së sprovave, numër: 118 [6] Sure El Huxhurat, Ajeti nr:7-8 [7] Sure Junus, ajeti: 58 [8] Këtë hadith e ka transmetuar imam Buhariu në librin e besimit, numër: 15, gjithashtu e ka transmetuar edhe imam Muslimi në librin e besimit, numër: 44 [9] Sure Ali Imran, Ajeti: 31

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit