9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Eksperti britanik, Smith: Vuçiq ta pranojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kompromis, por pranim i realitetit

Më të lexuarat

Eksperti britanik për marrëdhëniet ndërkombëtare, siguri, Daniel Smith, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin, siç thotë ai, vetë Vuçiq është i vetëdijshëm.

Smith thotë se aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit janë intensifikuar, gjë që ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve rusë Wagner dhe formacioni i “Ujqërve të natës” në barrikadat që strukturat e Serbisë kishin ngritur me urdhër të Vuçiqit në veri të Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Smith thotë se këto grupe i shohim në çdo protestë pro-ruse në Beograd, Banja Llukë, Podgoricë apo në veri të Kosovës.

Sipas ekspertit britanik, i cili, pas pushtimit rus të Ukrainës, filloi të zbulojë më aktivisht propagandën ruse dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, Rusia përfundimisht e humbi luftën në Ukrainë.

“Putini po lufton vetëm për të ruajtur pushtetin e tij dhe shmangien e ndjekjes penale për krimet e luftës”, tha ai

Më tej eksperti britanik thotë se “nuk është sekret që Vuçiq e shfrytëzon temën e Kosovës për të shpëtuar nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë, jeta e të cilëve po bëhet çdo ditë e më e vështirë për shkak të politikës autoritare të Vuçiqit dhe krizës ekonomike”.

“Vuçiqi dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i Millosheviqit, ata kontaminuan opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizmit, urrejtjes ndaj të tjerëve dhe kundër vlerave perëndimore”.

Smith thotë se “në këtë kontekst, për një të huaj që nuk e njeh mirë politikën serbe, arritja e një marrëveshjeje me Kosovën dhe një kompromis nga Serbia mund të duket e vështirë”.

“Në fakt të vështirë e ka vetëm Vuçiqi, sepse kjo e mban në pushtet dhe larg përballjes me problemet e qytetarëve. Nëpërmjet strategjisë ‘përshkallëzim deri në de-eskalim’, Vuçiq po përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, në mënyrë që të përfitojë nga Perëndimi dhe Lindja”, thotë Smith, transmeton Telegrafi.

Më tej Smith thotë se “derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiq do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”

“Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por pranim i realitetit, për të cilin vetë Vuçiq është i vetëdijshëm. Kompromis për Serbinë dhe integrimin e saj në BE mund të konsiderohet njohja e pavarësisë së Vojvodinës; autonomi për Sanxhakun apo Luginën e Preshevës, por jo pranimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të cilin e ka kërkuar vetë Serbia”, tha ai.

Smith thotë se “Perëndimi është i interesuar që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt mes dy vendeve dhe është e qartë se kjo kërkon një kompromis nga të dyja palët”.

“Ajo që Perëndimi duhet të ketë parasysh është se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj, karakterin unik dhe multietnik të shtetit të Kosovës. Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin”.

Eksperti britanik thotë se “Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë”.

“Këto të drejta të garantuara merren si të mirëqena. Ajo që është evidente është se Vuçiqit dhe Serbisë nuk iu interesojnë të drejtat e serbëve në Kosovë, sepse realizimi i këtyre të drejtave do t’i çlironte serbët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga regjimi i Vuçiqit”.

Smith thotë se “Vuçiq është i interesuar të përdorë serbët e Kosovës si skllevër të tij personal, për të forcuar nacionalizmin, për vota dhe për të qëndruar në pushtet dhe si pengje të presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit