12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Departamenti i Shtetit: Qëndrimi amerikan për Asociacionin është i qartë, nuk komentojmë korrespondencën e pretenduar diplomatike

Më të lexuarat

Departamenti i Shtetit nuk mund të komentojë korrespondencën e pretenduar diplomatike, por qëndrimi amerikan në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë është i qartë, thuhet në përgjigjen për Zërin e Amerikës, në lidhje me shkrimin e mediave të caktuara serbe për gjoja bllokadën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës – derisa autoritetet e këtij vendi nuk kanë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin.

Ndryshe, Euronews Serbia ka raportuar, kurse disa media kanë transmetuar se ministritë e punëve të jashtme të disa vendeve evropiane, të cilat janë anëtare të Këshillit të Evropës, kanë marrë një notë nga ambasadat amerikane në të cilën thuhet se Uashingtoni konsideron se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të vendoset në rend dite të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Gjithashtu thuhet se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos vihet në rend dite derisa, siç u tha, Kosova të miratojë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – e cila, ajo thuhet tutje, do të hapte rrugën për propozimin e marrëveshjes bazë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Departamenti i Shtetit, në përgjigjen e tij për Zërin e Amerikës, thekson se qëndrimi amerikan është i qartë.

“Siç theksuan në tekstin e djeshëm të përbashkët këshilltari Derek Chollet dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit Gabriel Escobar – tani është momenti për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës,transmeton Telegrafi.

Ndryshe, dy zyrtarët amerikanë në një tekst të përbashkët të publikuar të hënën kanë theksuar se përmbushja e obligimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk cenon Kushtetutën e Kosovës dhe as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë apo institucionet demokratike.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Escobar shkruajnë se ata janë shprehimisht kundër krijimit të çdo entiteti që do t’i ngjante Republika Srpska.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne kërkojmë nga Kosova të ofrojë vizionin e saj për Asociacionin dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ai të funksionojë në interesin më të mirë të të gjithë banorëve të Kosovës”, thuhet në tekstin e Chollet dhe Escobar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, përfaqësuesi i administratës amerikane, Escobar, ka folur për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, i cili tha se do të formohet, siç tha ai, me ose pa kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. – duke specifikuar se shteti dhe qeveria e Kosovës tashmë janë pajtuar për të.

Gjithashtu, në një intervistë të fundit për Zërin e Amerikës, Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried tha se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira dhe se SHBA-ja dhe BE-ja duan t’i ndihmojnë dhe mbështesin në këtë.

“SHBA dhe Bashkimi Evropian nuk po përpiqen të imponojnë një zgjidhje për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por t’i ndihmojnë ata të marrin vendime të vështira. Ata po përpiqen të jenë forca që do të sjellë ndryshime për mirë në Kosovë dhe Serbi”, tha Donfried në intervistën për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.

Gjatë javëve të fundit, nisma diplomatike u intensifikua si pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për intensifikimin e dialogut mes dy palëve dhe nxitjen e procesit integrues.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – një proces me performancë shumë të ndryshueshme, u ngadalësua veçanërisht gjatë vitit 2022 – një periudhë që u shënua nga sulmi dhe agresioni ushtarak i Rusisë ndaj fqinjit të saj të afërt, Ukrainës.

Bisedimet mes dy palëve, të cilat duhet të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, janë karakterizuar me disa kriza në vitin 2022.

Ato u zgjidhën me angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht ndërmjetësuesve në dialog – Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit