-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ejani të emigrojmë së bashku

Më të lexuarat

EmigrimiFalënderimi dhe lavdia i qoftë Allahut, kurse përshëndetjet qofshin për Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Hixhreti ose emigrimi rrjedh nga folja hexhere, largim, bojkotim, e cila është e kundërta e bashkimit. Thuhet për shembull filan popull ka bërë hixhret nga ky vend në vendin tjetër, d.m.th. ka lënë vendin e parë dhe ka shkuar në të dytin, ashtu siç ka vepruar Muhamedi sal-Allahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij kur bënë hixhret nga Meka në Medinë.

Hixhret (emigrim) është kur njeriu ndahet nga tjetri me trup, me gjuhë ose me zemër. Allahu i Lartësuar në rastin kur gruaja nuk e dëgjon burrin thotë: “Largohuni nga shtrati…” En-Nisa: 34. Në këtë rast mosafrimi ndaj saj është për qëllim largimi me trup. Po ashtu fjala e Allahut kur tregon për ankesën e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tek Zoti i tij. “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer.” El Furkan: 30 Ky bojkotim i Kur’anit është për qëllim me zemër dhe gjuhë.

Kurse fjala e Allahut az-ze ve xhel-le: “…dhe largohu nga ata në mënyrë të hijshme” përfshin tri mënyrat e hixhretit, me gjuhë, trup dhe zemër, ndërsa fjala e Allahut të Lartësuar “dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)…” përfshin të gjitha mënyrat e mundshme të hixhretit.

Hixhreti është pesë llojesh, ashtu siç e ka përmendur Ibën Dekik el ‘Ijd në librin Ihkamul Ahkam sherh Umdetul Ahkam, ku thotë: “Hixhreti i parë është hixhreti në Habeshe (Etiopinë e sotme), atëherë kur sahabët keqtrajtoheshin nga politeistët në Mekë.

Hixhreti i dytë është nga Meka në Medinë.

Hixhreti i tretë është hixhreti i fiseve të ndryshme arabe deri tek i Dërguari sal-Allahu alejhi ve sel-lem, që të mësonin ligjet e fesë dhe pastaj ktheheshin në vendin e tyre për t’ua mësuar njerëzve.

Hixhreti i katërt është hixhreti i banorëve të Mekës që u bënë muslimanë, të cilët vinin te Muhamedi sal-Allahu alejhi ve sel-lem pastaj ktheheshin prapë në vendin e tyre.

Hixhreti i pestë është hixhreti nga gjërat që ka ndaluar Allahu i Lartësuar.

Ky lloj i fundit hixhreti është edhe objektivi i këtij artikulli dhe është një thirrje për veten tonë, për vëllezërit tanë dhe për njerëzit përreth nesh, që t’i bojkotojmë epshet, edukatën e keqe, mëkatet, t’i lëmë dhe t’i refuzojmë ato. Ky është hixhreti obligativ për ne, në çdo kohë dhe në çdo vend, madje deri në Ditën e Kiametit, ngase është hixhreti nga çdo gjë që ka ndaluar Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në librin Tarikul Hixhretejn thotë: “Hixhreti është dy llojesh. I pari është hixhreti me trup prej njërit vend në tjetrin dhe rregullat e tij janë të njohura.

I dyti është hixhreti me zemër tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ky hixhret përmban parafjalët prej dhe tek, kështu që njeriu bën hixhret me zemrën e tij prej dashurisë ndaj dikujt tjetër tek dashuria e Allahut, prej të qenët rob i dikujt tjetër tek të qenët rob i Allahut, prej frikës, shpresës, mbështetjes te dikush tjetër, tek frika, shpresa, mbështetja tek Allahu, prej lutjes, kërkimit, përuljes ndaj dikujt tjetër tek lutja, kërkimi, përulja ndaj Allahut.”

Pastaj Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, tregon gjendjen e robit besimtar, i cili është muhaxhir tek Allahu dhe thotë: “Ai në çdo kohë ka dy hixhrete, hixhretin tek Allahu me zemër, dashuri, robërim, mbështetje, kthim, dorëzim, frikë, shpresë, kthimi nga Ai dhe nevoja për Të në çdo frymëmarrje të tij. Dhe hixhreti tek i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në lëvizjet e tij të jashtme dhe të brendshme, që ato të jenë në përputhje me Sunnetin e tij…”

Pra, hixhreti i mbetur deri në Ditën e Kiametit në çdo kohë dhe në çdo vend është hixhreti ndaj mëkateve, gjërave të ndaluara, zakoneve të këqija, zakoneve të injorancës, dyshimeve etj. Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, transmetojnë nga Abdullah ibën Amër ibën el Asi radijAllahu anhuma, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit kanë shpëtuar muslimanët, kurse muhaxhir është ai i cili largohet nga ajo që ka ndaluar Allahu.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Hixhreti është dy llojesh: të lësh mëkatet dhe të bësh hixhret tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Dhe nuk do të ndërpritet hixhreti derisa pendimi pranohet dhe pendimi vazhdon të pranohet derisa të lindë dielli nga perëndimi. E nëse lind nga perëndimi, atëherë vuloset çdo zemër dhe çfarë ka në të, dhe njerëzve u mjaftojnë veprat (d.m.th. nuk u bëjnë dobi më veprat e mira).” (Transmeton Ahmedi dhe e ka konsideruar të mirë Albani)

Në një transmetim tjetër, një person e pyeti Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se cili hixhret është më i miri. Ai tha: “Të lësh atë që urren Zoti yt.”

Dijetari i nderuar el Izz ibën Abdus-Selam në librin Shexheretu el me’arif ve el ahval ve salihu el akvali ve el a’mal thotë se hixhreti është dy llojesh: hixhreti i vendbanimeve dhe hixhreti i mëkateve dhe armiqësisë, por më e vlefshmja është hixhreti i mëkateve dhe armiqësisë ngase në të arrihet kënaqësia e Rrahmanit dhe poshtërimi i epshit dhe i shejtanit.

Duhet të shpejtojmë në këtë hixhret që e kënaq Allahun, të bëjmë hixhret prej kufrit dhe shirkut në iman dhe teuhid, të bëjmë hixhret prej shpikjes në fe në Sunnet dhe pasim, të bëjmë hixhret prej veprave të ndaluara në veprimin e obligimeve, prej moskujdesjes ndaj gjërave të urryera në veprimin e punëve të pëlqyera, të bëjmë hixhret nga nxirja e fletëve tona me mëkate dhe punë të këqija në zbardhimin e tyre me adhurime dhe punë të mira, të bëjmë hixhret nga teprimi dhe neglizhimi në rrugën mesatare dhe të përmbajturit në rrugën e drejtë si dhe të bëjmë hixhret nga çdo gjë e keqe dhe e ndyrë në çdo të mirë dhe të pastër.

Nëse hixhreti bëhet kështu, atëherë është argument i plotësimit të imanit dhe argument i dashurisë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe me këtë mënyrë hixhreti tregohet se robërimi i plotë është vetëm ndaj Allahut dhe njeriu arrin mirësinë dhe fiton xhennetin. Zëri që del nga gjendja dhe fjalët e tij është: “Unë do të mërgoj te Zoti im. Me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”

Në fund, o ti që ke vendosur të bësh hixhret tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, ki kujdes që këtë vepër ta bësh vetëm për hir të Allahut, nëse dëshiron të arrish frytet e mira në këtë botë dhe në botën tjetër, ngase Pejgamberi sal-laAllahu alejhi ve sel-lem ka paralajmëruar për këtë gjë të rëndësishme kur ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa ai shpërngulja e të cilit është për të fituar disa të mira të kësaj bote ose për t’u martuar me ndonjë femër, hixhreti i tij do të jetë për atë që ka bërë hixhret.”

Ibën Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Muhaxhir i vërtetë është ai që bën hixhret tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Muhaxhiri për të bërë pasuri në realitet është tregtar, kurse muhaxhiri për të martuar një vajzë në realitet është kërkues nuseje, kështu që asnjëri prej këtyre nuk është muhaxhir i vërtetë.”

Ibën Al-lan thotë: “Hixhreti i çdokujt tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, me qëllim dhe nijet, do të ketë shpërblim dhe sevap.”

Lus Allahun të na japë sukses në çdo punë të cilën e do dhe është i kënaqur prej saj!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Muhamed el Xhuhemi

Përshtati me disa shkurtesa dhe ndryshime:

Xheladin LEKA

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit