1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Efektet pozitive të pendimit në shëndetin psikik të njeriut

Më të lexuarat

Mëkati, si një dukuri njerëzore, është keqkuptuar dhe keqinterpretuar përgjatë gjithë historisë njerëzore.

Për pasojë, nuk kanë qenë vetëm mëkatarët ata që e kanë pësuar, por edhe ata që nuk e kanë kuptuar natyrën e mëkatit. Në hadithin e personit që vrau 100 veta, Muhammedi [alejhis salatu ves selam] na përshkruan këto botëkuptime të gabuara përkitazi me mëkatin në të kaluarën. Vrasësi i 99 vetave dëshironte të pendohej për mëkatet e tij, por, që në start, hasi në një pengesë, e cila, ndonëse shpërfaqi karakterin e tij prej vrasësi, megjithëkëtë, nuk e shoi dëshirën për pendim. Ai e vrau edhe njeriun që i tha se nuk ke pendim tek Allahu por nuk u ndal së kërkuari rrugë për tu penduar, ngase pendimi është natyrshmëri e pastër njerëzore. Mëkati duhet të cilësohet si pjesë e karakterit njerëzor vetëm në rastet kur ai shoqërohet edhe me pendim. Ndryshe, vazhdimi në mëkate mund ta zhvesh njeriun nga karakteri njerëzor fare. Personi i cituar në hadith u pendua dhe shpëtoi[1].
Ky hadith, ndonëse flet për të kaluarën, imazhet e tij duken aktuale si kurrë më parë. Njerëzit nuk di të kenë qenë të zhytur në mëkate më thellë ndonjëherë më parë dhe nuk di ta kenë heqë ndonjëherë të zitë e ullirit nga mëkatet sikur tani. Vetëvrasjet dhe tentativat për të kryer këtë akt të shëmtuar janë mbase shkak i drejtpërdrejtë pse njerëzit keqkuptojnë mëkatin dhe nuk janë të njohur me rrugëdaljet prej tij. Për këtë dhe shkaqe tjera, prezantimi i pendimit dhe efekteve të tij në jetën e individit është temë, rëndësia për të cilën kalon përtej shpjegimit të saj teorik. Ajo është edhe nevojë njerëzore.
Ky punimi mëton të hedh dritë mbi disa efekte pozitive të pendimit në jetën psikike të individit.
Nuk ka njeri të pa gabime
Njeriu është krijesë e veçantë. Ai, nuk është melek, por nuk është as kafshë. Në fakt, të qenit brenda këtyre dy kategori krijesash, e bën atë të varur, për shkak se në qenien e tij ka elemente të të dy natyrave: engjëllore (shpirtërore) dhe shtazarake (epsharake). Kështu, ai është në një luftë të përhershme me vetveten e tij. Ai është në xhihad me nefsin e tij. doemos se do të përjetojë rënie dhe ngritje shpirtërore gjatë jetës së tij. Kjo është normale, gjithnjë për shkak të natyrës së tij prej njeriu. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Të gjithë njerëzit gabojnë ndërsa më të mirët prej tyre janë të penduarit.”[2]
Pra, përkujtimi i këtij parimi për një njeri që ka rënë në greminën e mëkateve është me rëndësi të veçantë, ngase, ai do të kuptojë se nuk qenka i vetmi. Të gjithë qenkan si ai, vetëm se pse ata dallojnë prej tij, është se ata qenkan edhe të penduar.
Kemi Zot që kërkon prej nesh të pendohemi
Pendimi ka dhe një tjetër rëndësi. Ai nuk vjen si një ilaç alternativ. Ai është esencial. Atë e kërkon Allahu i Madhëruar. “…Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.“ (en-Nur, 31); “O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë…“ (et-Tahrim, 8)
Rëndësia e kësaj për individin dhe jetën e tij psikike qëndron në faktin se ai kupton që dera përballë tij nuk qenka e mbyllur, madje, pendimi që nënkupton shpëtimin, qenka kërkesë e Allahut. Ai këtë e kupton si mirësi e shkuar mirësisë, sepse, gjykuar sipas koncepteve të raporteve ndërnjerëzore, nëse dikujt i ke bërë keq, atëherë ti duhet të jesh ai që ia fillon për ta përmirësuar raportet. Ndërsa, kur të jetë në pyetje Allahu, edhe pse ka fuqinë mbi çdo fuqi, edhe pse mund të veprojë çka të do dhe askujt të mos i jep përgjegjësi, prapë, është Ai që e thërret robin në pendim. Kështu, pendimi për mëkatarin dele dhe si imazh mirësie dhe dashurie hyjnore për të.
Rrëfim i llojit të vet
Se pendimi ndikon pozitivisht në jetën psikike të njeriut flet edhe fakti se ai është privat. Për tu penduar nuk ke nevojë të rrëfehesh para askujt. Njerëzit kanë problem me pendimin në fe dhe kultura tjera pikërisht për shkak të këtij elementi. Ata duhet të rrëfehen para dikujt dhe kjo nënkupton që ata të zbulojnë mëkatet e tyre, gjë që i bën të ndihen shumë keq, e në shumë raste edhe të mos e mendojnë pendimin fare për shkak të ndjesisë së turpit që përjetojnë. Fatbardhësisht, në Islam nuk qëndron puna kështu. Pendimi është privat. Atë mund ta bësh në vetmi, madje preferohet më së shumti. Ebu Bekri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] transmeton se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Nuk ndodhë të mos i falet mëkati robit, që ka bërë mëkat ndërsa më pas është ngritur dhe është pastruar (ka marrë abdes) me kujdes, ka falë dy regate namaz si dhe ka kërkuar falje tek Allahu.” Pastaj e lexoi këtë ajet: “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen).“ (Ali Imran, 135).”[3]
E tëra që kërkohet është të marrësh abdes, t’i falësh dy regate dhe të krkosh falje. Por, nëse do edhe më shumë privatësi, atëherë ngrihu gjatë natës dhe në kohën kur të tjerët janë në gjumë, ti lute Allahun, e Ai të përgjigjet. Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të] transmeton se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Në pjesën e tretë të natës, Allahu i Madhëruar zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: Kush më lut, që t’i përgjigjem! Kush më lyp-kërkon, që t’i jap! Kush kërkon falje, që ta fal!”[4]
Shkarkim psikik total
Rëndësinë e pendimit në jetën psikike të individit mund ta masim edhe nga efekti që ka në shkarkimin e këtij të fundit nga faji. Jeta bashkë me fajin ia vështirëson atij punët shumë. Gjithnjë e ndien veten të tepërt. Shesh sikur rruga e tij është sosur. Por kështu nuk është puna në Islam. Pendimi ka fuqinë e çlirimit të individit nga barra e mëkateve. Allahu ka thënë: Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!“ (ez-Zumer, 53)
E shihni magjinë e pendimit. Ai i fal të gjitha mëkatet. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] duke na shpjeguar këtë element të pendimit thotë: “Ai që pendohet nga mëkati, është sikur të mos ketë bërë mëkat fare!”[5]
Pendimi, siç po shohim në këtë hadith, nuk është vetëm falje e mëkatit. Është edhe integrim i mëkatarit ngase nuk po merret me të kaluarën e tij. Ajo tashmë është e shkuar ndërsa i penduari është njësoj, si gjithë të tjerët. Për ta kuptuar këtë edhe më qartë, do të ndalemi në shpjegimin e një prej emrave dhe cilësive të bukura dhe t[ larta të Allahut të Madhëruar. Fjala është për emrin El-Afuvvu – Falësi. Në Kur’an, në disa vende, e ka përmendur këtë emër si emër të Tij. p.sh. në kaptinën en-Nisa, ajeti 99: “Atyre do t’iu falë All-llahu. All-llahu është që shlyen e falë shumë (gabime).”
Në shpjegim të kuptimeve dhe domethënieve të këtij emri, dijetarët kanë përmendur dy kuptime:
Fshirjen e tragut dhe gjurmës
Dhënien me kënaqësi pa kërkesë parake të dikujt.
Kështu, nëse e shpjegojmë atë në kontekstin e temës sonë, i bie që Allahu shlyen gjurmët e mëkateve të tyre si dhe ua paraprinë me të mira atyre, edhe nëse ata fare nuk i kërkojnë ato.
Vetëdijesim dhe edukim
Pendimi ka dhe një rol tjetër në jetën e individit. Ai insiston që jo vetëm ta shlyejë mëkatin, por edhe ta vetëdijesojë atë se rruga e mëkatit është e gabuar. Pendimi synon të hap një kapitull të ri në jetën e individit. Kjo është domethënia e vërtetë e tij. Hasan Basriu ka thënë: “Pendimi i sinqertë është ta urresh mëkatin, ashtu siç e ke dashur atë, dhe të kërkosh falje për të sa herë që të kujtohet…”
Rëndësia e kësaj është se nuk ke shpëtuar një njeri nga mëkati, por edhe ke fituar një ushtar kundër mëkatit.
Vlerësim i vetes dhe të tjerëve
Pendimi është i rëndësishëm ngase njeriut ia kthen besimin në vete. Ky njeri që dje mendonte t’i jep fund jetës së tij, për shkak se nuk shihte zgjidhje tjetër, sot, kur është penduar, jetën e sheh si shumë të dobishme. Çlirimi nga barra e mëkateve e ka bërë të ndiejë një kënaqësi. Pendimi e ka formuar atë, e ka bërë që të besojë se për çdo gjë ka rrugëdalje. Kjo e bën që të ballafaqohet me maturi edhe me të gjitha problemet tjera të jetës. Pendimi, në fakt, është fillimi i zbulimit të kapaciteteve shpirtërore të individit. Ai është shtegu drejt suksesit.
Por jo vetëm për vete krijon këtë qëndrim. Nëse Allahu të ka falur ty, të ka pranuar pas tërë atyre mëkateve që ke bërë, a nuk duhet që edhe ti të falësh ata që kanë qenë të padrejtë ndaj teje.
Ky është pendim, andaj, ejani të pendohemi që të shpëtojmë.
“…Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.“ (en-Nur, 31)


[1] Hadithin e plotë e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij.
[2] Albani në Sahihu-t-Tergib, nr. 3139, thotë se është hasen.
[3] Hadithin e transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka vlerësuar për autentik.
[4] Hadithin e transmetojnë Imam Buhariu dhe Imam Muslimi në Sahihët e tyre.
[5] Albani në Sahihu-l-xhamii, nr. 3008, e vlerëson hasen.

SEDAT ISLAMI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit