6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Njeriu që kishte mbytur njëqind njerëz

Më të lexuarat

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ka thënë: “Një burrë nga Bijtë e Israilit vrau nëntëdhjetë e nëntë njerëz, pastaj doli të pyesë për njeriun më të ditur. I treguan për një prift, shkoi ta pyesë, i thanë ky ka mbytur nëntëdhjetë e nëntë njerëz, a ka pendim për të? Ai tha: Jo (nuk ka pendim për të). kështu, e vrau edhe atë dhe me atë plotësoi njëqind. Pastaj vazhdoi të pyesë për njeriun më të ditur në tokë, i treguan një dijetar, i thanë ky ka mbytur njëqind njerëz, a ka pendim për të? Tha: po, kush e pengon atë që të pendohet?! Shko në filan vendin, aty do të gjesh njerëz që e adhurojnë Allahun e Lartësuar, adhuroje Allahun bashkë me ta, dhe mos u kthe në vendin tënd, sepse ai është vend i keq. U nis, por kur arriti në mes të rrugës e zuri vdekja. Kështu, melekët e mëshirës dhe ata të dënimit, filluan të ziheshin mes vete (se cilët ta marrin shpirtin e tij). Melekët e mëshirës thanë: erdhi i penduar-i kthyer me zemrën e tij tek Allahu, ndërsa melekët e dënimit thanë: ai nuk ka vepruar asnjë vepër të mirë. Atyre u erdhi një melek në formën e njeriut, dhe gjykoi mes tyre,
tha: mateni tokën mes dy vendeve, cilin vend e ka më afër, atij vendi i përket. I matën dy vendet dhe gjetën se ai ishte më afër tokës së pendimit, dhe ia morën shpirtin melekët e mëshirës.”

Hadithi është (sahih) i vërtetë, atë e shënojnë Buhariu dhe Muslimi

Dobitë dhe mësimet që nxirren prej hadithit:

– Mëshira e gjerë e Allahut në pranimin e pendimit nga ata që pendohen, pa marrë parasysh sa të mëdha janë mëkatet tyre. Prandaj, ata të cilët e humbin shpresën nga mëshira e Allahut janë injorantë dhe të humbur, sepse nuk kanë arritur ta njohin Zotin e tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: “E kush e humb shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”?! (El Hixhër, 56)

Por që pendimi të pranohet te Zoti, ka disa kushte:

1. Të pendohet sinqerisht tek Allahu, sepse sinqeriteti është kusht i çdo adhurimi.

2. Largimi nga ai mëkat, pasi është e pa mundur që njeriu të pendohet e të mos largohet nga mëkati.

3. Vendosmëria për të mos u kthyer më në atë mëkat.

4. Në qoftë se padrejtësia është ndaj robit në pasurinë, nderin apo në veten e tij, kushtëzohet kompensimi material ndaj atij që e ka dëmtuar ose t’i kërkojë falje.

5. Të jetë në kohën e duhur: para se të vijë shpirti në fyt dhe në mënyrë të përgjithshme, para se të lindë Dielli prej perëndimit, pas këtyre dy ndodhive nuk pranohet pendimi.

– Pendimi i sinqertë ishte shkak që Allahu ta mëshirojë këtë njeri edhe pse vdekja e zuri para se të arrinte te vendi i pendimit, e, para se të punonte vepra të mira.

– Mjedisi ku jeton njeriu ka ndikim të madh në sjelljen e tij, andaj ai që pendohet duhet të ketë kujdes që të mos gjendet në mesin e shoqërisë së keqe, në qoftë se është nevoja edhe të largohet nga ai vend duhet ta bëjë, ashtu siç bëri ky dijetari, i cili e urdhëroi atë që dhe u pendua, sepse shoqëria e keqe dhe vendi i keq ku ai jeton, e nxisin atë në përsëritjen e mëkateve.

– Nga ky hadith mësojmë se njeriu çështjet e fesë duhet t’ia besojë njerëzve më të ditur të fesë, siç janë dijetarët, vetëm ata dinë t’i zgjidhin gjërat e ngatërruara dhe t’i udhëzojnë njerëzit si të dalin prej tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj pyesni dijetarët e Librit, nëse ju nuk e dini.” (En Nahël, 43)

– Gjithashtu myftiu duhet të ketë kujdes që të mos flasë dhe të pëgjigjet pa dituri, mirëpo të flasë vetëm atë që e di. – – Kemi melekë të mëshirës dhe melekë të dënimit.

– Melekët mund të personifikohen në formë njeriu.

Marr nga libri: ” Tregime të vërteta profetike” – Ebu Is’hak el Huvejni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit