3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Edukimi islam i fëmijëve dhe sfidat e kohës

Më të lexuarat

Një nga temat më të diskutuara të ditëve të sotme është krijimi dhe mbrojtja e familjes nga kërcënimet e shekullit. Sigurisht që bashkë me uljen e numrit të martesave dhe shtimin e rasteve të divorceve fëmijët shihen si më të rrezikuarit, të privuar nga jeta e ngrohtë familjare, të rritur me prezencën e njërit prej prindërve. Krahas kësaj, fëmijët tanë përballen me pengesa e vështirësi nga më të ndryshmet për sa i përket marrjes së një edukimi të mirëfilltë islam. Nëna nuk mund të zërë vendin e babait, ashtu si babai nuk mund të zërë vendin e nënës. Për rrjedhojë po rriten fëmijë jo të lumtur, të cilët dinë vetëm të ankohen dhe të cilëve u mungon vetëbesimi. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fëmijët e familjeve të divorcuara, por edhe fëmijët e familjeve myslimane nuk arrijnë të marrin një edukatë të mirë fetare. Në këtë mënyrë rriten breza që nuk janë të dobishëm në radhë të parë për veten e tyre, më pas nuk janë të vlefshëm as për familjen e as për shoqërinë ku jetojnë.

Edukimi i individit përbën një shtyllë të pazëvendësueshme në zhvillimin e vëllazërimit islam. Për këtë arsye duhet filluar nga korniza më e vogël. Pikë së pari, njeriu duhet të edukojë veten e tij e më pas të hedhë farat në edukimin e familjes. Edukata e marrë nga nëna në fëmijëri përbën farën më të pastër, e cila do të japë frytin e saj në vitet në vazhdim. Nëse fëmija nuk arrin të marrë një mësim të fuqishëm besimi që në vitet e para të tij, e ka më të vështirë ta marrë më vonë.

A nuk është kjo një këshillë e vlefshme për ne? Në fillim lëshojmë pe me mendimin se ‘është fëmijë, mund të bëjë gjithçka’ dhe më pas mendojmë se ku kemi gabuar për sa i përket edukimit të dhënë. Edukimi shpirtëror i fëmijës fillon që në rininë e nënës së tij, vazhdon gjatë shtatzanisë, merr formë gjatë fëmijërisë dhe fillon të lëshojë rrënjë në periudhën e pjekurisë. Në moshën dyzet vjeçare tashmë ka marrë formën përfundimtare dhe është shumë e vështirë të ndryshohet. Natyralisht na lind pyetja: Pse vonohemi pavarësisht njohjes së këtyre fazave? Ne mund të ndryshojmë diçka, duke filluar nga vetja, korniza më e ngushtë. Ky ndryshim mund të bëhet me anë të edukimit islam. Në këtë mënyrë do të gjejë prehje në fillim individi, më pas shoqëria dhe në fund shoqëria islame. Nëse arrijmë t’u transmetojmë atyre Islamin ashtu siç është, në mënyrën më të drejtë e të duhur, atëherë nuk ka arsye që fëmijët tanë të mos na ndjekin nga pas.

Roli i nënës në edukim

Edukata e dhënë nga nëna zë një vend shumë të rëndësishëm në edukimin e fëmijës, si dhe në formimin e karakterit të tij. Meqë fëmija pjesën më të madhe të kohës e kalon pranë nënës, edhe karakteri i tij do të jetë pasqyrim i karakterit të nënës. Veçoria më e theksuar e nënave është dhembshuria, ndryshe ato mund të quhen heroina të dhembshurisë. Ato mund të quhen lehtësisht heroina të dhembshurisë, sepse sakrifikojnë edhe jetën e tyre pa iu dridhur qerpiku për fëmijët. Këtë veprim janë të gatshme ta bëjnë pa pritur asnjë shpërblim dhe pa asnjë interes. Sakrificat e treguara të nënave tona janë dhe provat më të qarta të kësaj ndjenje. Kjo është një ndjenjë, e cila u është dhuruar nënave nga Zoti i madhëruar. Meshkujt nuk mund t’i afrohen femrave për sa i përket posedimit të kësaj ndjenje. Meqë kjo ndjenjë u është dhuruar vetëm nënave, atëherë duhet përdorur në rrugën e duhur. Ndërkohë që përpiqemi të zbukurojmë botën e fëmijëve, të mos nënvlerësojmë ahiretin, jetën e përtejme të tyre, ndërkohë që i ushqejmë mos t’i lëmë të uritur nga ana shpirtërore, t’i ushqejmë shpirtin dhe zemrën dhe t’u shpëtojmë ahiretin me anë të edukimit islam.

Një nga çështjet më të rëndësishme në edukimin e fëmijës është përdorimi i gjuhës së dhembshurisë gjatë mësimit të ndonjë teme apo koncepti. Një edukim fetar i bazuar në zemërim, rrahje, kërcënim ngjason me një ndërtesë me themele të dobëta, të paqëndrueshme. Mos të harrojmë asnjëherë se fëmija praktikon atë që sheh dhe jo atë që i thuhet. Për këtë arsye përpara tij duhet servirur një model i plotësuar.

Një nga detyrat më të rëndësishme që mbart mbi supe nëna është dhe edukimi i respektit te fëmija. Nëse dëshirojmë të kemi një fëmijë të respektueshëm ndaj familjes dhe të afërmve, në fillim duhet që prindërit vetë ta respektojnë atë. Fëmija duhet të ndihet i lirë brenda kornizës së gjërave të lejuara. Nëse cenojmë lirine e veprimit të fëmijës, atëherë dhe fëmija do të shndërrohet në një individ të parespektueshëm ndaj të drejtave të të tjerëve. Veçanërisht atij nuk i duhen thënë fjalë të pakëndshme dhe kurrsesi të ushtrohet dhunë. Nëse duam që ai të bëjë diçka, atëherë duhet të përdorim gjuhën e dashurisë dhe asnjëherë të kërcënimit apo sforcimit. Nëse arrijmë të nxisim në zemrën e tij dashurinë ndaj së mirës, atëherë ai do të largohet vetë nga sjelljet e këqija.

Besimi te vetja dhe te familja është një temë tjetër kritike. Kur flasim për vetëbesim nuk bëhet fjalë për plotësimin e çdo dëshire të fëmijës. Një fëmijë i cili beson te familja nuk mashtrohet lehtë nga rrethi shoqëror, nuk gabon lehtësisht. Veçanërisht dy vitet e para të jetës janë vitet ku hidhen themelet e lidhjes me nënën.

Roli i babait në edukim

Roli i babait në edukimin e fëmijës konsiston në plotësimin e mangësive të nënës. Mbrojtja e fëmijës, plotësimi i nevojave materiale e shpirtërore të tij, sjellja me dhembshuri e butësi janë shumë të rëndësishme në formimin e drejtë të profilit atëror. Në këtë rast babai luan një rol plotësues. Ofrimi i mbështetjes së tij në edukimin e fëmijës do të minimizojë barrën e nënës dhe do të forcojë marrëdhënien baba-fëmijë. Feja islame nuk na servir modelin e një babai të dhunshëm, fjalërëndë nga i cili fëmija frikësohet, përkundrazi, na mëson për dhembshurinë dhe butësinë që duhet të ketë ai. Shembuj të tillë janë të panumërt në jetën e Profetit tonë të dashur. Krijimi i një profili pozitiv atëror do të ndikojë pozitivisht gjatë viteve në vazhdim në jetën e fëmijës.

Roli i fëmijës në edukim

Pasi numëruam detyrat e nënës dhe të babait, le të shohim pak dhe detyrat e fëmijëve. Fëmija duhet t’u bindet, t’i respektojë dhe të sillet me dhembshuri ndaj prindërve. Feja islame ka vlerësuar shumë aprovimin e prindërve. Edhe nëse nëna dhe babai janë të këqij, kundërshtimi i tyre është radhitur ndër mëkatet e mëdha. Nga këtu kuptojmë se të dyja palët duhet të punojnë reciprokisht, sepse sakrificat e treguara vetëm nga njëra anë mund ta çojnë personin drejt sindromës së dërrmimit. Ashtu siç thonë dhe të parët tanë ‘nëse secili prej nesh do të pastronte pjesën përpara shtëpisë, nuk do të ngelej vend i papastër në botë’.

Aisa Kokiçi

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit