Kundërreagim ndaj fjalorit ofendues të palo-intelektualit Xhemal Ahmeti, alias Jon Leka
GJYLE ÇELIKU
Siç e paske shpirtin, ashtu e paske edhe fjalorin “intelektual”
Vërsulja vulgare e këtij farë “intelektuali” ndaj personalitetit tim, përkundër faktit që unë as ofendova njeri dhe për më tepër këtë shpirttrazuar, por veçse iu qasa shpirtit negativ të perceptimit të realitetit objektiv shoqëror dhe shpreha të drejtën time elementare në mbrojtje të vendit, bashkëqytetarëve dhe fesë time, flet qartë për pikëpamjen fashiste të këtij “intelektuali” dhe të bashkëmendimtarëve të tij, që ngjason me veprimin nazist ndaj izraelitëve dhe që u manifestua me një gjenocid të paparë në historinë e njerëzimit. Vetëm se ky dhe bashkëmendimtarët e tij të paktë, të mirënjohur për opinionin publik, kryejnë një gjenocid virtual kulturor, sepse janë të pafuqishëm për ta kthyer në realitet, ngaqë rezonimin e kanë tepër të flashkët, aq sa drita e xixëllonjës.
Këta “perëndimorë” në dukje dhe mendje, nuk janë asgjë tjetër, pos një kopje e dalë huq nga një arsimim i gjymtuar, që rezulton me një gjysmanalfabetizëm të pashoq. E them këtë, sepse çdo qytetërim, sidomos ai perëndimor, për bazë ka dashurinë, tolerancën dhe respektin për tjetrin, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare apo racore. Madje, edhe kushtetutat e vendeve më të zhvilluara, qendrat e qytetërimit botëror, siç janë SHBA-të dhe vendet e Unionit Evropian, e mbrojnë të drejtën e përkatësisë kombëtare, fetare dhe racore. Jo rastësisht edhe në këto vende lejohet praktikimi i çdo feje dhe ndëshkohet rëndë çdo veprim racist dhe antifetar. Unë nuk njoh deri më sot ndonjë intelektual, qoftë edhe mesatar, apo ndonjë klerik të krishterë të ketë dalë dhe të ketë fyer publikisht një fe tjetër, përpos këtyre “perëndimorëve” tanë, të cilët siç e kanë shpirtin, ashtu e kanë edhe fjalorin “intelektual”.
Përkatësia fetare, cilado qoftë ajo, është një orientim shpirtëror i gjithsecilit dhe askush nuk ka të drejtë ta mohojë dhe cenojë atë. Është e drejtë elementare njerëzore, që dikush të mbajë shami, burkë, turban, veladon apo të ecë gjysmëlakuriq dhe çdo gjykim negativ për këtë të drejtë, është fashizëm dhe, çdo gjykues, është fashist.
Në këtë kuptim, shqiptarët e kanë dëshmuar si asnjë komb tjetër botërisht, pavarësisht përkatësisë së tri feve: myslimanizmit, katolicizmit dhe ortodoksizmit, koherencën dhe unitetin kombëtar. Shumë pushtues dhe intelektualë si soji i këtyre kanë mëtuar të fusin pykën e përçarjes, por nuk ia kanë arritur kurrqysh, përderisa popujt e tjerë kanë zhvilluar luftëra vëllavrasëse në emër të fesë si gjermanët me Luftën e përgjakshme 30-vjeçare dhe irlandezët për 800 vjet me radhë.
Mësimet themelore nga mendimtarët më të mëdhenj të njerëzimit pohojnë se nuk ka fe të keqe, të gjitha kanë një qëllim të vetëm, krijimin e njeriut të zbutur dhe ruajtjen e balancës shoqërore. Çdo sistem politik dhe çdo shpirttrazuar, që e kanë mohuar këtë fakt, kanë arritur të krijojnë vetëm një iluzion jetëshkurtër transcendental, që ka rezultuar me pasoja të paimagjinueshme kolektive dhe individuale.
Unë e mbroj me krenari fenë islame, sepse fjala “islam” do të thotë “paqe” dhe kategorikisht e luftoj çdo lloj manifestimi radikal dhe ekstremist, megjithatë t’ia atribuosh islamit dhe ta projektosh radikalizmin dhe ekstremizmin mbi 2 miliardë njerëz, është injorancë e llojit të vet, është fashizëm kulturor. Po ashtu është jonjerëzore, që një feje t’ia mohosh njerëzoren (lexo: islamit) dhe fesë tjetër (lexo: katolicizmit) t’ia atribuosh njerëzoren si vlerën më të lartë. Kjo nuk i përgjigjet as Ungjillit, ku thuhet: “Mos u frikoni ju nga ata, të cilët mund ta vrasin trupin, por jo edhe shpirtin” (Mateu 10, 28). Këta “perëndimorë” s’janë gjë tjetër pos një farsë e njerëzimit, përçmues të një qytetërimi mijëvjeçar, të një mënyre jetese, për të cilët gjuha jonë e ëmbël shqipe ka një shprehje të pazakontë: ‘njerëz të pafytyrë’. Me këtë rast, unë dua t’ju përkujtoj një frazë të Italo Mancini-t, të marrë nga njëri prej librave të tij të fundit, Tornino i volti (“Dhashtë Zoti e ju kthefshin përsëri fytyrat”, Gjenovë 1989), e cila mund të vlejë si një testament: “Bota jonë, nëse bie fjala, është për të jetuar në të, për të dashur dhe për të qenë i shenjtë, jo e dhënë nga një teori e të qenët, nga ngjarjet historike apo fenomenet natyrore, por nga prania e atyre qendrave të padëgjuara të të qenët ndryshe, të cilat janë fytyrat, fytyrat, të cilat ia vlen t’i shikosh, t’i respektosh dhe t’i shijosh.”
Nga ana tjetër, këta “perëndimorë” shpirttrazuar pohojnë pa fijen e turpit, se feja islame paska ndikuar në asimilimin e popullit shqiptar, gjë që dëshmon për injorancën e tyre të pashoq intelektuale. Përkundrazi, feja islame historikisht e ka ruajtur popullin shqiptar nga asimilimi, duke krijuar një mur mbrojtës kulturor ndaj kulturave asimiluese të të tjerëve, kryesisht nga sllavizimi i popullit shqiptar, sepse ka nxjerr në pah një korpus vlerash jo të përbashkëta dhe ka bërë tkurrjen e domosdoshme në vetvete. Nëse sot këta erdoganizmin përpiqen ta projektojnë te masat e gjera popullore, e kanë shumë gabim, sepse kjo doktrinë, si kurrë më parë, ka gjetur shteg në politikat, pikërisht ku frekuentojnë këta “intelektualë” dhe bashkëmendimtarët e tyre.
Për fund, unë i bëj ftesë publike këtij farë intelektuali, që, nëse e sheh të udhës, të debatojë me mua në mënyrë të qytetëruar dhe jo të më vërsulet me langonjtë e tij me një fjalor vulgar, sepse unë jam bashkëshortja dhe nëna e dikujt. Burri shqiptar nuk e ka zakon të ofendojë një femër, aq më pak një “intelektual perëndimor”. Nga perspektiva ime, unë do ta definoja këtë si aktin më të turpshëm të burracakërisë./ lajmpress