Kolni blindon Mërgim Mavrajn. Pas interesimit që Hamburgu shfaqi për mbrojtësin shqiptar, në mënyrë zyrtare klubi njoftoi se 30 vjeçari nuk do të largohet. Kontrata e Mavrajt me Kolnin përfundon në fund të sezonit dhe me rinovimin që ende nuk ka ardhur, u ngrit hipoteza se lojtari mund të shitej gjatë merkatos së Janarit për të mos e humbur me parametër zero.
Por, diçka e tillë është përjashtuar nga drejtori sportiv i Kolnit, Jörg Schmadtke, që për gjermanen Kicker përjashtoi mundësinë e shitjes së mbrojtësit kuqezi gjatë afatit të transferimeve të dimrit.
Me paraqitjet e shkëlqyera në këtë sezon, ku ka qenë një prej mbrojtësve më të mirë të Bundesligës gjermane, interesimi për Mërgim Mavrajn ka qenë i jashtëzakonshëm dhe duket se ka ardhur momenti që ai të bëjë hapin e madh në karrierë, duke u transferuar në një klub të rëndësishëm, shkruan SuperSport.al.
Megjithatë, Mavraj do të ishte i kënaqur edhe nëse e zgjat qëndrimin te Koln-i, skuadër tek e cila militon prej vitit 2014. Vetëm pak ditë më parë, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare deklaroi se i pëlqen jeta në qytetin e Kolnit dhe prej vlerësimit që ka në klub është i gatshëm të rinovojë kontratën edhe për disa sezone.