0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Dyshime derisa të mbyllim sytë

Më të lexuarat

Nga: Selman Aude

Dyshime derisa të mbyllim sytë

Ndonjëherë, të lipset të vdesësh që tjetri ta fshijë emrin tënd nga rrethi i të dyshuarve. Kjo është pikërisht ajo që ndodh çdo ditë, jo vetëm në qarqet politikane, por ajo ka depërtuar tek çdo qenie e gjallë që mbart emrin njeri. Madje, vështrimi plot dyshim, ndonjëherë mund të na duket i dashur, nëse e krahasojmë me vështrimin akuzues. Kur marrim të gjykojmë një mendimtar, e konsiderojmë si urtësi dhe zgjuarsi, madje dhe sinqeritet, që ta portretizojmë si mashtrues dhe hileqar, i cili shfaqet ndryshe nga ç’është dhe është ndryshe nga ç’shfaqet, se është ambicioz dhe karrierist, se ajo që dimë nga jeta e tij është sa maja e ajsbergut. Me këtë, sikur ne besojmë se ai do të jetojë njëmijë vite, gjatë të cilave do të mund të lëshojë helmin e ideve të tij dhe do të deklarojë të ligën dhe hilet që ka mbajtur të fshehta.
Komunitetet e prapambetura, shpesh herë flasin për plane dashakeqe dhe dimensione të padukshme, flasin për synime të fshehta dhe projekte shkatërruese, të cilave nuk u ka ardhur akoma koha për të dalë haptazi.
Sakaq, shohim që qeveritë kanë krijuar vartësi ndaj skepticizmit dhe dyshimit sipas rregullit:“Mos i beso kujt derisa të vërtetohet e kundërta!” E si mund të vërtetohet e kundërta?!
Sado që fjala të jetë e qartë, e pastër, e sinqertë dhe e matur, ne nuk e dimë çfarë fsheh tjetri në zemrën dhe mendjen e vet. E si mund ta dimë çfarë fshihet pas atyre fjalëve të bukura dhe dashamirëse?!
Një ditë, i thashë dikujt:”Supozo sikur një engjëll nga të qiellit, zbret dhe dëshmon për filanin për mirë, duke të hequr çdo hije dyshimi. Megjithatë, mos harrojmë se engjëjt nuk e dinë të padukshmen dhe të fshehtën e zemrave. Ai thjesht dëshmoi dijen e tij, asgjë më tepër. Ai tregoi aparencën e dukshme të filanit, atë që duket dhe manifestohet në ato çaste. A nuk është e mundur që ai të ndryshojë pasi të largohet engjëlli dhe të ngjitet në qiell? Sigurisht që po. Supozo, se vetë Zoti i lartësuar të pohon se filani ka një zemër të pastër si uji i detit, të bardhë si bora dhe të ndershme si mirësia. Mandej, kjo zemër u paketua dhe u mbyll ashtu siç është. Por me të kthyer shpinën, do të fillojnë sërish dyshimet dhe skepticizmi, do të fillojë ai zëri i brendshëm të gërryejë me fjalët: Ku e di çfarë i ka ndodhur zemrës së tij pasi u largove? A nuk janë zemrat mes dy gishtave të Gjithëmëshirshmit, që u jep kahjen që do Ai?
Nëse vazhdohet me këtë logjikë të errët, fjalët e humbasin vlerën, kuptimin dhe domethënien e tyre. Kjo, pasi çdo fjalë mund të interpretohet, keqkuptohet dhe mund të merret si mashtrim i rastit. Sikur njerëzit janë krijuar “aktorë”, ku secili luan një rol krejt të ndryshëm nga ç’është vetë në realitet. Vetëm “ti” bën përjashtim, vetëm ti je i sinqertë në fjalët që thua, vetëm tek ti e brendshmja është ekuivalente me të jashtmen.
Herë pas here, lexoj ndonjë artikull analitik i cili të bën ti kthesh shpinën realitetit, pasi del nga konteksti i natyrshëm. Ata të flasin për individët dhe grupacionet, si dikush që nuk do ta lexojë realitetin ashtu siç është në kontekstin e tij, duke i portretizuar të tjetër sikur të ishin ujqër të cilëve u vlon mashtrimi dhe dredhia në zemra dhe se janë të gatshëm të hidhen në fyt.
Por mos harrojmë se ka edhe njerëz zemërmirë, të cilët mendojnë mirë për të tjerët dhe kjo, për shkak se veprat e tyre janë të tilla. Sakaq, ka të tjerë të cilët preferojnë të sigurohen dhe kërkojnë argumente dhe fakte, dhe kanë të drejtë. Në kohët e hershme, hazreti Umeri ka thënë:”Nuk jam mashtrues, por asnjë i tillë nuk mund të më mashtrojë.”
Problemi më i madh është me ata që e shtrembërojnë të vërtetën e cila duket qartë me sy. Ata rreken të pikasin diçka mes fjalëve dhe shkronjave dhe nëse nuk gjejnë gjë, sulmojnë qëllimin dhe nijetin e tjetrit. Poeti i madh arab Elmutenebbi thoshte:
Të liga veprat të liga mendimet
Beson si reale edhe ëndërrimet
Armiq i sheh shokët për një fjalë të thënë
Të errët ka zemrën, si një natë pa hënë
 
Një njeri plot dyshime dhe skepticizëm, bën një jetë të trazuar, pasi i duket sikur të gjithë flasin për të. Ai beson se është mençuri dhe zgjuarsi, nëse i bombardon të tjerët me pyetje, ndërkohë që fakiri po bombardon veten e vet. Dyshimi vazhdon të zgjerohet, saqë fillon e dyshon edhe tek njerëzit më të afërt, duke mos i mbetur asnjë mik për kokë.
Disa njerëz janë të dhënë për vdekje pas dyshimit, i  cili i gërryen gjithë jetën pak e nga pak. Thotë Zoti në Kuran:“Ata luhaten në dyshimin e vet.” (Teube, 45)
Ata vazhdojnë avazin derisa tu trokasë vdekja në derë, ose ti befasojë personi që kanë dyshime mbi të duke u treguar të vërtetën e pastër si bora. Vetëm atëherë do të ndihen rehat, u qetësohen nervat dhe u largohet frika.
Ndoshta ky është shkaku përse shpesh herë u hyjmë në hak dhe u bëjmë padrejtësi të gjallëve, ndërkohë që demonstrojmë simpati dhe dashamirësi për të vdekurit. Një poet thotë:
Pas vdekjes, mos derdh asnjë pikë loti për mua
Se në këtë botë, s’më ke ndihmuar as sa një thua
Një ditë, profeti Muhamed a.s thirri në xhami:”O ju që keni besuar me gjuhë dhe akoma nuk u ka hyrë besimi në zemër! Mos i përgojoni myslimanët dhe mos i hetoni mangësitë e tyre! Ai që heton mangësitë dhe të metat e myslimanëve, do i hetohet të metat nga vetë Zoti dhe do të demaskohet brenda shtëpisë së tij.” (Ebu Daud)
Thotë Zoti në Kuran:“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 12)
Mendimi i keq ndjell hetimin, i cili ndjell përgojimin.
Merr nga njerëzit atë që duket
Dhe harroje të fshehtën që struket
Harroji të ligat e botës, tënden shiko
Të keqe zvogëloje, kurrë mos e zmadho
Mimika e fytyrës, toni i zërit, gjestet dhe koha, janë mekanizma të mjaftueshëm për të zbuluar atë që fsheh zemra. Si dhe për të zbuluar të sinqertin nga gënjeshtari. Lotët që rrjedhin në faqe, e dallojnë atë që qan nga atë që shtiret.
Përktheu: Elmaz Fida

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit