11.4 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Të ushqen dhe të vesh

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Të ushqen dhe të vesh

Puna është si një mik i besueshëm, nga i cili nuk bën të ndahesh kurrë.
Një orë punë, të mbush me gjallëri dhe të largon plogështinë. Një orë punë është më e dobishme se një muaj lot.
Të jetosh, do të thotë të kesh vullnet për të jetuar.
I gjithë universi jetën e dashuron
Vdekjen, me gjithë zemër ai e urren
Zogun e vdekur askush se përqafon
Lulja e tharë, bletën se ushqen
Askush nuk mundet ta monopolizojë suksesin, pasi suksesi është pronë e atyre që punojnë, atyre që paguajnë çmimin.
Puna është shëndet i trupit, i mendjes dhe i shpirtit.
Puna largon helmet nga trupi, por edhe iluzionet nga mendja.
Dora prodhuese është dorë që kontribuon, që jep, është dora sublime.
Puna e individit është shkëndija që ndez llambën në rrugë.
Zgjidh lodhjen, pasi ajo është ushqimi i shpirtit dhe ilaçi i halleve tua.
Lodhja e trupit, sjell dëlirësinë e zemrës.
Për hir të një rilindje të vërtetë, duhet ndryshuar orari i zgjimit.
Zgjohu herët dhe fillo punën plot gjallëri dhe entuziazëm.
Sekreti i mrekullisë japoneze qëndron në rrënjëzimin e kulturës së punës, disiplinës, sakrificës dhe perfeksionimit.
Sakaq, sekreti i plogështisë dhe prapambetjes, është sipërfaqësia, pehlivanllëku, bërja bisht dhe parazitizmi.
Vallë sa minuta në ditë punon një qytetar?
Sipas statistikave, në disa vende, jo më shumë se 27 minuta në ditë.
Një shtet, lulëzoi vetëm nga prodhimi i lojërave për fëmijë, një tjetër u zhvillua për shkak të telefonave celularë, një kamerier kafeneje arriti të bëhet ministër. Anembanë botës janë përhapur restorante të famshëm, të cilët morën famë nga një ushqim i caktuar. Gjithmonë, zanafilla nis me diçka të thjeshtë.
Korrigjimi i qëndrimit që kemi ndaj punës, është garant që të na rrisë efikasitetin, guximin, të na forcojë identitetin, përmirësojë mirëqenien dhe të na shtojë lumturinë.
Çdo individ e ka një energji, të cilën duhet ta provokojë dhe ngacmojë, në të kundërt, i shndërrohet në plogështi dhe depresion.
Problemi nuk qëndron tek pushimi, por nëse mendja jonë merr pushimet.
Përse vallë shpërblimi për një arritje u dashka të jenë disa ditë pushimi më shumë?! E çfarë kuptimi ka pushimi pa punë? Çfarë kuptimi ka çlodhja pa lodhje? Çfarë kuptimi ka jeta, pa një projekt dhe qëllim?
Mëso nga milingona dhe bleta si të mos i injorosh energjitë e tua! Mëso prej tyre si ta vlerësosh punën!
Le ta mësojmë, nëse nuk e dimë, si ta shijojmë punën, si ta bëjmë më tërheqëse dhe të dashur, jo ta shohim si një barrë të rëndë dhe të neveritshme.
Profetët kanë punuar zanate nga më të ndryshmet, përpunim të hekurit, bujqësi, kullotje  bagëtie, punë dore etj…
Në mesin e hoxhallarëve dhe dijetarëve ka pasur kovaçë, leshpunues, zejtarë, çirakë etj…
Gabime ndodhin, vetëm ata që nuk bëjnë asgjë nuk rrëshqasin.
Një nga sekretet e lumturisë së fëmijërisë dhe pafajësisë së saj, janë pikërisht lëvizjet e shumta plot energji, ajo dëshira e papërmbajtur për tu gjendur herë në një vend e herë në një tjetër.
Ti e vret fëmijën kur i kërkon të gozhdohet në një vend, ia ke ndrydhur energjitë e fshehura. Është loja ajo që e aftëson për seriozitet, është argëtimi ai që i fal dashurinë për jetën.
Nuk ka gjë që i bën të shpërthejnë energjitë tona të fshehura, siç është dëshira për të ndihmuar të tjerët.
Që tani, çfarëdo përkufizimi për jetën, duhet të përmbajë konceptin e vullnetarizmit dhe shërbimit komunitar.
Shpirti i iniciativës, fillon që nga largimi i një mbeturine nga rruga dhe vazhdon me shtrimin e rrugëve të suksesit për këdo që e pëlqen këtë linjë, sikur të jemi ne ata që do e korrin këtë sukses.
Tu japësh njerëzve më shumë se sa presin prej teje, do të thotë ti falësh lumturi vetes në radhë të parë, por edhe atyre.
Edhe në çastet e fundit të jetës, duhet të mos mungojë dëshira për punë, edhe pse nuk do i shohësh frytet e saj. Të tjerët mbollën, ti korre, tashmë duhet të mbjellësh që të korrin të tjerët.
Po të mos ishte bashkëpunimi me të tjerët për të përmbushur një qëllim sado i vështirë të jetë, jeta do të na dukej krejt bosh.
Njoh dy burra të moshuar. Njëri prej tyre ka arritur të tetëdhjetat. Sa herë që e takoj, më thotë:”Kjo mund të jetë vizita ime e fundit që bëj tek ferma që e kam mbjellë dhe punuar vetë. Kam marrë fund dhe nuk mund të qëndroj as në këmbë.” Sakaq, tjetri, edhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat dhe vuan nga mosfunksionimi i veshkave, insiston që punët ti bëjë me dorën e tij. Ai shkon në xhami në këmbë, i kërrusur mbi bastunin e tij dhe e refuzon shërbimin që dikush kërkon ti ofrojë.
Energjia është vetë shpirti që kemi në trupin tonë, e nëse e humbasim, përplasemi përtokë, të paaftë për të bërë sado pak.
Çfarë të bëj?
Një urim, një vizitë të një sëmuri, një ngushëllim, një vizitë tek një i afërm, merr pjesë në takimin e lagjes, një aktivitet në shkollë, komuniko nëpërmjet telefonit celular, posto diçka të dobishme në murin tënd në facebook apo twitter, një bisedë të ngrohtë me miq, merru me sport, lexo, debato, shërbeju prindërve, miqve dhe shokëve…
Përse ta bëj?
Që të përmbush veten
Që të shpreh energjitë e mia.
Që të ndjej vlerën e kohës.
Që të ushtrohem me arritjet dhe suksesin.
Që të ndihem i lumtur.
Që të mos ia kem nevojën atyre që më kanë kthyer shpinën.
Që të forcoj identitetin dhe përkatësinë me fenë time, jetën dhe vendlindjen.
Që të gëzoj shëndet të plotë, mendor dhe fizik.
Që të ruaj vitalitetin tim.
Që të plotësoj nevojat e mia.
Mund të shtosh dhe të tjera…
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit