3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dy sprovat kryesore dhe dy forcat përballë tyre

Më të lexuarat

Allahu thotë në Kuran: A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët. (Surja Ankebut, 2-3)

Allahu i Lartësuar na njofton rreth urtësisë së Tij të madhe dhe faktit se kjo urtësi kërkon që Ai t’i verë në provë të gjithë ata që thonë: “Ne besojmë” dhe pretendojnë se janë besimtarë. Ai kurrë nuk do t’i linte pa i provuar me fitne e vështirësi. Ata gjithmonë do të përballen me dyshime e provokime, që do të venë në pikëpyetje imanin e tyre dhe veprat sipas tij. Nëse Zoti nuk do t’i vinte në provë, nuk do të dilnin në pah besimtarët e sinqertë dhe as nuk do të dalloheshin të vërtetët nga gënjeshtarët, atë që mbështesin të vërtetën nga ata që bëhen palë me të kotën.

Ky është një rregull që Ai e ka vendosur ndër të parët dhe të fundit, dhe po kështu edhe në këtë popull. Ai do t’i vërë në provë ata me të mira dhe të këqija, më vështirësi e lehtësi, kur janë plot gjallëri e vullnet dhe kur janë të dobët e të plogësht, kur janë të pasur dhe kur janë të varfër. Ndonjëherë do të lejojë që armiqtë e tyre të kenë forcë dhe epërsi kundër tyre. Ai do t’i shohë si do të luftojnë kundër armiqve me fjalë dhe me vepra, e do t’i vërë të kalojnë shumë e shumë sprova të tjera. Por të gjitha këto sprova mund t’i përmbledhim në dy kryesore:

1. Sprovat e dyshimeve, që rrezikojnë bazat e besimit të njeriut.

2. Epshet, të cilat dëmtojnë qëllimet dhe forcën vepruese të robit për të arritur të mirat. Kështu, njeriu ka nevojë që, gjatë këtyre dy llojeve të fitneve, të ketë dy forca:

– Forcën e diturisë rreth së vërtetës, me të cilën mban të palëkundur imanin kundër dyshimeve.

– Forcën e vullnetit, për të qenë i përmbajtur dhe durimtar kundrejt epsheve e poshtërsive, të cilat e largojnë dhe e pengojnë robin nga zbatimi i urdhëresave të Zotit dhe Profetit të Tij, si edhe e pengojnë që të punojë sipas imanit. Kjo forcë e ndihmon atë që të luftojë kundër epsheve të tij. Kjo forcë shtohet me shtimin e adhurimeve dhe ushtrimin e shpirtit dhe trupit me punë të mira dhe adhurime për Zotin.

Nëse robi i zotëron dhe kultivon këto dy forca, kjo tregon për imanin e tij të saktë dhe korrekt dhe për çiltërsinë në marrëdhëniet me Zotin. Kurse ai që, gjatë furtunës së dyshimeve dhe epsheve, iu dorëzohet atyre, kjo tregon se imani i tij është jo i saktë dhe i mungon sinqeriteti, prandaj duhet të kontrollojë çiltërsinë në marrëdhëniet me Zotin. Në lidhje me këto çështje, njerëzit janë të niveleve nga më të ndryshmet dhe aq të shumta, saqë vetëm Zoti i di.

E lusim Allahun e Madhëruar që të na forcojë me shehadetin në dynja dhe në ahiret dhe të na forcojë këmbët e zemrat tona në fenë e Tij. Sprovat janë për njerëzit, ashtu si testi që i bëhet floririt duke e shkrirë, për të nxjerrë skorjet e mbeturinat prej tij.

Marr nga Tefsiri i shejh Sa’dit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit