0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Dy realitete paralele: përse Jeruzalemi nuk është kryeqytet për Izraelin

Më të lexuarat

Izraeli sapo festoi atë që e quan “Ditën e Jerezalemit”, kur pushtoi Jeruzalemin Lindor në fund të luftës së vitit 1967 me Sirinë, Egjiptin dhe Jordaninë.

Festa e përvitshme është një ditë kur mbështetësit e së djathtës, pjesa më e madhe të rinj izraelitë, marshojnë rreth Qytetit të Vjetër në Jeruzalemin Lindor, duke mbajtur flamuj izraelitë e duke thirrur sllogane raciste anti-palestineze, anti-arabe dhe anti-muslimane.

Disa nga këto brohorima përfshijnë thirrje për vdekjen, shkatërrimin dhe eleminimin e plotë të palestinezëve në Jeruzalem, të tilla si “Vdekje arabëve”. Grupe të mëdha shpesh zhvillojnë parada përmes lagjes muslimane në Qytetin e Vjetër dhe provokojnë banorët duke qëlluar mbi dyqanet dhe shtëpitë palestineze.

Izraeli, që e mori nën kontroll gjysmën perëndimore të Jeruzalemit në luftën e arabo-izraelite të vitit 1948, e kornizon këtë ditë si “ribashkimin” e lindjes dhe perëndimit të kryeqytetit të vet.

Pushtimi i Jeruzalemit Lindor nga ana e Izraelit në fakt e vendos gjithë qytetin nën kontroll de facto. Juridiksioni shtetëror dhe pronësia mbi Jeruzalemin, sidoqoftë, nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Statusi i Jeruzalemit mbetet një nga pikat konfliktuale më të vështira në përpjekjet për zgjidhur konfliktin palestinezo-izraelit.

Pozicioni i komunitetit ndërkombëtar

Sipas planit të OKB-së të vitit 1947 për të ndarë Palestinën historike midis hebrenjve dhe shteteve arabe, Jeruzalemit iu dha një status i veçantë që do të thotë se u vendos nën sovranitetin  dhe kontrollin ndërkombëtar. Statusi special bazohej në rëndësinë fetare të Jeruzalemit për të tre besimet abrahamike.

Në luftën e vitit 1948, pas rekomandimit të OKB-së për të ndarë Palestinën, forcat zioniste morën kontrollin e gjysmës perëndimore të qytetit dhe e deklaruan territorin pjesë të shtetit të tyre.

Gjatë luftës së vitit 1967, Izraeli mori nën kontroll edhe gjysmën lindore të Jeruzalemit, që ishte nën kontrollin jordanez në atë kohë dhe vazhdoi duke e aneksuar atë me shtrirjen e ligjit izraelit, duke e vendosur drejtpërdrejt nën juridiksionin e vet, në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Në vitin 1980, Izraeli miratoi “ligjin e Jeruzalemit”, duke vendosur që “Jeruzalemi, tërësisht dhe i bashkuar, është kryeqyteti i Izraelit”, duke formalizuar në këtë mënyrë aneksimin e pjesës lindore.

Në kundërpërgjigje, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi rezolutën 478 në vitin 1980 ku e shpallte ligjin në fjalë nul.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshi SHBA-në, zyrtarisht e konsideron Jeruzalemin Lindor si territor të pushtuar. Përveç kësaj, asnjë vend në botë nuk njeh ndonjë pjesë të Jeruzalemit, si kryeqytetin e Izraelit, me përjashtim të Rusisë, që ka deklaruar njohjen e Jeruzalemit Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.

Deri tani, të gjitha ambasadat e huaja janë me seli në Tel Aviv.

Aneksimi i paligjshëm i Jeruzalemit Lindor shkel disa parime të ligjit ndërkombëtar, të cilat përcaktojnë se një fuqi pushtuese nuk ka sovranitet mbi territorin e pushtuar.

Palestinezët në Jeruzalem

Pavarësisht aneksimit de facto të Jeruzalemit Lindor, palestinezëve që jetojnë atje nuk u është dhënë shtetësia izraelite.

Sot, rreth 420 mijë palestinezë në Jeruzalemin Lindor kanë “banim të përhershëm” si shënim në kartat e tyre të identitetit. Ata zotërojnë gjithashtu pasaporta të përkohshme jordaneze pa numër identifikimi kombëtar. Kjo do të thotë se ata nuk janë shtetas të plotë jordanezë – ata kanë nevojë për leje pune që të punojnë në Jordani, dhe nuk kanë akses në shërbimet qeveritare e përfitimet e tjera, si mund të jenë tarifat e reduktuara në arsim.

Jeruzalemasit palestinezë në thelb janë pa shtetësi, të ngecur në një limbo legale – ata nuk janë shtetas të Izraelit, po as të Jordanisë apo Palestinës.

Izraeli i trajton palestinezët në Jeruzalemin Lindor si emigrantë të huaj që jetojnë atje si një favor që u është dhënë nga shteti, dhe jo për shkak të së drejtës së tyre, edhe pse janë lindur aty. Atyre u kërkohet të përmbushin një sërë kriteresh për të mbajtur statusin e tyre të qëndrimit dhe jetojnë në frikën e vazhdueshme se kjo e drejtë banimi mund t’u hiqet.

Çdo palestinez që ka jetuar jashtë kufijve të Jeruzalemit për një periudhë të caktuar kohe, nëse ka qenë në një vend të huaj, madje edhe në Bregun Perëndimor, ka mbi vete rrezikun e humbjes së të drejtës për të jetuar aty.

Ata që nuk mund të provojnë se “qendra e jetës së tyre” është në Jeruzalem dhe ata që nuk kanë jetuar aty në mënyrë të vazhdueshme, e humbasin të drejtën për të jetuar në qytetin e lindjes. Ata duhet të plotësojnë me dhjetëra dokumente përfshirë edhe cikërrima, kontrata qirash apo fatura pagesash. Marrja e shtetësisë së një vendi tjetër, gjithashtu çon në heqjen e statusit.

Në të njëjtën kohë, të gjithë hebrenjtë nëpër botë gëzojnë të drejtën për të jetuar në Izrael dhe për të marrë shtetësinë izraelite sipas Ligjit të Kthimit të Izraelit.

Që nga viti 1967, Izraeli u ka hequr statusin 14 mijë palestinezëve, sipas grupit të të drejtave të njeriut izraelit, B’Tselem.

Vendbanimet

Projekti i vendbanimeve izraelite në Jeruzalemin Lindor, që synon në konsolidimin e kontrollit të shtetit mbi këtë qytet, konsiderohet gjithashtu i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar.

Kombet e Bashkuara pohojnë në disa rezoluta se projekti i vendbanimeve është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Konvetën e Katërt të Gjenevës, e cila ndalon një shtet pushtues të transferojë popullsinë e tij në zonat që pushton.

Arsyet pas gjithë kësaj janë disa: për të siguruar se pushtimi është i përkohshëm dhe për të parandaluar që shteti pushtues të vendosë një prani afat-gjatë përmes sundimit ushtarak; për të mbrojtur civilët e pushtuar nga vjedhja e burimeve; për të parandaluar Apartejdin dhe ndryshimet në përbërjen demografike të territorit.

Megjithatë, që prej vitit 1967, Izraeli ka ndërtuar më shumë se dhjetë komplekse për izraelitët hebrenj, të njohura si vendbanime, disa në mes të lagjeve palestineze në Jeruzalemin Lindor.

Rreth 200 mijë izraelitë jetojnë në Jeruzalemin Lindor nën mbrojtjen e policisë dhe ushtrisë, ndërsa kompleksi më i madh strehon 44 mijë izraelitë.

Vendbanime të tilla të fortifikuara, shpesh të shpërndara midis shtëpive palestineze, shkelin lirinë e lëvizjes, privatësinë dhe sigurinë e palestinezëve.

Edhe pse Izraeli e pretendon Jeruzalemin si kryeqytetin e vet të pandashëm, realitetet e atyre që jetojnë në këtë qytet nuk mund të jenë më të ndryshme.

Ndërsa palestinezët jetojnë në kushte të Apartejdit, izraelitët gëzojnë ndjesinë e normalitetit, garantuar nga shteti i tyre.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit