1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

DY FORCA QË DUHEN GJETUR – Nga kuptimet e thella të Ibn Kajjimit

Më të lexuarat



     Njeriu posedon dy lloj forcash, forcën e diturisë dhe njohurive dhe një force praktike dhe aftësinë për të vepruar. Pra dëshirën dhe motivimin për të vepruar. Lumturia e plotë varet nga plotësimi dhe konsolidimi i këtyre  dy lloj forcash.

     Plotësimi i forcës së diturisë vjen veçse duke njohur Krijuesin dhe Sunduesin e botës, duke njohur emrat dhe cilësitë e Tij, duke njohur rrugët që të çojnë tek Ai dhe gjithashtu pengesat që të ndalin në këtë rrugë, duke njohur gjithashtu dhe vetveten, dobësitë dhe mangësitë e saj. E pra nëpermjet këtyre pesë njohurive plotësohet dhe konsolidohet forca e diturisë. Njeriu më i plotë është ai që  është më i ploti në të tilla lloj diturish dhe më i thelluari në fshehtësitë e këtyre njohurive.

   Ndërsa përsa i përket konsolidimit të forcës praktike, pra forcës së dëshirës dhe motivimit për të punuar dhe vepruar, ajo mumd të arrihet veçse duke u kujdesur për të përmbushur hakun e Allahut mbi robin dhe duke e plotësuar atë me sinqeritet, çiltërsi dhe vendosmëri, duke synuar me këto përpjekje të çiltra dhe të sinqerta përmirësimin, rregullimin e mardhënieve me Zotin, por edhe bamirësinë ndaj krijesave dhe duke qënë i kujdesshëm që kurrë të mos dalësh nga pasimi i rrugës së Profetit. Pra të gjithë këtë t’a bësh konform porosive të Profetit ﷺ. Të gjitha këto duhet të bëhen duke vërejtur dhe mbajtur parasysh gjithmonë mirësinë e madhe që Zoti të ka dhuruar nga njëra anë dhe mangësinë tënde të madhe  ne përmbushjen e hakut të Zotit nga ana tjetër.

    Kështu, robi gjithmonë duhet të ndihet i turpëruar që të përballet ose t’i paraqitet Zotit me atë lloj shërbimi dhe ato punë të pakta, sepse ai e di mirë se ato janë shumë e shumë më të pakta se sa në të vërtetë e meriton Zoti që t’i përkushtohesh dhe t’i shërbesh. Robi duhet ta dijë mirë se nuk ka asnjë rrugë dhe mundësi për t’i përmbushur këto dy forca në veten e tij, veçse me ndihmën e ofruar nga Zoti. Pra, ai është i varfër, shumë nevojtar, me një nevojë të domosdoshme e jetike që Zoti ta udhëzojë në rrugën e drejtë, rrugë në të cilën Ai i udhëzoi eulijatë e Tij, të dashurit, të afërtit, të zgjedhurit e Tij dhe që ta ruajë në çdo çast, që kurrë të mos largohet dhe të dalë nga kjo rrugë. Pa dyshim dalja nga rruga ndodh ose për shkak të prishjes së forcës së diturisë dhe kështu robi zhytet në humbje, ose për shkak të prishjes dhe dobësimit të forcës dhe motivimit që ai ka për të punuar me atë dituri dhe kjo do të sillte zemërimin e Zotit mbi robin. Kështu, përsosmëria e njeriut dhe lumturia e tij kurrë nuk mund të arrihet veçse me bashkimin e këtyre dy çështjeve së bashku, të cilat i ka përmendur surja Fatiha dhe i ka sjellë me formën më të përmbledhur dhe më të bukur.

   Kështu nëse shikojmë fjalën e Tij: El hamdu lil-lahi Rab-bil âlemin Er-Rahmanir-Rahim, Maliki Jeumid-din. / Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” Kjo përmban themelin dhe bazën e parë. Pra, njohjen e Zotit të Lartësuar, njohjen e emrave, cilësive, veprave dhe atributeve të Tij. Emrat e përmendura në këtë sure janë themelet bazë të emrave të bukur të Zotit dhe emrat më kryesorë. Pra, është emri Allah, Er-Rab, Er-Rahman. Kështu emri Allah përmban cilësitë e të adhuruarit të Cilin duhet ta duash me gjithë shpirt, ta madhërosh dhe t’i nënshtrohesh. Ndërsa emri Er-Rab përmban cilësitë e ‘Rububijes’ Zotërimit, të Krijimit, Administrimit të çështjeve të krijesave, pronarit të tyre, Sunduesit dhe mbretëruesit mbi krijimin e Tij, mbi të gjitha krijesat. Kurse emri Er-Rahman përmban dhe përfaqëson cilësitë e bamirësisë, bujarisë, dhuratave të shumta që ofron Zoti Mëshirëplotë. E pra, kuptimet e cilësive të Zotit dhe emrave të Tij sillen rreth këtyre çështjeve që u përmendën.

   Nëse shikojmë më pas tek fjala e Allahut: Ij-jake nea’budu ue ij-jâke nesteain / Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë.”, do të kuptojmë që kjo përmban njohjen e rrugës që të çon drejt Tij, rrugë e cila është e ndërtuar veçse mbi adhurimin e sinqertë përkushtuar Zotit, si Një i Vetëm dhe i pashoq, përmes çdo fjale dhe pune, ndjenje dhe besimi që Ai e do dhe është i kënaqur me të. Por, e shoqëruar kjo dhe me kërkimin e ndihmës, shprehjen e varfërisë, mbështetjen e plotë tek Ai, për një përmbushje sa më korrekte e të mirë të adhurimit që Ai kërkon prej teje.

   Ndërsa nëse shikojmë fjalën e Allahut të Lartësuar: Ihdinas-Siratal Mustekim … / Na udhëzo në Rrugën e Drejtë, në rrugën e atyre të cilët Ti i begatove (me mirësi), …”, kjo na jep një mesazh të qartë se robi kurrë nuk mund t’a gjejë rrugën e lumturisë së tij veçse duke qenë i përqëndruar, i paluhatur, i palëkundur në ndjekjen e rrugës së drejtë dhe padyshim që përqëndrimi në rrugën e drejtë nuk mund të arrihet  veçse me udhëzimin e ofruar nga Zoti i Tij. Kështu, mund të them me bindje se, ashtu sikurse robi nuk ka mundësi që t’a adhurojë Zotin, veçse me ndihmën që Zoti i jep atij, po kështu edhe përqendrimi, vazhdimësia i palëkundur në këtë rrugë të drejtë, nuk mund të arrihet ndryshe, por veçse me udhëzimin e ofruar nga Zoti dhe forcën e krijuar dhe ofruar prej Tij.

   Më pas nëse meditojmë në fjalën e Allahut të Lartësuar: Gajril magdubi alejhim ue led-dâl-lin / e jo në rrugën e atyre, që merituan zemërimin (Tënd) dhe as në rrugën e të humburve!”, kjo na qartëson rrugët e humbjes dhe të devijimit nga rruga e drejtë. Ajo na qartëson se devijimi është dy llojesh: Ose devijim duke shkuar drejt humbjes, injorancës e cila përfaqëson në fakt prishjen e forcës së diturisë dhe besimit. Ose mund të jetë devijim në rrugën tjetër të devijimit, e cila të çon drejt zemërimit të Zotit, shkak për të cilën është prishja e forcës së motivit dhe qëllimit të robit si dhe punët e tij të këqija në shpërfillje të udhëzimit të drejtë.

   Kështu fillimi i sures është mëshirë, mesi i saj është udhëzim, dhe fundi i saj është ni’met mirësi e dhuruar nga Zoti dhe begati e ofruar prej Tij. Mund të them me bindje se pjesa e ni’metit mirësisë që do të marë robi është në varësi të masës së udhëzimit që ai do të marrë prej Zotit. Dhe masa e udhëzimit që ai do të marrë nga Zoti është e lidhur ngushtë me mëshirën që ai do të marrë prej Tij. E pra kështu, e gjithë çështja kthehet tek nimeti mirësia dhe rahmeti mëshira e Zotit. Dhe pa dyshim që mirësia, bujaria dhe mëshira e Tij janë pjesë të pandashme dhe të domosdoshme të Rububijes së Tij, pra, faktit që Ai është Zoti, Krijuesi, Ai që kujdeset për robin. Prandaj, si i tillë, Ai nuk mund të jetë veçse Mëshirëplotë, Bamirës, Bujar, përshkrime e cilësi të cilat e bëjnë të detyrueshme që Ai dhe vetëm Ai të jetë i Adhuruari, që të duhet me gjithë shpirt, të madhërohet e t’i nënshtrohesh plotësisht. E pra, Ai është i vetmi i adhuruar me meritë edhe nëse këtë e rrefuzojnë ata që e rrefuzojnë dhe i kthejnë shpinën dhe i largohen idhujtarët e çdo ngjyre.

    Çdokush që i përmbush dhe, para kësaj, i kupton qartë kumtet dhe mesazhet e Fatihasë, në aspektin e diturisë dhe njohurive që ajo ofron, por edhe në aspektin e punëve në të cilat ajo fton dhe udhëzon dhe gjëndjeve që ajo prodhon, ai ka për të fituar dhe arritur përsosmërinë, në nivelet e saj më të larta. Adhurimi i këtij njeriu tashmë do të jetë adhurim i një lloji të veçantë, që ia përkushtojnë Zotit vetëm të zgjedhurit, të cilët qëndrojnë në grada shumë më të larta se gjithë të tjerët që përpiqen ta adhurojnë Atë. Vetëm Allahut i kërkojmë ndihmë dhe mbështetje ta përsosë në zemrat tona, adhurimin ndaj Tij.

/SHKËPUTUR NGA “MEDARIXHUS-SALIKIN” IBNUL KAJJIM/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit