Një liturgji fetare nga disa pelegrinë të Kishës Ortodokse Serbe të udhëhequr nga peshkopi Teodosije, që u mbajt së fundmi në objektin e një strukture të një kishe të papërfunduar në oborrin e kampusit Universitar të Kosovës, shkaktoi shumë reagime ndër strukturat institucionale dhe ato të shoqërisë civile.
Struktura e një kishe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, e cila nuk u përfundua kurrë, u ndërtua në vitet 90-të, pasi autonomia e Kosovës ishte suprimuar nga autoritetet e Serbisë të udhëhequra nga Sllobodan Millosheviq.
Igumeni i manastirit të Deçanit Sava Janjiq, që ishte i pranishëm në lutje e vlerësoi atë si moment të rëndësishëm për të krishterët. Ai shkroi në rrjetin e tij social se “për herë të parë pas vitit 1998, në tempullin e Shpëtimit të Krishtit në qendër të Prishtinës, u shërbye liturgji”. Duke cituar Peshkopin Teodosije që udhëhoqi Liturgjinë, Sava Janjiq, tha se “të krishterët nuk duhet të jenë të pashpresë kur janë në rrezik sepse Zoti u jep forcë”, dhe deklaroi se “ka shumë liturgji që përdoren në tempujt kushtuar ngjitjes, në Moskë, Beograd, Deçani i Lartë, e Prizren”.
“Ky tempull në Prishtinë duhet të jetë tempulli i të gjithëve ne, për të na bashkuar dhe mbledhur këtu në paqe, dashuri dhe harmoni. Po këtu, nga ky vend, dërgojmë mesazh dashurie dhe paqeje ndaj të gjithëve, pavarësisht se kush janë ata njerëz dhe çfarë qëllimi kanë. Duke shërbyer sot në këtë tempull dëshmojmë se kush jemi, kush ishim dhe çfarë duhet të jemi në të ardhmen”, citoi Janjiq, peshkopin Teodosije.
Autoritetet kosovare asnjë informacion
Por mbajtja e liturgjisë fetare në objektin e Kishës në oborrin e Universitetit të Prishtinës u krye pa asnjë informim të mëparshëm tek autoritetet e Kosovës. Këtë e konfirmoi në një reagim të tij, vetë ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku.
Ai tha se “Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”.
“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejt ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, tha ministri Çeku.
Ai theksoi, se “liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional”, por sipas tij, “veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë”.
Opozita kritikon qeverinë
Partitë politike opozitare e akuzuan qeverinë e Kosovës, se ajo “ka qenë e njoftuar”, për mbajtjen e liturgjisë në kishën në oborrin e Universitetit, por nuk ka vepruar që ta parandalojë atë. Enver Hoxhaj, udhëheqës i partisë më të madhe opozitare PDK, shkroi se “me lejimin e mbajtjes së liturgjisë, qeveria lejoi hapjen e temave të reja në dialogun me Serbinë “prandaj, sot fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiqit. Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviqit”, shkroi Hoxhaj.
Edhe aktivistë të shoqërisë civile mbajtjen e liturgjisë në objektin e papërfunduar të Kishës Ortodokse Serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, vetëm pak ditë para rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, e shohin si provokim.