0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Drews: S’ka kompromis për sigurimin e lëvizjes së lirë

Më të lexuarat

Gjakovë, 7 qershor – Gjenerali i KFOR-it, Erhard Drews, ka thënë sot në Gjakovë se nuk do të ketë kompromis sa herë që rrezikohet lëvizja e lirë e qytetarëve, pasi ky është misioni i KFOR-it.

Këto komente Drews i ka bërë me rastin e vizitës që i ka bërë komunës së Gjakovës, duke mbrojtur kështu aksionin e fundit të ushtarakëve të tij, në veri të vendit. Sipas tij aksioni është marrë, pasi ishin shterur mundësitë e tjera.

“Për fat të keq duhet të akuzoj e gjykoj të gjitha ato veprime që kanë ndodhur si kundërreagim ndaj operacionit të KFOR-it. Ka qenë një kundërveprim i një grupi kriminal apo terrorist. Dhe gjithmonë e kam thënë se lëvizja e lirë është misioni i KFOR-it dhe nuk ka kurrfarë kompromisi sa i përket asaj”, tha Drews.

“Dhe mund të them se kemi qenë të durueshëm mjaft dhe kemi biseduar mjaft me zyrtarët e pjesës veriore atje, të cilët i kemi ftuar gjithmonë që t’i largojnë vetë ato barrikada, mirëpo dikur vjen koha kur duhet vepruar dhe ashtu edhe ka ndodhur”, tha më pas ai, duke arsyetuar reagimin e KFOR-it. “Shpresoj se mesazhi ynë ka arritur në cak, se do të jemi të prerë dhe nuk do të tërhiqemi nga detyra jona kryesore që kemi dhe kjo do të qëndrojë edhe në të ardhmen”, pohoi komandanti i KFOR-it.

Drews tha më pas se situata në pjesën veriore tash është e qetë dhe se nuk pret ndonjë përkeqësime të saj. “Tani për tani në pjesën më të madhe është vendosur lëvizja e lirë.

Nuk presim përkeqësim të situatës, ndoshta përmirësime me qëllim që të arrihet një zgjidhje politike në mes të Beogradit e Prishtinës, sigurisht me mbështetjen ndërkombëtare. Por në anën tjetër edhe përmirësime sa u përket raporteve të Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në pjesën veriore”, tha Drews.

Gjenerali i KFOR-it të enjten në Gjakovës është pritur nga kryetari i saj Pal Lekaj.

Ky i fundit tha se me Drews ka biseduar dhe është dakorduar për shumë çështje, sa i përket aeroportit të Gjakovës, zhvillimit ekonomik apo edhe situatës në veri.

Sa i përket Aeroportit të Gjakovës, Drews tha se ai është nën menaxhim të Qeverisë italiane. “KFOR-i do të pranojë dhe respektojë çdo vendim që merret në mes Qeverisë italiane, institucioneve të Kosovës dhe komunës së Gjakovës”, u shpreh ai.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit