Hyseni: Qeveria s’i di procedurat e anëtarësimit në OKB

0
45

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Skënder Hyseni të enjten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës i ka kritikuar paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve, gjatë këtij viti, Kosova mund të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Deputeti Hyseni ka ripërsëritur kritikat e tija në adresë të Qeverisë së Kosovës.

“E para, paralajmërimet bombastike nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në OKB, përkatësisht për aplikim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këto janë paralajmërime shqetësuese, sepse tregojnë dy gjëra. Në esencë se ka gjasa që Qeveria nuk është në dijeni të procedurave të anëtarësimit në OKB dhe dy ka po ashtu përpjekje që Kosova të dërgohet në drejtim të Klubit të Saharës Perëndimore dhe Palestinës”, ka theksuar Hyseni.

Edhe paralajmërimet që Qeveria mund të aplikoj për status vëzhguesi, sipas ish-ministrit të Jashtëm, janë edhe më të dëmshme dhe më të rrezikshme, sepse Kosovën drejt për së drejt e çojnë në drejtim të klubit ose vendeve të entiteteve pa identitet ose me gjysmë identitet si; Saharaja Perëndimore dhe Palestina.

Gjithashtu, Hyseni ka kritikuar edhe kryeministrin e vendit, i cili, sipas tij, luftës në Kosovës po i referohet si një konflikti të thjeshtë ndëretnik. Kjo, sipas tij, është e dëmshme, sepse në Kosovë ka pas luftë.

“T’u marr shkas nga një editorial i kryeministrit këto ditë, ku disa përplasjeve gjatë luftës në Kosovë u referohet si konflikte ndëretnike ka përpjekje që edhe lufta e Kosovës të prezantohet të përshkruhet si konflikt të fërkimeve ndëretnike ku gjithë janë barabartë. Kjo është koleg të nderuar deputet e keqe, kjo qon kah një sklerozë totale kolektive që është e dëmshme për Kosovën. Në Kosovë ka pas një luftë të egër të të sunduarit me sunduesit”, ka thënë Hyseni, njofton KosovaPress.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës janë ngritur edhe disa çështje tjera, si mungesa e Ligjit të amnistisë, pagesa e sigurimit të automjeteve për qytetarët e Luginës së Preshevës etj. /Telegrafi/kohaislame