Zoti e krijoi njeriun nga toka dhe jeta e tij në të, do të zhvillohej sipas natyrës dhe mjedisit të saj, gjithmonë duke pasur si udhërrëfyes moral, parimet që vetë Krijuesi i ka dhënë vazhdimisht njerëzimit. Por, sigurisht, jeta në këtë botë ka kufizimet, sfidat dhe problemet e saj, të cilat lidhen nga njëra anë me natyrën e vetë kësaj bote dhe limitet e saj, dhe nga ana tjetër lidhet me qëllimin e sprovës, për të cilën Zoti e krijoi këtë botë. Duke qenë e tillë, ajo është krijuar që të mund t’i ofrojë njerëzimit një jetë materiale që përmbush nevojat e tij jetike të përkohshme dhe ndërkohë, ajo që kërkohet nga njeriu, është të përmbushë përgjegjësinë e të qenit mëkëmbës i saj, duke njohur dhe adhuruar Zotin, si dhe duke mbajtur drejtësi në të.
Por ndërkaq, njeriu me ëndrrat, pasionet, dëshirat dhe epshet e tij mëkatare, ka tentuar ta përshtatë jetën e tij në këtë botë sipas këtyre tekave, duke kapërcyer limitet e saj natyrale dhe duke shkelur mbi parimet hyjnore, për të cilat është përgjegjës t’i përmbushë. Si rezultat, në këtë botë, për shkak të mëkatit të njeriut, janë shfaqur çrregullime natyrore dhe sociale, duke e bërë këtë botë në mjaft raste dhe për shumë njerëz, të papërshtatshme për të jetuar.
Tentativat për të përmirësuar këtë realitet njerëzor kanë qenë të shumta, të motivuara nga parimet fetare, por edhe nga utopitë dhe dëshirat njerëzore. Epoka moderne dëshmoi planet dhe përpjekjet më ekstreme për përmirësimin e kësaj bote, nëse e marrim të mirëqenë nijetin se ishte i tillë dhe jo egoizëm i njëanshëm, i kamufluar pas pretendimit për përmirësim. Por duke qenë se këto plane dhe përpjekje kishin gjithmonë mangësi në njërën ose të dyja anët e kësaj bote, që përmendëm më sipër, atëherë është e kuptueshme që përpjekjet për përmirësimin e saj të jenë të dështuara, madje duke krijuar probleme të reja dhe kërkuar të pamundurën nga kjo botë dhe në këtë botë.
Pothuajse të gjitha këto përpjekje e shohin botën me sy të njëanshëm dhe shpesh i thjeshtojnë problemet e saj në pikëpamje të ngushta, si dhe e reduktojnë kompleksitetin e jetës njerëzore në absurditete të çuditshme.
Kështu, sipas një pikëpamjeje tashmë të njohur evolucioniste, historia njerëzore klasifikohet në mënyrë të çuditshme në terma politikë të pushtetit gjinor. Sipas këtij botëvështrimi, njeriu “primitiv” dikur sundohej nga femra, apo nga gruaja nënë, ndaj dhe këtë periudhë e kanë quajtur si ‘matriarkat’. Më pas, kjo periudhë në mënyrë përsëri të çuditshme -sipas kësaj pikëpamjeje- u përmbys nga ‘patriarkati’, pra, nga sundimi politik i mashkullit, apo burrit baba.
Studimet e vazhdueshme të shoqërisë njerëzore deri më sot, si në arkeologji, ashtu edhe në antropologji, e kanë hedhur poshtë të ashtuquajturën periudhë ‘matriarkati’ dhe disa madje e quajnë pikëpamje të diskredituar ose edhe mit. Por pavarësisht kësaj të vërtete, joshja tërheqëse që ushtron kjo pikëpamje për lëvizjet feministe është akoma e madhe.
Duke e konsideruar për të vërtetë këtë zhvendosje të pushtetit gjinor nga femra tek mashkulli, apo nga gruaja tek burri, lëvizjet feministe pretendojnë se gati të gjitha ligësitë, luftërat, shkatërrimet, pabarazitë, padrejtësitë dhe problemet që ka shoqëria njerëzore, janë pikërisht produkt i egoizmit dhe epshit mashkullor për të sunduar mbi femrën, duke e shtypur dhe shfrytëzuar atë! Sipas tyre, ky sundim vazhdon akoma, dhe derisa kjo të përmbyset, apo burrat dhe gratë të jenë plotësisht të barabartë në çdo gjë, edhe në çështjet e pushtetit politik e social, problemet do të vazhdojnë!
Duke qenë se realiteti i sotëm dhe mijëravjeçar -sipas tyre- është produkt kulturor historik dhe jo i natyrshëm, atëherë ai duhet zhbërë në të njëjtën mënyrë si u krijua, pra, përmes ndryshimeve dhe reformave konceptuale dhe sociale. Teoritë gjinore të sotme dhe agjendat politike dhe sociale të tyre, kanë arritur kulmin e fuqisë së imponimit të këtij absurditeti, që na shitet për shkencë dhe si çelësi magjik që do të përmirësojë shoqërinë njerëzore në mbarë botën!
Zoti i ka krijuar njerëzit meshkuj dhe femra, të barabartë në dinjitetin dhe vlerën e tyre, por të ndryshëm në rolet e tyre shoqërore, në mënyrë që jeta njerëzore të ruajë ekuilibrin e saj natyror në këtë botë dhe t’i përshtatet asaj më së miri. Kjo është e vërteta. Ama nëse përcaktimet ‘patriarkat’ dhe ‘matriarkat’ kërkojnë të identifikojnë të pavërteta historike, duke krijuar përshtypje të gabuara të sundimit zullumqar politik të njërës gjini dhe shfrytëzimit e shtypjes së gjinisë tjetër, atëherë duhen refuzuar dhe nuk duhen përdorur, sepse nxisin vetvetiu smirën dhe konfliktin gjinor. Kështu që nga ky këndvështrim, nuk ka pasur as “patriarkat” dhe as “matriarkat”, por ka pasur meshkuj e femra që kanë jetuar në mënyrë të natyrshme, secili në rolin e vet shoqëror, sigurisht, duke shfaqur herë pas here edhe probleme dhe padrejtësi nga më i forti ndaj më të dobëtit, pavarësisht gjinisë së njërit apo tjetrit.
Ndërkohë, edhe pse sot nuk është në modë, sepse dominohemi intelektualisht nga pikëpamje feministe, për ironi të kësaj pikëpamjeje, ka pasur edhe këndvështrime të thjeshtëzuara të kundërta, ku pretendohet madje, se është femra ajo që e ka skllavëruar mashkullin ndër shekuj në histori!
Në vitin 1971, u botua libri “Burri i Manipuluar” (Der Dressierte Mann) nga Esther Vilar. Autorja është një femër, që për çudi i kundërvihet feminizmit, duke argumentuar se, në kundërshtim me retorikën e zakonshme feministe dhe për të drejtat e grave, gratë në kulturat e industrializuara nuk janë të shtypura, por përkundrazi, shfrytëzojnë një sistem të mirë-krijuar të manipulimit të burrave. Në kopertinën e botimit anglisht, e gjithë ideja e librit përmblidhet në këtë citim: “Burrat janë trajnuar dhe kushtëzuar nga gratë, aspak ndryshe nga mënyra se si Pavlovi i kushtëzoi qentë e tij, për t’u bërë skllevër të tyre.” Si kompensim për punën e tyre, burrave u lejohet përdorimi periodik i organit gjenital të gruas.
Vilar argumenton se burrat janë rritur për të qenë të bindur dhe vetëmohues, duke besuar se ata duhet t’i mbrojnë gratë me çdo kusht. Gratë, nga ana tjetër, mësohen të shfrytëzojnë këtë varësi, duke luajtur rolin e krijesave të pafuqishme dhe të nënshtruara, duke i inkurajuar burrat që t’iu shërbejnë tekave të tyre. Po ashtu, Vilar argumenton se burrat mësohen të jenë të nënshtruar ndaj grave, t’i vendosin nevojat e grave mbi të vetat dhe të shtypin emocionet e tyre, në mënyrë që të përmbushin pritshmëritë e shoqërisë. Gratë, nga ana tjetër, mësohen të jenë pasive dhe të varura nga burrat, duke përdorur dobësinë e tyre të perceptuar, për të manipuluar burrat për t’i shërbyer çdo dëshire të tyre.
Vilar në libër bazohet në shembuj nga letërsia, mitologjia dhe kultura popullore për të ilustruar idetë e saj. Ajo, gjithashtu, paraqet të dhëna statistikore për të mbështetur argumentet e saj, të tilla si fakti se burrat përbëjnë shumicën e vdekjeve në vendet e punës dhe se burrat kanë më shumë gjasa të vdesin nga vetëvrasja sesa gratë.
Autorja thotë se përkufizimet dhe normat shoqërore, si ideja se gratë janë të dobëta, janë ndërtuar nga gratë, duke pasur parasysh nevojat e tyre. Vilar shpjegon se si funksionon kjo: nëse gratë shihen si të dobëta, pritet më pak prej tyre; dhe për këtë arsye, atyre u jepet më shumë liri veprimi në shoqëri sesa burrat. Vilar deklaron se gratë në përgjithësi janë “gold diggers”, duke u përpjekur të nxjerrin para dhe përfitime të tjera materiale nga burrat. Një mjet, me të cilin gratë kontrollojnë burrat për të realizuar këtë përvetësim përfitimesh është lavdërimi. Gratë i lavdërojnë burrat vetëm kur nevojat e tyre plotësohen në një farë mënyre. Një mjet tjetër manipulimi është përdorimi i përllogaritur i shfaqjeve emocionale. Vilar pretendon se gratë mund të kontrollojnë reagimet e tyre emocionale, ndërsa burrat nuk munden, dhe se gratë krijojnë reagime emocionale tepër të dramatizuara për të arritur synimin e tyre, kështu që ato i “shantazhojnë” burrat emocionalisht. Gratë, gjithashtu, përdorin seksin si një mjet manipulimi dhe kontrolli, por edhe konceptet tradicionale të dashurisë dhe romancës, të cilat shihen më pozitivisht se seksi, për të kontrolluar jetën seksuale të meshkujve. Vilar shkruan se burrat nuk përfitojnë asgjë nga martesa dhe se gratë i detyrojnë ata përmes martesës, duke pretenduar se kjo i plotëson dëshirat e tyre romantike. Libri mbyllet duke thënë se do të ishte e vështirë të ndryshohej situata duke u bërë thirrje grave, pasi gratë nuk janë dashamirëse ndaj gjendjes së vështirë të burrave dhe nuk dëshirojnë të heqin dorë nga pozicioni i tyre i rehatshëm në shoqëri. Iu takon burrave të shohin të kaluarën e mashtrimit dhe shantazhin emocional dhe t’i nënshtrohen kritikave të hapura, përpara se të ndodhë ndonjë ndryshim domethënës.
Në thelb, edhe kjo pikëpamje nuk ndryshon nga feminizmi, sepse e shikon rolin e mashkullit dhe të femrës në shoqëri si diçka fluide, të konstruktuar nga shoqëria e kultura dhe të ndryshueshëm, ndaj dhe disa e kanë konsideruar autoren si ikonë të feminizmit!
Sigurisht që këtë qasje nuk e sollëm këtu për ta miratuar, aspak, por për të thënë se qasjet e gabuara, sado vërtetësi që të kenë, kur janë të thjeshtëzuara dhe të njëanshme, do të prodhojnë qasje të kundërta, sepse ekstremi përgjithësisht pjell ekstreme, si në ide, ashtu edhe në sjellje. Ndaj, njerëzit duhet të ruajnë të mesmen e natyrshme, në të cilën i ka krijuar Zoti, që sigurisht nuk është një e mesme matematike mes dy ekstremeve, por e mesme e trashëguar dhe e ruajtur nga parimet fetare dhe nga natyra, me të cilën jemi krijuar.
Duke lexuar librin “Njeriu, kjo qenie e panjohur” të mjekut nobelist Alexis Carrel, na tërhoqën vëmendjen këto fjalë të tij, që shpjegojnë më së miri se dallimet biologjike seksuale mes mashkullit dhe femrës, kanë rol vendimtar edhe në formësimin e rolit social të secilit, duke hedhur poshtë kështu ideologjitë që pretendojnë se këto role janë kryekëput konstrukte sociale dhe kulturore.
Ai thotë:
“Gjëndrat seksuale nuk janë vetëm një shtysë që shtyjnë të kryhet gjesti që, në jetën primitive, përjetësonte racën, por i intensifikojnë edhe veprimtaritë tona fiziologjike, mendore dhe shpirtërore. Nuk ka pasur kurrë midis eunukëve as filozofë të mëdhenj, as shkencëtarë të mëdhenj dhe as keqbërës të mëdhenj. Testikujt dhe vezoret kanë funksione shumë të gjera. Nëse, para së gjithash, janë origjina e qelizave riprodhuese mashkullore dhe femërore që në të njëjtën kohë sekretojnë edhe lëndë që derdhen në gjak dhe që u ngulitin indeve, organeve dhe inteligjencës tiparet e burrërisë dhe femërisë, nga ana tjetër u japin të gjitha funksioneve tona një karakter të veçantë intensiteti afektiv. Testikujt gjenerojnë guximin, dhunën, egërsinë, tipare që e dallojnë demin e luftimit nga kau që tërheq parmendën. Vezorja ushtron mbi gruan një ndikim të ngjashëm, por ajo vepron vetëm gjatë një periudhe të kufizuar të jetës; kur vjen menopauza, atrofizohet…
Ndryshimet midis burrit dhe gruas nuk shkaktohen thjesht nga trajta e veçantë e organeve seksuale, nga prania e mitrës, nga barra dhe nga sistemi i edukimit. Ato burojnë nga një shkak mjaft i thellë, nga përvetësimi prej tërë organizmit i lëndëve kimike të prodhuara nga gjëndrat seksuale. Mosnjohja e këtyre fakteve thelbësore i ka shtyrë nismëtarët e feminizmit të mendojnë se të dyja gjinitë mund të kenë të njëjtin edukim, të njëjtat punë, të njëjtat mundësi, të njëjtat përgjegjësi. Në të vërtetë, gruaja ndryshon shumë prej burrit; çdo qelizë e trupit të saj, çdo organ i saj dhe para së gjithash sistemi nervor, bartin gjurmët e gjinisë së saj.6 Ligjet fiziologjike janë të prera, sikurse edhe ligjet e botës siderale; ato nuk mund të zëvendësohen nga dëshirat e njeriut dhe ne jemi të detyruar t’i pranojmë siç janë. Gratë duhet t’i zhvillojnë prirjet e tyre sipas natyrës, pa dashur të imitojnë burrat; detyra e tyre në procesin e përparimit shoqëror është më e lartë se ajo e mashkullit dhe ato nuk duhet ta braktisin atë.” (f. 91-92)
Alexis Carrel thotë gjithashtu:
“Mund të thuhet se femrat, të paktën ndër gjitarët, mbërrijnë zhvillimin e tyre të plotë vetëm mbas një apo më shumë shtatzënive; gratë që nuk kanë fëmijë janë më pak të ekuilibruara dhe më nervoze. Me një fjalë, prania e fetusit, indet e të cilit ndryshojnë nga ato të mëmës sepse janë më të rinj dhe mbi të gjitha, sepse pjesërisht rrjedhin nga babai, vepron thellësisht te gruaja; përgjithësisht nuk njihet rëndësia që ka për gruan funksioni i lindjes, që është i nevojshëm për një zhvillim më të mirë të saj. Pra, është absurde ta largosh gruan nga amësia. Nuk u duhet dhënë vajzave e njëjta edukatë intelektuale, e njëjta mënyrë jetese, i njëjti ideal si djemve.
Edukuesit duhet t’i kenë parasysh ndryshimet organike dhe mendore mes mashkullit dhe femrës dhe detyrën e tyre të natyrshme; midis dy gjinive ka ndryshime të papajtueshme, të cilat duhen mbajtur fort mirë parasysh në procesin e ndërtimit të botës së re.” (f. 94)
Si përfundim, mund të themi se shoqëria e sotme shekullare moderne nuk është produkt i ndonjë determinizmi të pashmangshëm të evoluimit social, si e tillë, ajo mund të ndryshojë dhe është e kthyeshme, në një formë ose në një tjetër, në shoqëri më të mira ose më të këqija, ndaj është e nevojshme të zhbëhet miti i progresit të pandalshëm drejt së mirës, jo vetëm sepse realiteti tregoi se ai nuk është i pamanipulueshëm nga ligësitë e njerëzve, por është edhe i paparashikueshëm për pasojat ekstreme që mund të sjellë. Si i tillë, modernizimi shekullarist me pasojat e tij negative është i shmangshëm, i rezistueshëm dhe i kthyeshëm. Sigurisht me dhimbje dhe vështirësi, por rrugë tjetër nuk ka.
Justinian Topulli