1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Drejtësi për të gjithë – Justian Topulli

Më të lexuarat

Historia e Profetit tonë na tregon se, ai dhe shokët e tij vuajtën shumë nga persekutimi i idhujtarëve mekas. Ata i vranë, i grabitën, shpifën për të dhe bënë çfarë mundën kundër tyre. Për sa kohë ishin të dobët, Allahu i urdhëroi besimtarët të ishin durimtarë dhe të mos ndërmerrnin asnjë veprim force.
Ndërkohë, kur situata ndryshoi në favor të besimtarëve, Ai i urdhëroi të ishin të drejtë dhe të mos kalonin në agresion e padrejtësi. Allahu thotë për këtë në Kuran, në suren el-Maide ajeti 2:
“Dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj atyre njerëzve që iu penguan nga Xhamia e Shenjtë, që të silleni në mënyrë të padrejtë kundër
tyre!”
Ai iu kujton atyre se çfarë u kishin bërë idhujtarët, por ndërkohë, pavarësisht kësaj, i obligon të jenë të drejtë kundrejt tyre, sepse urrejtja vetvetiu i bën njerëzit që ta kalojnë masën dhe të bien në padrejtësi. Por Zoti nuk mjaftohet me kaq, por e detajon këtë, duke thënë se besimtari gjithmonë duhet të jetë i devotshëm dhe i gatshëm të bashkëpunojë për atë që është e mirë, ndaj dhe thotë:
“Ndihmojeni njëri-tjetrin në të mira e në devotshmëri dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe e armiqësi! Kijeni frikë Allahun, sepse Allahu është ndëshkues i rreptë!”
Pra, kini frikë Zotin dhe mos u bëni padrejtësi, qoftë edhe armiqve tuaj që ju i urreni dhe kanë qenë të padrejtë me ju.
Në të njëjtën sure, disa ajete më pas, Allahu shprehet përsëri për të njëjtën temë, duke thënë:
“… dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni
drejtësisë! Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, dhe kijeni frikë Allahun! Pa dyshim, Allahu e di me hollësi gjithçka që bëni ju.”
Sikur një ajet i vetëm të ishte, ai do të mjaftonte, por fakti që brenda pak ajeteve, Zoti e përsërit të njëjtën gjë me shprehje të ndryshme, tregon se sa e rëndësishme është të jesh i drejtë edhe me armikun, për vetë faktin se njeriu është pothuajse gjithmonë i prirur t’i kundërpërgjigjet armikut më egër dhe më ashpër, duke e tejkaluar masën, dhe për shkak të urrejtjes ai bëhet i padrejtë. Por Zoti e urren padrejtësinë, ndaj cilitdo qoftë kjo, qoftë edhe ndaj armikut tënd më të egër.
Të jesh i drejtë është pjesë thelbësore e devotshmërisë së një besimtari dhe sprova e vërtetë është pikërisht, kur ti si besimtar tregohesh i drejtë, edhe me armikun tënd më të egër.
Profeti i dëboi nga Medina të tria fiset jehude, njëri pas tjetrit, pasi ata thyen marrëveshjen që kishin me të dhe e tradhëtuan. Por ne e dimë se kur ai ndërroi jetë, mburojën e tij e kishte lënë si peng pagese tek një jehudi, të cilit i kishte huazuar një sasi drithi për t’u ushqyer. Ne e dimë po ashtu, se ai kishte një jehudi fqinj, djalin e të cilit e vizitoi kur ai dergjej i sëmurë në agoninë e vdekjes, si dhe shembuj të tjerë, që tregojnë se Profeti i Zotit dinte të bënte dallim mes zullumqarëve e tradhëtarëve dhe njerëzve të tjerë, që edhe pse i përkisnin të njëjtës fe apo etni, ai nuk i hynte në hak askujt dhe sillej me drejtësi me të gjithë, duke i dhënë hakun gjithësecilit.
Nisur nga ky parim madhor i Islamit, ajo që shohim këto ditë nga komente apo statuse nga disa muslimanë që e kalojnë cakun e drejtësisë karshi jehudëve, sigurisht të irrituar nga krimet që po ndodhin në Gaza, është e papranueshme dhe e padrejtë fetarisht.
Së pari, duhet bërë dallim mes jehudëve si njerëz që besojnë tek Musai dhe Teurati e që kanë si fe të tyre judaizmin dhe sionistëve. Jo të gjithë hebrenjtë janë sionistë, ndërkohë që sionistë ka edhe të tjerë që nuk janë fare as izraelitë dhe as jehudi, por mund të jenë pa fe ose kanë një fe të caktuar.
Së dyti, krimet e nazizmit dhe genocidi që Hitleri bëri ndaj hebrenjve janë makabritete monstruoze, që nuk kanë lidhje me muslimanët as fetarisht dhe as historikisht, dhe muslimanët e dënojnë atë akt dhe as i lidh me të asgjë, sepse ai ishte një barbari që bie ndesh me parimet e fesë sonë.
Së treti, ne dënojmë krimet në Gaza dhe bëjmë përgjegjës për këtë, shtetin sionist dhe politikat e tij kriminale dhe raciste karshi palestinezëve, grabitjen e pronës së banorëve autoktonë, shkeljen e ligjit ndërkombëtar, mos respektimin e rezolutave të OKB-së, etj.
Së fundi, beteja jonë morale në këtë rast është me krimin dhe aktorët e tij dhe jo me çdo njeri, pavarësisht fesë apo etnisë dhe kombësisë së tij.
“…dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj të tjerëve e t’i shmangeni
drejtësië! Jini të drejtë, sepse kjo është afër devotshmërisë!”

Justian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit