Rama, një ditë pas shfrimit në Bruksel: Kush po ja shpëton fytyrën Bullgarisë
Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten për heqjen e vetos për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke i hapur rrugën heqjes së bllokadës ndaj Shkupit por dhe ndaj Tiranës, pasi dy vendet trajtoheshin bashkë.
“Vendimi u miratua me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenime”, tha Atanas Atanasov, nënkryetar i Kuvendit.
Deputetët votuan që qeveria të heqë veton e vendosur në vitin 2020 nga korniza e negociatave, raporton Reuters.
Me këtë vendim të Kuvendit pranohet propozimi i presidencës franceze të BE-së për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Anëtari i BE-së, Bullgaria vuri veton ndaj bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut atë vit për një mosmarrëveshje historie dhe gjuhësore.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov, qeverisë së të cilit i është dhënë një votë mosbesimi, tha të enjten në Bruksel se nuk kishte asnjë perspektivë për të zhbllokuar hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut në samitin e BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të arrihet në ditët e ardhshme.
Maqedonia e Veriut ka 17 vjet statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe iu dha drita jeshile për fillimin e negociatave në vitin 2020, por ende jo data, kujton AP.
Kryeministri Rama, njeriu që lëshoi rrufe një ditë më parë në Bruksel, si ndaj BE-së e si ndaj Bullgarisë, reagoi menjëherë: “Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”. /tesheshi.com/