5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Moska: BE dhe NATO po mbledhin vendet “për luftë” me Rusinë

Më të lexuarat

Shefi i diplomacisë ruse tha se situata i kujton gjendjen e punëve para Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri bashkoi shumicën e vendeve evropiane për një luftë kundër Bashkimit Sovjetik

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, duke komentuar dhënien e statusit vende kandidate për në Bashkimin Evropian (BE), Ukrainës dhe Moldavisë, ka deklaruar se blloku evropian dhe NATO-ja po mbledhin një koalicion për luftë me Moskën, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Baku pas një takimi me homologun e tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, shefi i diplomacisë ruse tha se situata i kujton gjendjen e punëve para Luftës së Dytë Botërore, kur Hitleri bashkoi shumicën e vendeve evropiane për një luftë kundër Bashkimit Sovjetik.

“Kur Lufta e Dytë Botërore do të fillonte, Hitleri mblodhi shumicën e vendeve evropiane nën flamujt e tij. Tani, BE-ja dhe NATO-ja gjithashtu po mbledhin të njëjtin koalicion modern për luftën dhe në përgjithësi për luftë me Federatën Ruse. Të gjitha këto do t’i vështrojmë me shumë kujdes”, tha Lavrov.

Më pas, ai njoftoi takimin e dytë dypalësh për përcaktimin e kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, që do të zhvillohet në Moskë.

Sipas ministrit rus, të dyja palët konfirmuan gatishmërinë e tyre për të punuar mbi këtë çështje, duke e konsideruar atë shumë të rëndësishme për fazën aktuale të zgjidhjes.

“Ky takim është rënë dakord të zhvillohet në Moskë dhe aktualisht jemi duke përzgjedhur datat që do të ishin të përshtatshme për të dyja palët”, tha ai.

Lavrov po ashtu përsëriti gatishmërinë e Rusisë për të kontribuar në nënshkrimin e një traktati të paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, si dhe mbështeti idenë e bashkëpunimit në një format ‘3+3’ në Kaukazin e Jugut, që përfshin Armeninë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, si dhe tre “fqinjët” e tyre, Rusinë, Turqinë dhe Iranin.

I pyetur për dhënien e statusit kandidat për në BE, Ukrainës dhe Moldavisë, Lavrov tha se ndryshe nga NATO-ja, blloku evropian nuk është një organizatë ushtarake dhe kështu anëtarësimi në këtë strukturë nuk përbën kërcënim për Rusinë.

Por Lavrov po ashtu theksoi se Moska ka ndjekur hapat e BE-së dhe dyshon se “politika rusofobike” e bllokut do të zhduket së shpejti.

Bayramov, nga ana e tij, tha se prioriteti i Azerbajxhanit është normalizimi dhe paqja afatgjate në rajon dhe se ky proces nuk mund të “mbahet peng” i Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) mbi Karabakun, i cili aktualisht nuk ekziston.

Sipas ministrit azerbajxhanas, Grupi i Minskut, një organ nën OSBE-n, u ngarkua rreth tre dekada më parë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Karabakut, por nuk ka arritur rezultat në pothuajse tre dekada.

Grupi i Minskut, i bashkë-kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-ja, u formua më 24 mars të vitit 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani nuk ka arritur rezultat. Bashkëkryetarët e Grupit të Minskut, të cilët vizituan të dy vendet në mënyrë periodike dhe u takuan me autoritetet, nuk bënë asgjë më shumë se sa çdo herë paralajmëronin palët për t’iu përmbajtur armëpushimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit