0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dita Ashurasë; Ditë optimizmi, për rënien e tiranëve

Më të lexuarat

Nga: ardhmeria

Dita Ashurasë; Ditë optimizmi, për rënien e tiranëve

Dr. Atija Fejjad, profesor i fikhut krahasuar në Ez’her
 
Trasnmeton imam Buhariu nga Abdullah ibnu Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ta, se kur i dërguari i Zotit a.s mbërriti në Medine, konstatoi se hebrenjtë agjëronin ditën e Ashurasë. Ai i pyeti mbi shkakun dhe ata i thanë:”Kjo është ditë e madhe, pasi në këtë ditë, Zoti shpëtoi Musain a.s dhe popullin e tij nga faraoni. Këtë ditë e ka agjëruar dhe Musai a.s – sakaq imam Muslimi shton – si shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit të lartësuar. Prandaj dhe neve e agjërojmë.” Në një transmetim tjetër të Buhariut, thuhet:”Ne e agjërojmë këtë ditë për të shprehur madhështinë e saj.”
Kur i dëgjoi Profeti a.s, tha:”Ne e meritojmë Musain më shumë. Mandej, ai vetë e agjëroi këtë ditë dhe i urdhëroi myslimanët e tjerë ta agjërojnë.”
Në një transmetim të Muslimit, thuhet:”Kjo është një ditë e madhe, në të cilën Zoti shpëtoi Musanë a.s me popullin e tij dhe mbyti faraonin me ushtrinë e tij.”
Hadithet e sakta, të  cituara me këtë rast, janë shkaku i përligjjes së agjërimit të kësaj dite. Agjërimi i Ashurasë bëhet si shenjë mirënjohje dhe falënderimi për Zotin, i cili shkatërroi zullumqarin më të madh, faraonin, sakaq, shpëtoi Musain a.s dhe ata që i besuan nga Benu Israilët. Kjo ditë e meriton të madhërohet dhe të përjetësohet me agjërim dhe mirënjohje për Zotin e lartësuar.
Kjo ndodhi dhe të tjera të shumta në Kuran, ku ceket shkatërrimi dhe ndëshkimi i rëndë i tiranëve, është tregues se ndëshkimi i tyre nuk ka përse të kalojë si një ngjarje normale, e cila duhet harruar me kalimin e viteve. Islami e thekson këtë ngjarje, si një ditë të rëndësishme, të paharrueshme dhe të shenjtë, e cila duhet të memorizohet në kujtesën e umetit dhe të mos harrohet. Është pikërisht ky mesazhi që Zoti kërkon të përcjellë në fund të ajeteve që flasin për ndëshkimin e faraonit, popullit të Nuhut, Adit, Themudit, Lutit etj…, ku thotë”Sigurisht që këtu ka shenja, por shumica e tyre nuk besojnë.” (Shuara, 8)
Ky ajet citohet në çdo ndodhi dhe histori që ka përfunduar me ndëshkimin e zullumqarëve. Lidhur me ndëshkimin e popullit të Lutit, Zoti i lartësuar thotë:” Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.” (Hud, 82)
“Këto janë njëmend shenja bindëse për ata, që i kuptojnë ato. Qyteti i rrënuar është në rrugë, ku gjendet edhe tani. Kjo është vërtet treguese për besimtarët.” (Hixhr, 75-77)
 
Përjetësimi i rënies së tiranëve
Përjetësimi i rënies dhe ndëshkimit të tiranëve, përcjell mesazhe të rëndësishme për të gjithë tiranët dhe xhelatët e çdo kohe dhe vendi, se Zoti i afatizon por nuk i harron, se pallatet dhe kalatë e sofistikuara, do t’ju bien kokës, duke u shndërruar në varret e tyre. Megjithatë, mësimi më i madh dhe konkluzioni më i rëndësishëm, shërben për njerëzit e shtypur, ata që u është bërë padrejtësi; Që Zoti e mban premtimin e Tij; se e drejta dhe ndihma e Zotit do të jetë në krahun e besimtarëve dhe robërve të Tij dhe se atyre do u jepet vendi që u takon. Ndëshkimi dhe shkatërrimi i tiranëve dhe shtypësve, i qetëson njerëzit e shtypur dhe ua ngroh atyre zemrat.
Tekstet e përmendura, me të cilat u jepet zemër besimtarëve dhe nxiten për durim dhe shpresë, larg demoralizimit dhe këputjes së shpresës nga ndihma e Zotit, citohen (në arabisht) të shoqëruara me pjesëza përforcuese, si:
“Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” (Nur, 47)  “Betohem në erërat që çojnë (pluhurin) dhe në retë e ngarkuara rëndë dhe në ato që lundrojnë lehtë dhe në engjëjt që shpërndajnë urdhrat se, me të vërtetë, është e sigurt ajo që ju premtohet dhe çdo shpërblim e dënim do të ndodhë!” (Dharijat, 1-6)
“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri.” (Nur, 55)
Këto vargje të përsosura dhe tepër të qarta, sikur u drejtohen shpirtrave të demoralizuar, atyre që ndihen të thyer moralisht nga zgjedha e zullumqarëve dhe tiranëve, pa pasur mundësi të shohin një fije shprese para syve dhe as një rreze drite e cila u rrëfen shtegun dhe  rrugën e dritës. Ato u drejtohen të gjithë atyre njerëzve, të cilët nuk konstatojnë gjë tjetër përveç zullumeve dhe kryeneçësisë së qeveritarëve e politikanëve të korruptuar, flotat dhe armatat e të cilëve shëtisin dete e oqeane, për të përhapur frikë e panik. Vargjet u drejtohen të gjithë atyre njerëzve të pafuqishëm, të cilët natë e ditë gjendet nën presionin e ligjeve të rrepta të cilat ndëshkojnë e vrasin, si dhe organeve ndëshkuese dhe mediave të fuqishme, të cilat me propagandën e tyre nënshtrojnë njerëzimin për të qenë kokulur.
“Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (Kasas, 4)
Me premtimet e njëpasnjëshme dhe me pjesëzat përforcuese në vargjet e mësipërme, si dhe me anën ne historive ndëshkimore të zullumqarëve e tiranëve, Zoti u jep zemër dhe i qetëson njerëzit papërkrahje, të cilët janë në rrugën e drejtë, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Zotit dhe i kanë besuar asaj, duke u distancuar nga thirrjet fallco të cilat u drejtohen me anën e mediave herë në formë tundimi dhe herë të tjera në formë shantazhi.
 
Sekreti i agjërimit të Ashurasë
Agjërimi i Ashurasë, përveç përjetësimit të shpëtimit të profetit Musa a.s, është dhe një festë për ne myslimanët, pasi këtë ditë u vërtetua praktikisht ndihma e Zotit dhe mbajtja e premtimit nga ana e Tij. Veç kësaj, vetë kremtimi i kësaj ndodhie çdo vit, rifreskon shpresën në zemrën e çdo besimtari, se Zoti i lartësuar nuk i harron besimtarët dhe nuk i lë në duart e tiranëve zullumqarë. Patjetër që zullumqarëve do tu vijë dita – të cilën disa e shohin të afërt dhe të tjerë të largët – në të cilën demonstrohet fuqishëm ndihma e Zotit dhe shkatërrimi i të ligës. Atë ditë, do të kuptohet se sistemi i tyre diktatorial dhe shtypës, ka qenë si shkuma e rrëkeve. Zoti, ashtu siç ndëshkoi faraonin në të kaluarën, do të ndëshkojë çdo pasues të tij në të tashmen dhe të ardhmen, në çdo vend dhe kohë. Ashtu siç shpëtoi misionarin e tij, profetin Musa a.s bashkë me besimtarët, do të shpëtojë çdo besimtar “Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija, 88)
Përjetësimi i ditës së Ashurasë nga myslimanët, shërben për ta mbajtur nivelin e optimizmit tek besimtari në nivelet më të larta, duke ia kujtuar gjithmonë se Zoti do e mbajë premtimin që u ka bërë besimtarëve dhe se komplotet e jobesimtarëve do i dështojë. Ajo shërben si kujtesë, se Zoti nuk do e lërë tokën në duart e zullumqarëve mendjemëdhenj, por do ua kthejë njerëzve të ndershëm. Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit