5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

DISA PASAZHE NGA DIJETARË MYSLIMANË SHQIPTARË RRETH PROFETIT MUHAMED (A.S.)

Më të lexuarat

Të gjithë janë kandila të dritës së Profetit Muhamed a.s.

Haxhi Vehbi Dibra

Hidhi një sy historisë islame dhe do të konstatosh vetë se Profeti Muhamed (a.s.) me qëndrimin, durimin, vullnetin dhe gjykimin e mprehtë, me gjuhën e ëmbël, me kurajën e pashembullt, që janë karakteristika të veçanta vetëm për këtë personalitet të jashtëzakonshëm, i mbështetur në Perëndinë e vetme që besonte, mundi të bëjë një revolucion të madh në kombin e tij që e gjeti fanatik, të demoralizuar, grindavec, injorant, barbar, gjakpirës, idhujtar e padisiplinuar. Dhe me këtë brumë, trajtoi, brenda një kohe të shkurtër një popull të ri, të bashkuar dhe të vëllazëruar, fetar të vërtetë, të qytetëruar e të pajisur me moral të lartë, të virtytshëm, të arsyeshëm e të disiplinuar.

Shkurt, çdo fenomen i natyrës, çdo ngjarje e gjithësisë, lulet, pemët, kënaqësitë, dëfrimet e shijet shpirtërore, lutjet, çuditë e natyrës, mrekullitë e shpirtit, zbulimet e shkencës, pozitat e larta, kategorizimi moral i njerëzve me grada të ndryshme, besnikë, të afërt e dashurues të Zotit, të gjitha janë fryt i pemës muhamedane, janë kandilë të dritës së tij me të cilën qëndrojnë në këmbë; të gjithë pinë ujë në lumin “Keuther”. Me këtë del në shesh sekreti i ajetit të madhnueshëm: “Nuk të kam dërguar për tjetër, veçse mëshirë për gjithësinë”.

Sot ka lindur kryetari i të gjithë profetëve

Hafiz Ismet Dibra

Sot është përvjetori i orës fatbardhë që përuroi fillimin e periudhës më të shkëlqyeshme të historisë së “Rilindjes njerëzore. Po, sot është përvjetori i asaj ore në të cilën sipërfaqes së tokës, që është dëshmitare ngjarjesh e faktesh të panumërta të miliona viteve, iu bë dhurata më e madhe dhe më e plotë e mirësive të pafundme të Perëndisë së amshuar. Në këtë ditë Tokës, pra, iu bë nderi më i madh, duke u lëmuar prej gjurmës së atij që në të dy jetët është i nderuar e që njerëzia e ka pritur me padurim qysh në “Ezel”. Ky mëngjes u bë i lumnueshëm, sepse në të lindi “trupi i bekuar” i Profetit Muhamed (a.s.), i cili, duke përmbledhur në vetvete, në mënyrë të plotë: thjeshtësinë e kulluar të “babës Adem”, madhështinë hyjnore të Nuhut, vullnetin e papërkulur e plot sakrifica të Ibrahimit, dorëzimin e devotshëm të Ismailit, forcën morale të Jakubit, bukurinë tërheqëse të Jusufit, durimin heroik të Ejubit, grushtin e Musait, dashurinë udhëheqëse të Isait, u bë prijësi më i madh i njerëzimit.

Në këtë ditë erdhi në botë ai të cilit i madhi Zot i tha: “Sot e përsosa fenë tuaj për ju, dhe i plotësova mirësitë e mia mbi ju…”

Sot festojmë përvjetorin e asaj dite të madhe në të cilën ka lindur kryetari i gjithë profetëve, Hazreti Muhamedi (a.s.), që i mësoi njerëzisë shtyllën e fortë të virtytit shoqëror e të paqes. Ai ka thënë: “Më i ndershmi gjyq është paqja” dhe “Në qoftë se kërkojnë paqe, pajtohu”.

Po të kërkohet burimi i vërtetë i “drejtësisë”, barazisë, lirisë e vëllazërisë”, që janë katër shtylla të lumturisë njerëzore, ky burim do të gjendet në “ditën” e parë që ka filluar kjo festë madhështore e që kremtohet pa përjashtim në botën islame, sepse në këtë ditë ka lindur ai që është “mëshirë për gjithësinë”…

Koha kish nevojë për udhërrëfyes të udhës së Zotit

Hafiz Ali Korça

Në mënyrë shumë të shkurtër duam të theksojmë se popujt e botës së asaj kohe kishin nevojë për një grusht që të trondiste fronet e mbretërve e të përmbyste themelet e sundimit tiranik të tyre, t’iu thyente hundët që i mbanin nga qielli, duke i marrë kombet e varfra nëpër këmbë dhe duke i përdorur si bagëti.

Kjo kohë kish nevojë për një zë që t’i sillte në vete të hutuarit, t’i zgjonte prej gjumit të madhështisë aristokratët kryelartë, duke iu treguar se demokratët e gjorë, që po shtypeshin nga këmbët e tyre të pamëshirshme, nuk ishin kafshë.

Kjo kohë kish nevojë për një udhërrëfyes, që njeriun ta tërhiqte në rrugën që ka pëlqyer Zoti, për t’i këputur hekurat e robërisë, që kishin nëpër këmbë e zverqe dhe për të arritur shkallën më të lartë njerëzore, duke gjetur mënyrën që sjell lumturi në të dy jetët…

Hazreti Muhamedi (a.s.) u rrit pa nënë e pa babë. Për të nuk u kujdes njeri për ta edukuar, u rrit midis një populli injorant, pranë një fisi që i falej statujave, të cilat, ka pasur raste që i krijonte prej ëmbëlsire dhe, pasi u faleshin, kur i merrte uria, shtroheshin e i hanin ato perëndi që patën krijuar vetë prej hallvash! Ata, pra, u faleshin ëndrrave e u shërbenin idhujve. Në këtë gjendje, pra, ishte mjedisi ku lindi. Por ai çdo ditë rritej nga trupi dhe forcohej nga trutë, nga edukata lartësohej dhe në popullin e Mekës që në djalëri mori titullin “i besueshmi”. Kur mbushi të dyzetat ishte i perfeksionuar, kurse kombi i vet mbetej prapa; ndërsa ky lartësohej kombi shkonte poshtë; ky dëshmonte Zotin, ata këputeshin para statujave që vetë i kishin krijuar; ky në besim të saktë e të vërtetë, ata të mbytur nëpër moçalet e ëndrrave; ky shtyhej pas mirësive, ata pas të këqijave; ky fluturonte në qiell të dritës, të përparimit e të lartësimit, kurse kombet mbyteshin në pellgjet e errësirës…

Sot ka lindur krijesa më e zgjedhur

Myderriz Sheh Qazim Hoxha

Perëndia i Plotfuqishëm, kur deshi të krijojë gjithësinë, botën e dukshme e të padukshme, më parë krijoi nga drita e vet hyjnore, dritën e Hazreti Muhamedit. Pra si profetët, shenjtorët dhe engjëjt, që janë shtyllat më të larta të sovranitetit hyjnor, ashtu dhe çdo gjë tjetër ia detyrojmë mirëqenien e vet shpirtit të lartë të Hazreti Muhamedit (a.s.) dhe faqet e historisë që përmbajnë shenjat e para të lartësimit që ky ka treguar në çdo degë, janë argumente lëndore e inspirata hyjnore.

Fjalët profetike janë dëshmi e vërtetë se qëllimi i zbritjes së librave hyjnorë ka qenë, si të thuash, një parathënie për zbritjen e Kuranit, ndërsa dërgimi i vargut të profetëve të tjerë, ka qenë si pararojë për njoftimin e ardhjes së zotnisë dhe më të zgjedhurit të profetëve. Pra, të vërtetat që përbëjnë këto fjalë profetike, na bëjnë të kuptojmë se Hazreti Muhamedi (a.s.), që është brumi i mirësisë për të gjithë profetët, edhe në botën e pasosur, këta profetë do të përfitojnë nga shkalla e plotësimit të më të zgjedhurit të të gjithë krijesave, që është Hazreti Muhamedi (a.s.) e në këtë mënyrë nuk ka asnjë dyshim se ai është bërthama e rruzullimit e pema e të gjitha qenieve…

Njeriu duhet të njohë Perëndinë

Haki Sharofi

…Hazreti Muhamedi (a.s.) u lind në Mekë më 20 prill 571 pas Krishtit, natën e hënë me 12 Rebiul-Evvel. U rrit jetim e pa shkollë. Kur u bë 40 vjeç i erdhi nga ana e Zotit misioni “Profet i kohëve moderne”. Pas Hazreti Muhamedit (a.s.) nuk vjen profet tjetër. Misioni i tij vazhdoi 23 vjet. Brenda kësaj kohe bashkoi dhe qytetëroi kombin e vet, hodhi themelet e shtetit islam, që brenda një shekulli i përhapi rrezet e shkëlqyeshme të dritës së Islamit në hapësirën midis Atlantikut e maleve të larta të Himalajës, midis Oqeanit Indian dhe portave të perandorisë bizantine.

Hazreti Muhamedi (a.s.) soli nga Perëndia Kuranin e madhnueshëm, që është vepër filozofike-letrare e pashembullt.

Po të studiohet me kujdes Kurani i shenjtë, kuptohet se Hazreti Muhamedi (a.s.) nuk shpiku një fe të re, por nxori në shesh fenë e harruar të Hazreti Ibrahimit (a.s.). Ai ka thënë se “Feja është një e vetme”, ajo që adhuron një zot të vetëm. Atë fe e kanë predikuar të gjithë profetët, por popujt e tjetërsuan, duke e deformuar fenë e Zotit. Hazreti Muhamedi (a.s.) me Kuranin e lartë, ua hoqi bishtat e prapashtesat, i thjeshtoi e i reformoi, duke i përcjellë në origjinë me emrin “Islam”.

Kur Zoti i krijoi njerëzit në jetën e palëndë, u tha: “A nuk jam unë Zoti juaj?” “Si urdhëron”, iu përgjigjën të gjithë. “Atëherë, pra, dilni në jetën lëndore dhe provojeni me vepra se jeni të sinqertë!” Prandaj njeriu vjen e shkon në këtë jetë. Por ai duhet të përmbushë misionin e vet duke njohur Perëndinë dhe çdo vepër ta bëjë për Perëndinë, kurse çdo punë duhet t’ia kushtojë Perëndisë, se vetëm kështu zbatohet “traktati i amshuar”.

Mrekullia më e madhe është se vetë Hazreti Muhamedi (a.s.) bëhet model ideal për të gjitha veprimet e njerëzisë. Ai në teori e në praktikë na shfaqet “politikan” e “administrator” i përsosur, “gjeneral” i mbaruar, “sociolog”, “ekonomist”, “tregtar” pa asnjë të metë, “filozof” dhe “edukator” me doktrinë të plotë e të pagabueshme. Doktrina e tij është e vetmja që mund t’i zbërthejë problemet e mëdha e shumë të komplikuara që shqetësojnë njerëzinë.

Jeta e mrekullueshme e profetit të madh të Islamit ende nuk është analizuar sa duhet. Kushdo që studion biografinë e tij habitet e nuk arrin të kuptojë se si i ka realizuar gjithë këto vepra brenda një kohe të shkurtër…

Lindja e Profetit…

Imam Vehbi Ismaili

Ne jemi sot në muajin e Rebiul-Evvelit, në muajin që neve kremtojmë një prej ditëve me rëndësi të popullit musliman. Në të përkujtojmë ditëlindjen e Pejgamberit Muhamed (a.s), ditën që erdhi në këtë botë ai që e dërgoi Zoti mëshirë për të gjithë gjithësinë.

Ç’mund të thotë njeriu që të përkujtojë Pejgamberin Muhamed, që është zotëria i njerëzisë në të tërë kohët e shekujt? Si mund të cilësohet një oqean i tillë nga një pikë? Ose si mundet xixëllonja të përfaqësojë dritën e diellit? Është e pamundur që për një njeri sado orator e i shkolluar që të jetë, në një kohë të shkurtër sikur mbahen fjalimet në këtë rast, të përshkruajë e të flasë për Pejgamberin Muhamed (a.s.) të cilin e ka lavdëruar vetë Zoti duke thënë: “Me të vërtetë ti (o Muhamed) ke moralin më të lartë”. Puna që bën një person në raste të tilla është sikur të dojë të zbrazë një oqean me një lugë.

Megjithatë nuk mund të lihet ky rast pa këputur disa lule nga kjo lulishte, jeta e Muhamedit (a.s.), ku secila lule është më e bukur se tjetra; ne këtu do të paraqesim fluturimthi si një shirit fotografik disa aspekte të jetës së tij. Zoti na ndihmoftë.

Lindja e Muhamedit (a.s.) qe sihariq për ringjalljen e së vërtetës, që nuk njihej ngaqë tërë botën e kish mbuluar errësira dhe paralajmëruese e ardhjes së mbarësisë e mirësisë të cilën kishte kohë që bota e priste, që me të të zbardhte një ditë e re me vlera të larta e ideale të shkëlqyeshme, të zhdukte e të mposhte shtypjen që luante nën të njerëzimi.

E dërgoi Zoti Muhamedin në një kohë kur njerëzia kishin humbur rrugën e drejtë, mendjet dhe shpirtrat e shumicës ishin ndryshkur, ishin bërë si statuja e i luteshin statujave, ishin gurë e u faleshin gurëve e qe mbushur dheu me supersticione e besime të kotë. Përfitonte i forti nga injoranca e padija e i shtypte popujt dhe i mposhte shpirtrat e mendjet e tyre duke i bërë skllevër nga pakica; u formuan shtresa që përbuznin njëra-tjetrën.

Por Zoti me mëshirën e Tij, i cili kujdesej për njerëzinë më tepër se nëna për fëmijën e vet, zgjodhi Muhamedin (a.s.) më të mirin e njerëzisë për t’u kumtuar mesazhin e fundit, Kuranin, që t’i shpëtonte nga humnera në të cilën ishin zhytur. Muhamedi qe për njerëzimin si një shi që bie pas një kohe të gjatë thatësire dhe e ngjall dhe i jep jetë Tokës. Mësimet që kumtoi Muhamedi (a.s.) me anën e Kuranit, qenë një dritë për t’u treguar udhën e drejtë atyre që e kishin humbur nga errësira e madhe që i kish kapluar. Iu ktheu popujve njerëzillëkun e nderin, se që kur filluan të adhurojnë një Zot, krijuesin e tyre, në vend të gurëve e drunjte, që ia bënin shokë Atij, iu pastruan shpirtrat iu ndriçuan mendjet e iu shkëlqyen shpirtrat, u çliruan mendjet nga prangat e poshtërimit, nga të fortët e i këputën e i thyen prangat e skllavërisë dhe u bën të lirë, e filloi të nderohej njeriu jo pse ishte i fortë, ose vinte nga një familje e mirë, ishte i pasur ose kishte këtë apo atë ngjyrë, por ishte me të vërtetë njeri ai që i bënte më mirë njerëzimit, ai që kish sjellje të mira, që ai sakrifikonte për hir të fesë e të atdheut, ai që mbronte të drejta, ai që ish i mësuar dhe i mësonte të tjerët. Shkurt, Muhamedi (a.s.) e mësoi njerëzinë sipas mësimeve të Kuranit, se njeriu më i mirë është ai që bënte më mirë njerëzimit.

Në kohën që erdhi Muhamedi (a.s.), bota mund të ndahej në dy kampe, njëri që ishte krejt materialist dhe që nuk mendonte se si e fitonte pasurinë të cilën pastaj e përdorte vetëm për të kënaqur epshet e tij dhe tjetri, që ishte ndarë krejt nga bota, ishte mbyllur në muret e manastireve dhe që s’donte të dinte çfarë ndodhte jashtë këtyre mureve. Por mësimet që solli Muhamedi (a.s.) i kombinuan të dyja. Këto mësime lidhën materien me shpirtin me një nyjë që nuk mund të zgjidhen, e bëri secilën të domosdoshme për tjetrën, duke i porositur njerëzit që të punonin për këtë botë, por të mos harronin të përgatiteshin edhe për botën tjetër, prandaj Kurani urdhëron e thotë: “Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë nga njerëzit, urdhëroni të mirën e ndaloni të keqen…” (Kurani, 3:110)

Miliona njerëz nga pasuesit e fesë që predikoi Muhamedi (a.s.) në këto ditë hapin fletët e historisë që të studiojnë jetën e tij, jetën e njeriut më të madh të botës.

Qysh në foshnjëri ishte i zhveshur nga veset e liga, ishte i pastër nga çdo e keqe që të njolloj, qysh në rini u titullua nga populli i tij “Emin”-besniku, i drejti. Ai u zgjodh si arbitër për të zgjidhur një problem që mund të shkaktonte gjakderdhje. Ra në kundërshtim populli i tij kur po meremetonin Qaben se kush ta nrinte e vendoste në vendin e vet Gurin e Zi, secili nga paria donte ta bënte atë, pranuan vendimin e Muhamedit (a.s.) kur e vuri në një rrobë prej çdo të pari të kapte në një anë rroben dhe mandej e vuri po vetë në vendin e duhur. Kështu që me veprën e tij kënaqi të gjithë kryetarët e fiseve. Kjo ngjarje sikur e një paralajmërim se ai do të kumtonte mesazhin e fundit hyjnor dhe do të pastronte Qaben nga idhujt, duke e kthyer atë në një tempull ku lutej vetëm një Zot, të njëjtin Zot për të cilin e kishte ndërtuar atë Ibrahimi (a.s.) me të birin Ismailin.

Kur Muhamedi u afrua në dyzet vjetët e jetës së tij shkonte në një shpellë ku lutej e meditonte, duke u larguar nga idhujt të cilëve i falej populli i tij, dhe i lutej Zotit natë-ditë që ta udhëhiqte në rrugë të mbarë në fenë e Ibrahimit. Në moshën dyzetvjeçare, në shpellën hira ku meditonte, zbriti Xhibrili, i cili i komunikoi se Zoti e kishte zgjedhur Pejgamber dhe fillo it’i kumtoj pjesët e para të Kuranit, librin e shenjtë tonin, i cili kritikonte adhurimin e idhujve dhe i ftonte njerëzit që t’i luteshin vetëm një Zoti, Krijuesit të gjithësisë. Ftoi njerëzinë në këto mësime të reja pa patur të tjerë përkrahës veç Zotit; u përpoq, vuajti dhe u mundua, luftoi me vullnet të hekurt pa u mërzitur nga mundimet e pengesat që i nxirrnin idhujtarët derisa në fund fitoi.

Muhamedi në jetën e tij ishte shembull i shkëlqyeshëm idealisti në fjalë e në vepra, në shtëpi dhe me popullin, në paqe e në luftë. Ishte sikur e cilëson Imam Aliu: “Më dorëhapuri i njerëzisë, më zemërmiri, më i drejti në fjalë, dhe më i besuari; kushdo që e shihte ndiente respekt për të, kush merrej me të e dashuronte.

Muhamedi (a.s.) ishte shumë i dashur, kujdesej tepër për shokët e tij, kur mungonte ndonjë prej tyre pyste për të. Gruaja e tij, Aisheja, na tregon për të: “Kur ishte në shtëpi, ishte njeriu më i butë e më i ëmbël.”

Pejgamberi (a.s.) ishte shumë i përvuajtur e urrente madhështinë e mburrjen nuk i vinte shumë rëndësi gjërave të kësaj bote. Megjithatë e mbante veten shumë pastër, krihej e i mbante mirë flokët dhe lyhej me erëra të mira. Salltanete nuk donte. Shumë mbretër, princër, e të parë i dërgonin dhurata të çmuara, por ai nuk i mbante për vete, i shiste dhe të holat i përdorte për të ndihmuar të vobektit ose për t’i shërbyer fesë islame. kurrë nuk e mbushte plot stomakun , asnhëherë nuk kërkoi nga familja e tij t’i përgatitej një ushqim i posaçëm, hante çfarë t’i vihej përpara dhe pinte çfarë i jepej nga pijet e lejueshme.

Ai ishte më bujar se retë që derdhnin shi, ndihmonte nevojtarin dhe përkrahte të vobektin, ushqente të uriturin e vishte të zhveshurin. Kurrë nuk i tha njeriu që i kërkonte ndihmë “Jo”, e nuk iu shmang asnjëherë nevojave të të tjerëve e kur s’kishte çfarë t’u jepte i përcillte me fjalë ë mira e priste derisa t’i jepte Zoti diçka që t’i ndihmonte. Kaq bujar qe me njerëzit e vobektë saqë njëherë e bija e tij, Fatimja shkoi e iu ankua për punët e shumta që kishte në shtëpi dhe i kërkoi t’i gjente një shërbëtore. Ai i tha: “Unën nuk mund të të jap ty shërbëtore e t’i lë banorët e Sufas të mbajnë barkun me dorë nga uria”. Sofa ishte vendi ngjitur me xhaminë ku banonin shokët e varfër të Pejgamberit (a.s.) kalonin kohën me studime; Muhamedi (a.s.) kujdesej për mbajtjen e tyre.

Muhamedi (a.s.) ishte tepër trim e guximtar, luftonte burrërisht për mbrojtjen e lirisë, fesë e të atdheut; shihej përherë në mes të betejave. Imam Aliu tregon: “Kur ndizej lufta vërenim se Pejgamberi gjendej më afër armikut se askush tjetër.”

Kur dilte fitues ndër beteja nuk i rritej mendja e nuk mburrej, dhe kur ndonjëherë ndodhte e kundërta nuk e priste shpresën dhe nuk dëshpërohej, por studionte shkaqet e dështimit dhe mundohej të ndreqte gabimet. Dhe në të dy rastet falënderonte Zotin e i lutej për ndihmë.

Triumfoi e çliroi Mekën nga idhujtarët që e kishin munduar atë si dhe shokët e tij që e kishin brë të vuante aq shumë duke e detyruar të linte dhe vendlindjen e tij prej persekutimeve të mëdha që i bënin, por ku i kishte në dorë e kishte fuqi t’i dënonte, i fali dhe i ndjeu duke u thënë: “Shkoni se jeni të lirë!”

Kërkuan shokët e tij nga Muhamedi (a.s.) që t’i mallkonte idhujtarët pas betejës së Uhudit, në të cilën ishte i plagosur nofulla e i kullonte gjaku rrëke, por ai u përgjigj se nuk e kishte dërguar Zoti për të mallkuar, por për të mëshiruar dhe u lut: “O Zot, fale popullin tim se ata nuk dinë.”

Sot në muajin e ditëlindjes së Pejgamberit Muhamed (a.s.) po mjaftohem me kaq sa të paraqes shkurtimisht jetën e ij të shkëlqyer, që ta marrim se shembull në mbrojtje të fesë e të atdheut, në përkrahje të së vërtetës e të së drejtës, në ftesën për të bërë të mira dhe për largimin nga të ligat. Zoti me madhërinë e vet urdhëron e thotë në Kuran: “Ju me të vërtetë keni shembull të shkëlqyer në të dërguarin e Zotit…” (Kurani, 33:21)

Zoti na bëftë prej atyre që e studiojnë me kujdes jetën e Pejgamberit (a.s.) e përpiqen ta marrin shembull në jetën e tyre.

Hafiz Ibrahim Dalliu

Poezi për më të shndritëshmin e njerëzimit, Profetin tonë Muhamedin (alejhi selam)

——-

Ti je shembull’ i gjithe mirësivet

Ti je ma i ndershmi i nebivet

Si elmasi n’ varg t’ inxhivet

N’ doresh ja Resulell-llah!

Ti je Diell’ i ditunies,

Ja ke ndricue syte njerzies

Je i dashm’ i Perendies

N’ doresh ja Resulell-llah!

Njaj Zot qi kreu qiell e dhe

N’ jetet t’ ate ka ba be

Ne ket grade kurkush ma s’ le

N’ doresh ja Resulell-llah!

N’ rruzllit t’ dheut ane e m’ ane

Ne cdo cast thirret ezane

Ty Resulull-llah tu t’ thane

N’ doresh ja Resulell-llah!

Per, Ty asht krijue gjithsija

Ç’ pare bajnë lavdat e mija

Ty t’ka lavdue vete Perendija

N’ doresh ja Resulell-llah!

Redaksia

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit