Moti i ashpër i dimrit me reshje të mëdha bore dhe temperatura të ulëta goditi Sirinë, Libanin dhe Jordaninë të mërkurën, duke përkeqësuar gjendjen e mijëra refugjatëve sirianë të zhvendosur në rajon.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, temperaturat pritet të arrijnë nivelin më të ulët të të gjitha kohërave në 40 vjet, duke arritur në minus 14 gradë Celsius dhe edhe më të ulëta, sipas organizatave të ndihmës, përfshirë agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF.
“Situata për refugjatët sirianë në rajon mbetet jashtëzakonisht e pasigurt pasi rajoni po kalon disa nga ditët më të ftohta të regjistruara në shumë vite dhe në mes të një stuhie të fortë”, ka thënë shefja Rajonale e Komunikimeve e UNICEF-it Juliette Touma për dpa.
Grupet e ndihmës thanë se erërat e forta që arrijnë deri në 80 kilometra në orë, të shoqëruara me breshër të dendur dhe borë në zonat malore, pritej të rrezikonin miliona refugjatë që jetonin në rrethana tashmë të vështira.
Në Sirinë veriore dhe veriperëndimore, tendat në kampet e refugjatëve u mbuluan me borë dhe rrugët u bllokuan nga bora, thanë aktivistët në vendin e shkatërruar nga lufta.
Organizata e Ndihmës për Sirinë, një grup joqeveritar, tha se në 24 orët e fundit rreth 47 kampe refugjatësh në veriperëndim të Sirisë ishin dëmtuar nga stuhia.
“Rreth 69 tenda u shkatërruan plotësisht”, ka thënë tutje organizata.
Ndërkohë, në Libanin lindor, ku mijëra refugjatë sirianë jetojnë në kampe joformale, disa tenda u “shpërndanë” nga erërat e forta dhe disa refugjatë u bllokuan në ajër të hapur.
“Ne arritëm të shpërndajmë xhaketa, doreza dhe këpucë dëbore për fëmijët e moshës 2-14 vjeç për t’i mbrojtur ata nga moti i pritshëm i ftohtit ekstrem”, citohet të ketë thënë Maria Assi nga organizata libaneze e ndihmës Beyond në luginën Bekaa.
Ndryshe, pas më shumë se 10 viteve të një lufte shkatërruese në Siri, 6.7 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit – që besohet të jetë numri më i lartë në botë.
Ndërkohë, rreth i njëjti numër refugjatësh vlerësohet të jetojnë në vendet fqinje, përfshirë Jordaninë, Libanin dhe Turqinë. /Telegrafi/