1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Dialog me lulen

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Dialog me lulen

Ambulanca mbërriti sa hap e mbyll sytë në vendin e aksidentit. Dy burra zbritën prej saj dhe hodhën një vështrim hetues në turmën e njerëzve. Ata çanë njerëzit e grumbulluar dhe qëndruan para makinës së përmbysur. Një burrë i plagosur qëndronte i shtrirë përtokë. Stafi i ambulancës e vendosën në barelë, mandej në ambulancë dhe u nisën me shpejtësi drejt spitalit.
I aksidentuari u dërgua në sallën e operacioneve, ndërkohë që zemra e tij rrihte shpesh, gjë që tregonte se ishte në rrezik.
Doktori doli nga salla, ndërkohë që të gjithë sytë e familjarëve plot ankth, u drejtuan nga ai, sikur prisnin tu thoshte:”Të rroni vetë!” Këtë heshtje e theu babai i të plagosurit i cili pyeti:”Si është im bir doktor?”
Doktori u përgjigj:”Na nevojitet gjak i grupit B, për ti kompensuar hemorragjinë që ka shkaktuar aksidenti.”
Familjarët u vunë në lëvizje dhe filluan të kontaktojnë gjithë të afërmit, por askush nuk u gjet me grupin e gjakut përkatës.
Ndërkohë, në spital erdhën ndy burra, të cilët qëndruan tek dera e sallës së operacionit dhe pyetën personalin:”Ku është babai i Sead-it?”
Babai kur dëgjoi emrin e të birit u ngrit në këmbë dhe tha:”Çfarë dëshironi?”
Njëri prej tyre u përgjigj:”Ne dëgjuam lajmin e aksidentit të vëllait tonë dhe kemi të njëjtin grup gjaku të tij.”
Babai i Sead-it u befasua nga kjo që i dëgjonin veshët dhe i shihnin sytë dhe me vete mendoi:”Këta duhet të jenë dy engjëj që kanë zbritur nga qielli për t’iu gjendur pranë tim biri.” Mandej, duke vënë buzën në gaz shtoi:”Nuk është kohë hetimesh tani, e rëndësishme është të shpëtojë djali.”
Doktori mori sasinë e nevojshme të gjakut për të plagosurin, gjendja e të cilit filloi të përmirësohej gradualisht. Disa orë më vonë, i aksidentuari filloi të përmendej, hapi njërin nga sytë dhe dalloi të atin aty pranë. Vetja i dukej sikur qëndron mbi një re, prandaj i mbylli sërish sytë dhe iu dorëzua efektit të ilaçeve.
Të nesërmen, babai i Sead-it hyri në dhomën ku dergjej i biri, i cili dukej se po e merr veten. Teksa i afrohej, Sead tha:”Zoti e faltë atë që u bë shkaktar për këtë aksident!”
I ati ia ktheu:”Shyqyr Zotit je mirë.”
Sead:”Kush më shpëtoi baba?”
I ati:”Dy burra, njëri i gjatë e tjetri i shkurtër. Ata kishin mjekër të shkurtër dhe më thanë se ishin vëllezërit e tu. Në fakt, unë as që i njihja, pasi jot ëmë s’ka pasur fëmijë të tjerë veç teje!”
Sead:”Zoti ua shpërbleftë me të mira! Ka qenë Abdullahu dhe Muhamedi. Vëllazëria e vërtetë nuk është ajo e gjakut baba, por është ajo e fesë.”
I ati:”E rëndësishme është që tani për tani të mos e lodhësh veten me fjalë. Qetësohu pak se do të kthehem në drekë.”
Sead:”Mirë, por mos u vono!”
Sead hodhi një vështrim përreth dhe mes disa buqeta lulesh, dalloi një trëndafil të bardhë dhe një tjetër të kuq. Aromën e tyre ai e ndjente që nga krevati. Zgjati dorën dhe kapi trëndafilin e bardhë, duke medituar rreth bukurisë dhe aromës së tij. Në çast, trëndafili i tha:”Falëndero Zotin që je mirë!”
Sead u përgjigj:”Një trëndafil që flet?!”
Lulja:”Po, unë jam një lule që më solli vëllai yt në besim Selimi. Ai më solli që të lutem për ty:”O Zot i njerëzve, largoje sëmundjen dhe shëro, Ti je Shëruesi, s’ka shërues përveç Teje, shërimi Yt nuk lë sëmundje pas.” (Buhari)
Sead:”Zoti ta shpërbleftë me të mira! Por nuk më the diçka për veten tënde.”
Lulja:”Unë jam lulja e  vëllazërisë.”
Sead:”Meqë qenka lulja e vëllazërisë, më fol diçka për detyrat e kësaj lidhjeje (vëllazërisë).”
Lulja:”Dëgjo Sead! Detyrimet për vëllazërinë, janë obligim për të gjithë ata që duhen për hir të  Zotit. Vëllai yt që më solli, është një besimtar i vërtetë. Thotë Zoti në Kuran:”Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër..” (Huxhurat, 10)
Ibnu Tejmije, pasi ka lexuar këtë ajet, ka thënë:”Detyrimet ndaj vëllezërve janë obligim siç janë obligimet e tjera, si namazi, zekati dhe agjërimi.” (Mexhmu’ul fetave)
Sead:”Me detyrimet, mos nënkuptohet kthimi i selamit (përshëndetjes), urimi i atij që teshtin, vizita e të sëmurit dhe pjesëmarrja në funeralin e tij?”
Lulja:”Po, edhe këto janë detyrime, por unë kam për qëllim ca detyrime akoma më të mëdha, si mbështetja financiare në rast nevoje, ndihma për të zgjidhur hallet, përkrahja e familjarëve, qëndrimi pranë në raste fatkeqësish, ashtu siç kontribuuan me gjak vëllezërit e tu.”
Sead:”Në fakt, ke një status të privilegjuar.”
Lulja:”Po, por disa ftues nuk më vlerësojnë, gjë e cila më shqetëson. Unë jam lidhja më e fuqishme mbi faqe të tokës. Unë jam lidhja e parë që themeloi Profeti a.s në Medinë. Për hatrin tim, Zoti ka zbritur një melek nga qielli. Transmeton Ebu Hurejre se Profeti a.s ka thënë:”Një burrë u nis të vizitojë vëllain e tij në një fshat tjetër. Zoti dërgoi një engjëll, i cili iu shfaq para dhe e pyeti:”Për ku je nisur?” Burri u përgjigj:”Të vizitoj një vëlla në filan fshat.” Meleku e pyeti:”Mos të ka bërë ndonjë nder dhe kërkon t’ia kthesh?!” Burri u përgjigj:”Jo, por thjesht e kam dashur për hatër të Zotit.” Atëherë meleku i tha:”Unë jam dërguar nga Zoti të të them se Zoti të do, ashtu siç ke dashur vëllain tënd.” (Muslim)
Unë jam shkak që të gjithë ata që i besojnë kësaj lidhjeje, do të vihen në foltore prej drite, Ditën e Kiametit, atë ditë kur do i kenë zili profetët dhe dëshmorët. Thotë Profeti a.s se Allahu i lartësuar ka thënë:”Ata që duhen për hatrin Tim, do të vihen në foltore nuri Ditën e Kiametit dhe do i kenë zili vetë profetët dhe dëshmorët.” (Tirmidhij)
Unë jam shkak që ata që i besojnë kësaj lidhje, do të strehohen nën hijen e Arshit të Zotit, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër. Thotë Profeti a.s:”Shtatë persona do të strehohen nën hijen e Arshit të Zotit, atë ditë kur nuk ekziston hije tjetër… dy burra që janë dashur për hatër të Zotit, bashkohen dhe ndahen për këtë qëllim…” (Buhari)
Sead duke buzëqeshur:”Mashalla, më gëzove me këto që the. E lus Zotin të më bëjë nga ata që duhen për hatër të Tij, mblidhen dhe ndahen për këtë qëllim. Por… dua të më tregosh mbi thelbin tënd!”
Lulja:”Thelbi im qëndron në marrëdhëniet me Zotin, ashtu siç thotë dhe fjala e urtë:”Thesari më i vyer është dashuria e zemrave, nëse janë të mbushura me dashurinë për Zotin.”
Mandej, lulja heshti për një farë kohe dhe shtoi me dhimbje:”E megjithatë, disa e harrojnë këtë thelb dhe i ndërtojnë marrëdhëniet me vëllezërit e tjerë në bazë të interesave të kësaj bote, ose i kanë emocionale, ndonjëherë dhe formale e fisnore.”
Sead:”A janë të shumta njerëz të tillë?”
Lulja:”Jo, shyqyr Zotit. Pasi ata që e kuptojnë thelbin tim, vazhdojnë të jenë shumicë.”
Sead:”A je orvatur ndonjëherë të ndikosh pozitivisht në zemrat e tyre?”
Lulja:”Po, jam orvatur me disa, sakaq disa të tjerëve u lë kohën ti gdhendë.”
Sead:”E megjithatë, nuk duhet të heqësh dorë nga reformimi.”
Lulja:”Ji i qetë Sead se mua nuk më zë gjumi natën për këtë çështje.”
Sead:”Nëse do të kërkoja të mi përmbledhësh problemet dhe të faktorët negativë që ndikojnë tek vëllazëria dhe e cenojnë dashurinë mes atyre që duhen për hatër të Zotit, çfarë do më thoshe?”
Lulja:”Takimet e bereqetshme prodhojnë vëllazëri të bereqetshme. Nëse këtë fjali e praktikojnë ftuesit mes tyre, kurrë nuk do të dëgjoje probleme mes tyre.”
Sead:”Mmmm më thuaj si ta kuptoj këtë fjali që the?”
Lulja:”Ai që takohet me vëllain e tij me gojë të ëmbël, dorë të ngrohtë, fytyrë të buzëqeshur dhe qëllim të mirë, i ka dhënë bereqet kësaj vëllazërie dhe anasjelltas.”
Sead:”O lule e vëllazërisë! Mos të vjen ndërmend ndonjë shembull, që ta kuptoj më mirë?”
Lulja:”Po, do të jap një shembull konkret për shtrëngimin e dorës.”
Sead:”Fol, se po të dëgjoj.”
Lulja:”Umer ibnul Hattabi, gjatë natës ndjente nostalgji për ndonjë mik të tijin dhe thoshte:”Ah ç’natë e gjatë.” E me të mbaruar namazin e sabahut, rendte tek ai dhe e përqafonte.” (Tebsira e Ibnu Xheuzit)
Sead:”Allah!!! Sa takim i bukur.”
Lulja:”Shembulli i dytë, flet për ruajtjen e gjuhës me qëllim që të mos rëndohet vëllai. Abdullah ibnu Talib Temimi, kishte një vëlla për hatër të Zotit, që quhej Abdurrahman ibnu Umran. Vajza e këtij të fundit, ishte në konflikt me të shoqin dhe çështja kishte arritur deri në mallkim mes tyre. Babai i vajzës e vizitonte shpesh mikun e tij Abdullah Temimin për të mësuar prej tij dhe për të biseduar. Abdulla ibnu Talib Temimi, u thoshte të pranishmëve:”Kur të vijë Abdurrahmani, askush të mos më pyesë për mesele mallkimi!”
Me këtë, ai nuk donte ta rëndojë mikun dhe vëllain e tij, duke i kujtuar problemet e vajzës së tij. Prandaj, teksa takohesh me vëllain në fe, duhet të zgjedhësh fjalët më të ëmbla dhe të ngrohta.”
Sead:”Shumë domethënie e goditur. Por kam frikë se një nivel komunikimi i tillë në kohët tona është i rrallë.”
Lulja:”Jo… Mos e thuaj këtë! Unë do të sjell një shembull për atë që thashë. Njoh disa vëllezër të cilët patën kaluar natën në një çadër në natyrë. Njëri prej tyre, zgjohet në mesnatë dhe vëren se shtylla kryesore që mbante çadrën po rrëzohej për shkak të erës. Ai e mbajti me dorë atë deri në mëngjes, pa i zgjuar shokët e tjerë, pasi nuk donte tu prishë gjumin.
Njoh dhe një tjetër në një vend mysliman, i cili teksa vëllai i tij po pushkatohej nga komunistët, ai rendi dhe e përqafoi atë. Kështu, plumbat goditën atë, sakaq i vëllai shpëtoi.”
Sead:”Qëndrime heroike, të cilat janë të ngjashme me ato të brezit të parë të myslimanëve.”
Lulja:”Po, e mira tek ftuesit e kohëve tona vazhdon të jetë prezente. Ashtu siç edhe shpresa tek kontributi i tyre është e madhe. Unë njoh shumë raste që e vërtetojnë këtë që them, në Sudan, Egjipt, Algjeri, Jordani, Gadishullin Arabik, Evropë, Amerikë dhe Afrikë.”
Sead:”Zoti ta shpërbleftë me të mira! Edhe unë këtë rrugë po ndjek në dashtë Zoti. Siguria ime personale buron nga siguria e vëllezërve të mi, si dhe ngushëllimi im i vetëm është vetëm pranë Zotit.”
Lulja:”Zoti të dhashtë bereqet! Më lejo të shtoj dhe një histori të këndshme, që i ka ndodhur dy burrave që e donin njëri-tjetrin fort. Dy persona kishin vëllazëri të fortë për hatër të Zotit. Ata gjendeshin në një anije në udhëtim e sipër. Njëri prej tyre i afrohet cepit të anijes dhe i rrëshqasin këmbët në det. Të njëjtin fat pësoi dhe tjetri. Sakaq, marinarët i shpëtuan dhe i ngjitën sërish në anije. I pari, kur pa shokun e tij të lagur i tha:”Po ti ç”ne?” I dyti i tha:”Kur të pashë që re, mu duk sikur jam unë.”
Në korridorin e spitalit, u dëgjuan hapa dhe lulja i tha Seadit:”Këta janë vëllezërit e tu prandaj priti mirë, forcoji marrëdhëniet me ta dhe mos e harro këtë fjalë prej meje:”Dy gjëra janë të rralla:”Dërhemi hallall dhe një vëlla që e do për hatër të Zotit dhe që të ngushëllon me prezencën e tij.”
Mandej, Sead e vendosi lulen e bardhë në buqetë dhe u dhuroi një buzëqeshje të ngrohtë vëllezërve të tij që kishin ardhur ta vizitojnë….

Rating: 1.5 of 5. 2 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit