5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Dhe vjen fundi i Ramazanit

Më të lexuarat

Dhe vjen fundi i Ramazanit

Maratonës së Ramazanit po i vjen fundi. Melekët e Zotit zbritën natën e Kadrit dhe u gëzuan me panoramën që ofronin besimtarët dhe të përmalluarit me Zotin. Xheneti i hapi dyert e tij dhe u zbukurua për banorët e vet. E hapur ishte dhe porta Rejan, për të pritur ata që i rezistuan rrugëtimit të gjatë. 
Hasan Basrij, e përshkruante Ramazanin si pistë garash. Ai thoshte:”Zoti e ka bërë Ramazanin si një pistë garash për njerëzit, ku ata garojnë për vepra të mira me të cilat fitojnë kënaqësinë e Krijuesit të tyre. Një pjesë e njerëzve e arrijnë finishin, ndërkohë që të tjerë mbeten prapa. Për tu çuditur është me dikë që qesh, ndërkohë që të tjerët marrin çmimin e fitores, ndërkohë që ai vetë ka humbur bashkë me shumë të tjerë.”
Hazreti Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, dilte çdo natë të fundit të Ramazanit dhe i motivonte “garuesit” duke u thirrur me zë të lartë:
Do të doja ta njoh të pranuarin tek Zoti dhe ta uroj, por edhe të privuarin që ta ngushëlloj.”
Kurse interpretuesi i Kuranit, Ibnu Mesudi, Zoti qoftë i kënaqur me të, i cili radhitej në krye të garuesve gjatë maratonës së Ramazanit, thoshte:
Kush është i pranuari që ta uroj?
Kush është i privuari që ta ngushëlloj?
O i pranuar, hallall të qoftë!
O i privuar, Zoti të kompensoftë!”
Garues të dashur!
Le të përpiqemi me mish e me shpirt që të radhitemi tek të pranuarit dhe fituesit! Le ti bashkangjitemi karvanit të njerëzve të mirë dhe të dashur tek Zoti! Nuk kanë mbetur veçse disa ditë dhe tek Zoti ka vlerë mënyra si e mbyllim.
Istigfari, vula e garës
Këtë gjë e kishte kapur kalifi i pestë, Omer ibnu Abdul Aziz, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai u shkruante një letër të gjithë vilajeteve të kalifatit islam, në të cilën i këshillonte të bëjnë sa më shumë istigfar ditët e fundit të Ramazanit, duke u thënë:
“Në këto ditë, thoni siç thoshte babai i juaj Ademi:”Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetes tonë, e nëse nuk na fal dhe mëshiron, do të jemi të humbur”
Thoni siç thoshte Nuhu a.s:”Nëse nuk më fal dhe më mëshiron, do të jem nga të humburit.”
Thoni siç thoshte profeti Ibrahim a.s:”është Ai nga i cili pres të më falë gjynahet ditën e Gjyqit të madh”
Thoni siç thoshte Musai a.s:”Zoti im unë i kam bërë padrejtësi vetes, prandaj më fal! E Zoti e fali, Ai është Falës dhe i Gjithëmëshirshëm”
Thoni siç thoshte Junusi a.s:”Nuk ka zot tjetër përveç Teje, unë bëra padrejtësi.”
Hasan Basrij thoshte:”E shtoni istigfarin, pasi ju nuk e dini kur zbret rahmeti.”
Kurse Lukmani e këshillonte birin e tij me fjalët:”O biri im! Mësoja gjuhën tënde me istigfar, pasi Zoti ka disa çaste në të cilat nuk e kthen mbrapsht lutjen!”
Prandaj, le ta shpeshtojmë, sidomos këto ditë, deklaratën se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Falësit dhe të Gjithëmëshirshmit, si dhe të kërkojmë falje dhe të pendohemi tek Ai për të metat tona.
Garues të nderuar!
Garës së Ramazanit po i vjen fundi. Nga ditët e tij kanë mbetur shumë pak. Prandaj, kushdo që ka bërë punë të mira gjatë këtij muaji, le ti vazhdojë deri në fund. Bëni diçka të mirë në këto ditë të mbetura! Le ta mbyllim me të mira muajin e bekuar. I dhuroni punë të mira këtij muaji, të cilat do të ndërmjetësojnë për ju tek Zoti. Në çastet e ndarjes me këtë muaj, i thoni fjalët më të bukura të përcjelljes dhe lamtumirës!
Ditët e fundit, ditë reflektimi
E kush prej nesh nuk i dhemb ndarja me një të dashur?
Kë nuk e prekin momentet e vetmisë që pasojnë ndarjen?
Me lot gëzimi të pritëm o Ramazan dhe me lot malli dhe pendimi po të përcjellim.
Vëllezër garues!
Teksa jemi në fund të kësaj gare, ne na vijnë ndërmend ditët e para të Ramazanit, i cili tashmë ka marrë rrugën e largimit, duke i mbyllur regjistrat dhe llogaritë e tij. Çdo garues prej nesh, le të qëndrojë pak me veten dhe ti kërkojë llogari e të reflektojë:
Si e priti këtë mik?
A ushqeu ndonjë komshi, mik apo vëlla me të cilin e ka bashkuar Zoti?
A vizitoi ndonjë të sëmurë?
A ftoi për iftar ndonjë agjërues?
A iu gjet pranë dikujt që kishte nevojë dhe e ndihmoi në kapërcimin e vështirësive?
A përkëdheli ndonjë kokë jetimi?
A u orvat të drejtojë ndonjë të humbur dhe ta çojë në rrugë të drejtë?
A ia zgjidhi hallin dikujt, e ngushëlloi dhe i ktheu buzëqeshjen?
A i qëndroi pranë një të privuari?
A pajtoi dy persona në mëri?
A i respektoi prindërit, të afërmit, mësuesit dhe vëllezërit?
O Zot na shpëto nga zjarri i xhehenemit, na mëshiro, na fal dhe na merr në kujdesin Tënd!
O Zot na e prano agjërimin e këtij muaji dhe bëje atë ndërmjetësim bashkë me ndërmjetësimin e profetit Muhamed a.s!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit