Dokumenti të cilin minstri britanik Balfour gjatë Luftës së Parë Botërore ia shkroi Rothschildit, i cili “premtonte një shtet për hebrenjtë në trojet palestineze”, ishte shpallur si Deklarata e Balfourit
JERUSALEM (AA) – ESAT FIRAT
Britania e Madhe, e cila fillimisht i premtoi Mbretërinë Arabe Sherifit të Mekës, Husein bin Ali, ndërsa më pas ndau territoret osmane me Francën me marrëveshjen Skykes-Picot, në vitin 1917 hebrenjve u premtoi shtet në trojet historike palestineze të cilat i mbante nën okupim para mandatit britanik, duke përgatitur rrugën për themelimin e një shteti izraelit në vititn 1948 në tokat e okupuara, shkruan Anadolu Agency (AA).
Letra të cilën ministri i atëhershëm i Jashtëm i Britanisë, Arthur James Balfour, më 2 nëntor të vitit 1917 ia shkroi Baronit Walter Rothschild, njërit prej emrave të shquar të lëvizjes cioniste, e cila u bë e njohur si “Deklarata e Balfourit”, inicoi një migrim hebre të përmasave të mëdha në trojet historike palestineze.
Shteti i kryeministres britanike Theresa May, e cila ka thënë se “ndihet krenar për rolin në themelimin e shtetit izraelit” dhe se “do ta festojnë me krenari 100 vjetorin e Deklaratës së Balfourit”, 100 vjet më parë shpërfilli popupullin palestinez dhe përgatiti terrenin për themelimin e shtetit izraelit në trojet palestineze më 1948.
Me letrën e shkruar 100 vjet më parë nga Balfour, ministri i Jashtëm i ‘qeverisë së luftës’, dhe me Mandatin Britanik më pas, Britania, e cila u dhuroi shtet hebrenjve në territoret palestineze, në vitin 2012 abstenoi në një votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për njohjen e Palestinës si shtet.
Çfarë është dhe çfarë mundësoi Deklarata e Balfourit?
Dokumenti të cilin minstri britanik Balfour gjatë Luftës së Parë Botërore ia shkroi Rothschildit, i cili “premtonte një shtet për hebrenjtë në trojet palestineze”, ishte shpallur si Deklarata e Balfourit. Deklarata konsiderohet si momenti më i rëndësishëm historik në drejtim të krijimit të shtetit izraelit.
Deklarata e përgatitur në fund të shkrimeve reciproke mes Rothschildit dhe Balfourit synonte të lë përshtypje te diaspora hebreje në SHBA-të e sapokyçura në luftë, për të cilën Britania besonte se është e fuqishme.
“I dashur Lord Rothschild. Kam shumë kënaqësi t’ju përcjell deklaratën e mëposhtme, e cila në emër të Qeverisë së Madhërisë së Tij i është dorëzuar kabinetit dhe është pranuar, dhe e cila me simpati i ka pritur aspiratat hebreje cioniste”. Me këto fjalë fillonte deklarata, e cila më tej vazhdon:
“Qeveria e Madhërisë së Tij e sheh të përshtatshëm krijimin në Palestinë të një atdheu kombëtar për popullin hebre dhe do të bëjë përpjekjet më të mira për të lehtësuar arritjen e këtij objektivi, duke u kuptuar qartë se nuk do të bëhet asgjë që mund të dëmtojë të drejtat civile dhe fetare të bashkësive johebraike në Palestinë ose të drejtat dhe statusin politik të gëzuar nga hebrenjtë në çdo vend tjetër”.
Letra, të cilën Balfouri e përfundon me shprehjen: “Do të jem mirënjohës që këtë deklaratë t’ia prezantoj Federatës Cioniste”, më vonë mori edhe mbështetjen e Italisë, Francës dhe SHBA-ve.
Rritja e migrimit hebre në trojet palestineze
Një javë pas publikimit të Deklaratës së Balfourit më 2 nëntor të vitit 1917, deklarata u shpërnda nëpër shtyp. Deklarata zuri vend edhe në Traktatin e Sevrës, e nënshkruar nga Shteti Osman në fund të luftës. Kjo deklaratë po ashtu përbënte themelet e mandatit britanik në trojet palestineze, i cili u miratua në vitin 1922 në Lidhjen e Kombeve.
Nën mandatin britanik, mes viteve 1920 dhe 1940 në Palestinë u shpejtua migrimi hebre, ndërsa ai u rrit edhe më shumë për shkak të holokaustit të realizuar nga nazistët ndaj hebrenjve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë këtij procesi, palestinezët u përpoqën ta kundërshtojnë rritjen e popullsisë hebreje në trojet e tyre. Megjithatë, pas tërheqjes së britanikëve nga Palestina me përfundimin e mandatit, në vitin 1948 u realizua themelimi i shtetit izraelit, gjë të cilën palestinezët e përkujtojnë si Nakba (Katastrofa).
Me themelimin e shtetit izraelit pas tërheqjes së britanikëve nga Palestina, procesi i okupimit u intensifikua edhe më shumë, ndërsa qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga vendlindja dhe pësuan humbje të mëdha në jetë dhe pasuri.
I mbështetur nga pjesa dërmuese e komunitetit ndërkombëtar dhe i themeluar në territoret historike palestineze, shteti izraelit, terreni i të cilit u përgatit nga Balfouri, ende i trajton si “vende pa popull” rajonet në të cilat aktualisht jetojnë palestinezë, mbi gjysma e të cilëve janë detyruar të migrojnë.