Jemi në festat e nëntorit dhe rrjedhimisht besimtari ka dëshirë t’i shikojë këto ngjarje edhe në këndvështrimin e besimit. Atdhedashuria është një ndjenjë e pastër shpirtërore që instinktivisht gjendet thellë në natyrën e çdo njeriu. Këtë lidhje e mbështetur në besnikëri, vet Zoti e ka mbjellë në trupin e njeriut, në gjenet e tij, në shpirtin e tij që kur e krijoi. Vendi ku u lind, ku lozi, ku u rritet me ushqimin dhe kulturën e tij, ku është njohur me të dashurit e tij, ku kalon vitet e jetës; sigurisht për njeriun ai vend bëhet shumë i dashur. Atdheu në radhë të parë, është pasuri që duhet ruajtur. E ajo pasuri është e gjithanshme, duke futur këtu familjen, gjuhën, traditën, kulturën etj.
Kur dashuria ndaj atdheut mishërohet me besimin në një Krijues, shfaqet në formën më të hijshme, duke sjellë vlera dhe dobi të gjithanshme. Parimi i parë dhe më themelor i fesë Islame, është që fjalët dhe veprat e një personi, kurrsesi nuk duhet të tregojnë hipokrizi apo standarde të dyfishta. Besnikëria e vërtetë kërkon një lidhje të ndërtuar në bazat e sinqeritetit dhe ndershmërisë. Ajo kërkon që edhe nga brenda, njeriu të jetë i njëjtë me atë që shfaqet jashtë. Në marrëdhëniet me kombin, ky parim ka rëndësi të madhe. Prandaj, është thelbësore për një atdhetar të vendosë një lidhje besnikërie të çiltër ndaj atdheut të tij.
Deviza islame na mëson se dashuria ndaj atdheut është pjesë e besimit. Ndaj, patriotizmi i sinqertë është një kërkesë e Islamit. Njeriu që shprehet se e do atdheun e tij, është i pajisur me cilësi të larta morale, njerëzore dhe kombëtare. Ai duhet të përpiqet për atdheun e tij në të gjitha drejtimet sipas shkallës dhe nivelit të dijes dhe të pozitës. Dashuria ndaj atdheut kërkon prindër të mirë, të cilët i edukojnë fëmijët e tyre në rrugë të drejtë. Kërkon mësues të zellshëm, të cilët i mësojnë nxënësit në formën më të mirë të mundshme. Kërkon punëtorë administrate që u kryen shërbime qytetarëve me korrektësi e gatishmëri. Kërkon hoxhallarë, të cilët përpiqen për ndërgjegjësimin e shoqërisë, duke i lidh njerëzit me fenë dhe atdheun e tyre. Kërkon politikanë, të cilët e përdorin postin për t’i shërbyer mirëqenies së popullit të vet. Kërkon tregtarë e biznesmenë të ndershëm, të cilët synojnë ta çojnë vendin përpara e ta zhvillojnë atë ekonomikisht. Kërkon gazetarë të mirë, të cilët mbrojnë vlerat e popullit dhe i përhapin ato. Kërkon policë e ushtarë vigjilentë që mbrojnë atdheun me dinjitet nga çdo e keqe e mundshme. Pra, dashuria ndaj atdheut kërkon një sensibilizim gjithë-popullorë, e cila nënkupton që interesi atdheut dhe i shoqërisë të jetë parësor dhe mbi interesat personale.
Në Islam, mbrojtja e atdheut me pasuri e me trup, është parim i fesë dhe numërohet respektivisht kontribut i shenjtë, i cili gradohet lartë dhe shpërblehet shumë nga Zoti (xh.sh.). Pikërisht për këtë, sipas mësimeve të islamit, shehidët-dëshmorët nuk vdesin. Dashuria e atdheut nuk është e barabartë tek të gjithë, ajo është shkallë-shkallë. Dikush është i flaktë në këtë drejtim, dikush është më i fortë, por më të këqij janë ata që nuk ndjejnë fare përgjegjësi për vendin e tyre, saqë arrijnë të vihen edhe në shërbim të të tjerëve, në dëm të interesave të kombit. Këta konsiderohen tradhtarë dhe do të dënohen si në këtë dynja, ashtu edhe në ditën e gjykimit, dënim i cili do të jetë shumë më i ashpër se i dynjasë.
Ata që nuk e duan atdheun e tyre, ata që punojnë për të keqen e popullit dhe të shoqërisë së vet, ata nuk i do as Zoti Fuqiplotë, siç ka theksuar në Kur’anin Famëlartë: إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الْخَائِنِينَ “Vërtet Allahu nuk i do tradhtarët” (Enfal, 8:58). Apo siç ka thënë Profeti Muhamed (a.s.). “Tradhtarët do të ringjallën ditën e Kiametit të dëshpëruar e të privuar nga mëshira e Zotit”.
Islami gjithashtu, na mëson që në asnjë rrethanë, asnjë individ nuk duhet ta marrë vet ligjin në dorë dhe as nuk duhet të marrë pjesë në projekte dhe komplote kundër vendit të tij. Ky është një urdhër shumë i qartë që vjen nga Islami. Islami na mëson se njerëzit që ndjekin këto rrugë, nuk mund të shpresohet të tregojnë besnikëri, sepse besnikëria është e gërshetuar me virtytet e larta. Besnikëria nuk mund të ekzistojë pa vlerat e larta morale, dhe vlerat e larta morale nuk mund të ekzistojnë pa besnikëri. Besnikëria ndaj atdheut kërkon që njeriu të tregohet i virtytshëm, i duruar dhe zbatues i ligjeve të vendit. Prandaj, është e pamundur që dashuria e një myslimani ndaj Zotit, të mund të bëhet pengesë për të shprehur dashurinë dhe besnikërinë ndaj atdheut të tij.
Dashuria për atdheun është instinkt te njeriu. Është instinkt i mbjellë në shpirtra, e cila e bën njeriun të qetë kur qëndron aty dhe mallëngjehet për të kur është larg tij. Sado që njeriu të dëshirojë të largohet prej atdheut, dëshira për kthim mbetet përherë e varur në kujtesën e tij. Profeti Muhamed (a.s.) u detyrua të emigrojë nga Meka në Medinë. Një shenjë e dashurisë ndaj vendlindjes, ishte kur ai ktheu kokën edhe njëherë për të shikuar Meken dhe tha: “Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër”. (Buhariu)
Buhariu transmeton se kur një i ditur, Uereka b. Neufel, i tha Muhamedit (a.s.) se, në çastet e para të profetësisë populli yt do të torturojë, do të mundojë, do të bojkotojë, do të luftojë, do të tallë, do të shajë, do të largojë nga vendi, këtu Profeti ndaloi se i dhembi, dhe i çuditur pyeti: “Pse, a do të më nxjerrin me forcë?!” Uereka ia ktheu: “Po, nuk ka ardhë asnjë njeri me këtë që erdhe ti, e të mos jetë persekutuar. Nëse më zë dita jote, do të ndihmoj.”
Ashtu siç donte Meken e nderuar, pas vendosjes në Medinë, tërë kontributin e tij, Profeti e kishte përqendruar në atdheun e dytë. E luste Allahun që ta pajisë me dashuri për të në këtë mënyrë: “O Allahu ynë! Na e bëj Medinën të dashur, ashtu siç e duam Meken, apo edhe më shumë.” (Buhariu) Profeti ynë, aq shumë e donte Medinën, saqë kur dilte për ndonjë luftë apo udhëtim mallëngjehej shumë për të. Buhariu transmeton nga Enesi se kur Profeti Muhamed (a.s.) kthehej prej ndonjë udhëtimi dhe afrohej afër Medinës, aq sa shihte rrugët, pemët apo muret e saj, e nxiste devenë ose kalin të nxitonte. Kjo vinte pikërisht nga dashuria që ai ndiente për të.
Bazamenti i atdhetarizmit në Islam është besimi, e kurrsesi fanatizmi racor apo kombëtar. Atdhetarizmin që Islami e refuzon është ai racor, grupor, i cili ummetin dëshiron ta ndajë në grupe të dobëta, që urrejnë njëra tjetrën dhe shajnë e fyejnë në vend që të ndihmohen e të përkrahen. Thotë Profeti Muhamed (a.s.): “Nuk është më i mirë arabi ndaj joarabit, përveçse me devotshmëri”. (Ahmedi)
Në këtë kohë, vërejmë që bota është bërë si një fshat global. Popujt e të gjitha kombeve, feve dhe kulturave gjenden në të gjitha shtetet. Kjo kërkon që liderët e çdo vendi të vlerësojnë dhe respektojnë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë njerëzve. Padrejtësitë dhe egërsitë duhet të eliminohen dhe në vend të tyre duhet të mundohemi për të vendosur drejtësinë e vërtetë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është që bota të arrijë t’a njohë Krijuesin e saj. Çdo lloj besnikërie, duhet të lidhet me besnikërinë ndaj Zotit. Nëse do të ndodhë kjo, atëherë me sytë tanë do të mund të dëshmojmë tek njerëzit e të gjitha vendeve, nivelet më të larta të besnikërisë dhe do të hapen rrugët më të reja që na çojnë drejt paqes dhe sigurisë në mbarë botën.
Dashuria dhe besnikëria ndaj atdheut që pretendojmë, kërkon edhe sakrificë për të, kërkon kontribut të vazhdueshëm për t’i sjellë atij çdo të mirë dhe për të larguar prej tij çdo të keqe. Shqiptari e ka treguar dashurinë ndaj atdheut të vet brez pas brezi dhe ka përballuar shumë stuhi gjatë jetës së tij për liri. Shumë prej tyre kanë rënë në fushën e betejës dhe kanë marrë titullin e dëshmorit apo të shehidit. Besimtarët atdhedashës janë njëkohësisht edhe besimtarë besnik e të devotshëm, sepse nuk lejojnë që t’u preket feja dhe besimi i tyre, si dhe të merret nëpër këmbë atdheu.
Duke mbrojtur fenë islame, ne mbrojmë atdheun, sepse të mbrosh atdheun do të thotë të mbrosh dinjitetin tënd, të familjes tënde dhe atë kombëtare. Zoti na e shtoftë dashurinë dhe besnikërinë për atdheun.
Dorian Demetja
Post Views: 7