-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024


Ç’pritet nga mandati i ri i Putinit në krye të Rusisë?

Më të lexuarat

Ndrysho diçka, në mënyrë që të mos ndryshojë asgjë

Nga Lorenzo Piccioli, Formiche.net

Ceremonia e fillimit të mandatit të ri të presidentit të rizgjedhur rus, Vladimir Putin, është një ritual që meriton të shihet dhe analizohet me vëmendjen e duhur. Dhe ndoshta edhe me një përqëndrim më të madh se sa katwr rastet e mëparshme.

Tek e fundit, në ceremonitë e kaluara nuk kishte as një konflikt në shkallë të gjerë, si ai që po ndodh në Ukrainë, i cili ka hyrë tashmë në vitin e tretë, dhe as reforma kushtetuese që i hapi dyert mandatit të tretë radhazi për udhëheqësin aktual të Rusisë, duke e ndërprerë të ashtuquajturën “qeverisje dyshe”, dhe duke forcuar më tej tiparin tashmë shumë të theksuar personalist të sistemit rus të pushtetit. Një personalizim, që prek jo vetëm majën më të lartë të pushtetit, por edhe të gjithë rrethin e tij.

Tani, disa figura kanë marrë rolin e “konstanteve” brenda sistemit të pushtetit të Putinit. Për shembull, një i tillë është ministri i Jashtëm Sergei Lavrov apo edhe ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu. Por edhe drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Federatës Ruse (FSB) Aleksandr Bortnikov, drejtori i Shërbimit të Jashtëm Informativ Sergei Naryškin dhe të tjerë.

Edhe pse ndonjëherë kanë ndryshuar rolet (para se të bëhej ministër i Mbrojtjes, Shoigu ishte kreu i Ministrisë së Situatave Emergjente, dhe më pas për një kohë të shkurtër guvernator i rajonit të Moskës; ndërsa përpara se të merrte drejtimin e SVR-së, Naryškin ishte për 5 vjet kryetar i Dumës, Parlamentit rus), këta “njerëz të presidentit” përbëjnë plastifikimin e vazhdimësisë së regjimit, si dhe të kontrollit të fortë të Putinit në sistemin rus.

Por fillimi i mandatit të pestë të Putinit mund të përfaqësojë një mundësi për të dërguar një sinjal ndryshimi. Ceremonia e betimit, në të cilën presidenti rus i zgjati edhe një herë dorën Perëndimit, për aq kohë sa ky gjest është në përputhje me kërkesat e Moskës, nuk lë asgjë për t’u imagjinuar në këtë kuptim.

Por prej disa javësh, analistët kanë sugjeruar mundësinë e një riorganizimi të qeverisë, që simbolizon fillimin e një “faze të re”. Një riorganizim, në të cilin mund të rrëzohen figura të rëndësishme. Një nga më të njohurat është ajo e Sergei Shoigut, reputacionit i të cilit është dëmtuar shumë nga përparimi i ngadaltë i atij që deri vonë u quajt Operacioni Ushtarak Special, dhe sot është lufta e vërtetë në Ukrainë. Por edhe rebelimi i mercenarëve të Grupit Vagner të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin qershorin e vitit të kaluar.

Arrestimi kohët e fundit i zëvendësministrit të Mbrojtjes Timur Ivanov për korrupsion, konsiderohet si një tregues se Kremlini po kthehet pikërisht në këtë drejtim, si për mënyrat “spektakolare” të arrestimit, ashtu edhe për afërsinë e madhe të Ivanovit me Shoigun.

Një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Shoigun, siç raportohet edhe nga Politico, është Dmitry Patrushev, ministri aktual i Bujqësisë dhe djali i Sekretarit të Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev.

Zgjedhja e pasardhësve të dinastisë Patrushev, do të ishte në përputhje me tendencën e ndjekur në vitet e fundit nga Kremlini, duke zgjedhur “rekrutë të rinj” midis ish-truprojave të Putinit apo midis të afërmve në moshë më të re të atyre që janë pjesë e rrethit të tij të brendshëm, të konsideruar si kandidatë që mund të mbahen lehtë nën kontroll.

Festimet madhështore të 9 majit në përkujtim të fitores në Luftën e Dytë Botërore, mund të jenë mundësia ideale për të shpallur një ndryshim në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Por edhe për ta vënë theksin tek një ndryshim i ritmit në krahasim me vitet e mëparshme në konfliktin në Ukrainë, në një kohë kur tendenca e këtij të fundit duket të jetë më pak e pafavorshme për Moskën sesa në situata të tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit