Shumica e furrëtarëve, sidomos në kryeqytet po e shfrytëzojnë mungesën e inspektorëve për ngritje enorme të çmimeve. Tani disa muaj nuk ka ngritje çmimi të bukës standarde, por vrehen çmime stratosferike të ngritura të produkteve të tjera nga mielli, sidomos të pjekurinave, të konsumuara më së shumti nga nxënësit dhe fëmijët.
Çmimi i bukës në Kosovë, i asaj standardës, 500 gramshe, që është më e konsumuara dhe më popullorja në familjet kosovare, që ka kohë, një vit e më shumë është 50 e 60 centë, varësisht nga furrat dhe nga qyteti, është shumë i shtrenjtë dhe përtej fuqisë blerëse të kosovarëve në përgjithsësi.
Në bazë të analizave dhe llogarive më të detajuara çmimi i bukës del të jetë shumë i lartë edhe po të krahasohet me çmimet e ngritura të materialit riprodhues të nevojshëm për ta prodhuar një bukë. Me fjalë të tjera, më kot ankohen furrëtarët se me vështirësi po i mbulojnë shpenzimet e bizneseve të tyre, për shkak, siç thonë ata, të ngritjës së madhe të çmimeve të miellit, energjisë elektrike, druve, qirave dhe të disa materialeve më të imta të nevojshme për ta bërë një bukë për treg.
Ata, furrëtarët dhe bizneset e tyre në vendin tonë, vazhdojnë të fitojnë shumë, të shtojnë financat e tyre dhe vazhdojnë të ankohen për marzhën e vogël të fitimit nga buka që shesin. Ankesat e shumta të tyre, po i shfrytëzojnë për ngritje enorme të çmimeve, tani jo të bukës standarde, për të mos rënë shumë në sy dhe për të mos nxitur revoltë të konsumatorëve, por të produkteve të tjera nga mielli, sidomos të pjekurinave.
Pjekurinat, dihet, i konsumojnë më së shumti nxënësit dhe fëmijtë. Dhe për këtë shkak, furrat në qytetet e Kosovës, sidomos në kryeqytet, shumica e tyre, janë shumë pranë shkollave. Thjeshtë furrëtarët, shumica absolute e tyre, e sidomos e atyre që bizneset e veta (furrat) i kanë të vendosura dhe kryejnë veprimtarinë rreth e çark shkollave kanë kërkesë të bollshme karrshi ofertës, po kështu, të bollshme për pjekurinat e larmishme dhe të shumta, por të gjitha në vëllim dhe peshë fare të vogël. Shesin shumë, qarkullojnë shumë para nga tregtimi i pjekurinave me çmime stratosferike dhe të ngritura përditë në përqindje jo të pakta.
Tani, aktualisht pra, një pjekurinë (“gjevrek”) që në asnjë mënyrë nuk peshon më shumë se 100 gramë furrtarët e Prishtinës (ata që furrat e tyre i kanë rredh e çark shkollave) e tregtojnë 40 centë, ose përafërsisht sa një bukë standarde (500 gramshe), ndërkohë që vetëm para disa ditësh i njëjti produkt shitej saktësisht 30 centë, që i bie se brenda ditësh çmimi i një “gjevreku”, që është më shumë i dedikuar për nxënësit e shkollave të kryeqytetit është shtrenjtuar 30 e më shumë për qind.
Njësojë veprohet edhe me pjekurinat e tjera (kiflet e lloj-llojshme, kuleqë të ndryshëm,etj). Dhe prap vazhdojnë të ankohen për çmimet e bukës që me vështirësi po ua mbuluakan shpenzimet e prodhimit.
Ndërsa nxënësit vazhdojnë të mbushin hapësirat e furrave dhe të presin në radhë përditë dhe me përafërsisht të njëjtin itinerar. Nuk kanë nxënësit shumë zgjidhje për të siguruar shujtën e nevojshme. Ata duan të hanë, dhe detyrohen të paguajnë çmimet e shtrenjtuara shumë dhe shumë shpesh.
Çmimet e reja të fundit, janë ngritur pikërisht në të njëjtën kohë kur mullisët e Kosovës paralajmëruan të ndodhë ulje e çmimit të bukës. Përfaqësuesit e mullisvë të vendit kanë thënë kohë më parë se çmimi aktual i bukës mund të bie dita ditës pasi po paralajmërohet ulje e çmimit të miellit.
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu, ka thënë për medie se “kemi sasi të mjaftueshme të grurit”.
“Pritët me zbritë çmimet e miellit. Kemi sasi të mjaftueshme të grurit dhe të miellit, kjo sasi nuk di a është e mjaftueshme edhe për vitin e ardhshëm varet në situatën globale që ndodh, por aktualisht jemi mirë me situatën me miellin”, u shpreh ai me këtë rast.
Ndërkohë, me t’u bërë publike kjo deklaratë e të parit të mullistëve të Kosovës, furrtarët kanë ngarendur për të manipuluar me çmime e produkteve të tyre. Nuk kanë ngritur çmimet e bukës standarde. Por, për t’i shtuar fitimet e tyre para se të ndodhë eventualisht ulja e çmimit të bukës, kanë ngarendur për të ngritur çmimet, edhe ashtu enorme të pjekurinave. Dhe “kurrgjë kurkujt”. Nxënësit vrapojnë kah furrat, pronarët e të cilave “fërkojnë” duartë për fitimet e tyre manipulative, ndërsa shteti e pushteti bëjnë “sehir’.
Madje siç duket, edhe po të dojë shteti të parandalojë ‘lojrat’ manipulative të furrtarëve, tani për tani është i pafuqishëm, Qëkur janë hequr fare nga shërbimet komunale inspektorët e tregut nëpër komunat e Kosovës (në komunat e Kosovës nuk ka inspektor tregu, inspektor sanitar etj., përafërsisht qe 5-6 vjet), kontrollet e manipulimit me çmime të tregtarëve, thuaja është bërë e pamundur të bëhen.
Inspektorët e tregut të nivelit qendror, në numër mjaftë të kufizuar, nuk mbërrijnë të bëjnë kontrollet e domosdoshme dhe tepër të nevojshme. Prandaj, furrtarët tanë bëjnë si duan vet, pa e ndier dhe përjetuar fare “dorën’ e shtetit dhe të kontrolleve të domosdoshme të tij./Buletini Ekonomik