3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Cilat janë shkaqet që na ndihmojnë që namazin ta falim me përulje?

Më të lexuarat

Shkaqet që e sjellin përuljen  në namaz

 Pa dyshim që ekziston një mangësi dhe zbrazëti gjatë kryerjes së namazit dhe duhen plotësuar shkaqet që sjellin përuljen. E ndoshta, në këtë shpejtësi do t’i përmendim disa shkaqe që ndihmojnë të arrihet përulja në namaz me lejen e Allahut.

1. Besimi i vërtetë dhe bindja e prerë rreth vlerës së madhe që e ka përulja në këtë botë dhe në tjetrën. Gjithashtu, ndjenja e qetësisë, mirëqenies, rehatisë që është e pashembullt dhe shpirtbardhësi që tejkalon çdo përshkrim. Allahu thotë: “Është e sigurtë se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.” (Muminun, 1-2)

Uthman bin Afani transmseton se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka një musliman që e arrin një namaz obligativ dhe ai përsosë abdestin, përuljen dhe rukun në të, e që të mos jetë shpagim i mëkateve të mëparshme çdoherë, përderisa nuk bën mëkate të mëdha.” (Muslimi)

Ndërsa, ajetet dhe hadithet që flasin për vlerën e përuljes janë të shumta.

2. Leximi i shpeshtë i Kuranit, dhikri, këkrimi i faljes dhe të mos biseduarit shpesh pa u përmenduar Allahu, siç  ka ardhur në hadith: “Mos flisni shumë pa e përmendur Allahun, ngase biseda e tepert pa e përmendur Allahun e ngurtëson zemrën dhe njeriu më i largët prej Allahut është ai që ka zemër të ngurtë.” (Tirmidhiu)

Leximi i Kuranit dhe meditimi  në të është nga shkaqet kryesore që e zbut zemrën. Allahu thotë: “Allahu e shpalli të folurën më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre…” (Zumer, 23) Ndërsa leximi dhe dhikri janë mburojë nga shejtani dhe cytjet e tij dhe janë qetësim i zemrës, i cili ju mungon shumicës së njerëzve. Allahu thotë: “Ata që besuan me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” (Rrad, 28) Përmendja e shpeshtë e Allahut është një nga shkaqet e shpëtimit. Allahu thotë: “Por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.” (Xhumua, 10) 

Këtu nuk dëshirojmë të flasim gjerësisht për vlerën e dhikrit por, vetëm dëshiruam të tregojmë se dhikri është prej shkaqeve që sjellin përuljen, e ai që do të dijë për vlerën e dhikrit le t’i kthehet librit të Allahut dhe lutjeve të vërtetuara nga fjalët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

3. Kujdesi që të luftohet shejtani, duke u bërë i vendosur në luftimin e tij, qysh para se të ngrihet për të falur namazin, e edhe nëse i hyn atij në fillim të namazit nuk i dorëzohet në mesin apo fundin e tij, por duhet që ta luftoje shejtanin deri në momentin e fundit të namazit të tij. Shejtani mundohet t’ia kujtojë këtë e atë, ashtu që mos të jetë i vëmensdhëm në namazin e tij. Uthmani transmeton se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai shejtan quhet hanzeb, kur ta ndjesh atë atëherë kërko strehim tek Allahu prej tij dhe pështy në të majtën tënde tri herë.” (Muslimi) Transmetuesi i hadithit thotë: “E kam vepruar këtë dhe Allahu i lartësuar e largoi atë nga unë.”

D.m.th. duhet që namazliu vazhdimisht ta luftojë atë dhe të mos pushojë e të angazhohet maksimalisht. Nëse nuk përulet në këtë namaz atëherë, le të vendos të jetë i përulur në namazin tjetër. Nëse në këtë namaz ka mangësi në përujen e tij, atëherë le ta plotësojë në atë që pason. Dhe mos të mërzitet nga kjo betejë e gjatë dhe le të kërkojë nga Allahu i Lartësuar ta ndihmojë në këtë.

4. Vetëllogaritja e vazhdueshme e nefsit dhe qortimi i tij për gabimet në besim, fjalë apo vepër. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni!”

Udhëheqësi i besimtarëve, Omer bin Hatabi thoshte: “Llogariteni veten tuaj para se të jeni llogaritur! Peshoni veten tuaj para se të peshoheni! Zbukurohuni për paraqitjen më të madhe!”

5. Gjithashtu, të larguarit nga mëkatet, duke e larguar shikimin nga ajo që ndalohet të shikuarit e saj, e kështu edhe ruajtja e gjuhës, dëgjimit dhe tërë gjymtyrëve, si dhe angazhimin e tyre në atë që e veçon nga adhurimi dhe t’i largosh nga harami në leximin e librit të Allahut, sunetit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), librave të dobishëm dhe në atë që lejohet shikimi i saj, meditimi në krijesat e Allahut të Lartësuar, të dëgjuarit e fjalëve të mira dhe të dikskutuarit për atë që është e mirë.

S’ka dyshim se mëkatet e ngujojnë robin dhe e kufizojnë nga të kryerit e ibadeteve, ashtu siç duhet. Çdo njeri e di se çfarë mëkate i vepron dhe ai duhet të angazhohet ta përmirësoj gjendjen e tij e përmirësimi është i lidhur me vetëllogaritjen, ashtu që njeriu kur e llogarit veten e tij hulumton në atë se çfarë do ta përmirësoj.”

6. Meditimi dhe angazhimi për kuptimin e asaj që thuhet në namaz dhe duke mos e larguar shikimin nga sexhdeja, e që me këtë të mundohet të ndjejë rëndësinë e këtij qëndrimi. Ibn Kajimi në “Feuaid” thotë” “Robi qëndron para Allahut dy herë, një herë në namaz dhe tjetrën ditë që do ta takon Atë. Ai që e ka kryer siç duhet qëndrimin e parë, i dyti do të jetë i lehtë për të. Allahu thotë: “Dhe falu për hirë të Tij në një kohë të natës, pastaj adhuroje Atë edhe natën më gjatë. Vërtet, ata (idhujtarët) e duan shumë këtë jetë dhe e zënë për asgjë ditën e rëndë që i pret.”

Patjetër këtij qëndrimi duhet t’i jepet ajo që meriton prej nënshtrimit, përuljes, modestisë në shenjë madhërimi ndaj Allahut të Lartësuar, duke patur parasysh, ky namaz është namazi i fundit në këtë botë e nëse do të ndjente këtë namzliu në veten e tij, do ta falte namazin me përulje.

Ebu Ejub Ensariu transmeton se erdhi një njeri te  Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “O Pejgamber i Allahut, më këshillo shkurtimisht! Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Kur të ngrihesh për t’u falur, falu sikur të jetë namazi yt i fundit dhe mos fol ndonjë fjalë që arsyetohesh për të të nesërmen dhe bëhu indiferent nga pasuria e njerëzve.” (Ahmedi)

Përktheu: Driton Lekaj

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit