4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

CILA ËSHTË VLERA E PËRMENDJES SË ALLAHUT?

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُواْ لِي وَلاَ تَكْفُرُونِ﴾

“Prandaj më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj ju. Më falënderoni e mos i mohoni mirësitë e Mia.”[1]

﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا﴾

“O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.”[2]

﴿وَالذَّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيرًا وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُم مَّغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا﴾

“Ata që i bëjnë shumë dhikër Allahut[3] dhe ato që i bëjnë shumë dhikër Atij, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”[4]

﴿وَاذْكُر رَّبَّكَ فِي نَفْسِكَ تَضَرُّعًا وَخِيفَةً وَدُونَ الْجَهْرِ مِنَ الْقَوْلِ بِالْغُدُوِّ وَالآصَالِ وَلاَ تَكُن مِّنَ الْغَافِلِينَ﴾

“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, – në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që janë të shkujdesur.”[5]

Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend Zotin e tij, është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.”[6]

“A t’ju tregoj punën më të mirë që ju mund të bëni, që ju quhet më e pastër e më e begatë te Zoti juaj, që ju ngre më lart në gradat tuaja në Xhenet, që është më e mirë për ju sesa të shpenzoni arin dhe argjendin në rrugë të Allahut dhe më e mirë sesa të përlesheni në luftë me armikun e kështu t’i vrisni dhe t’ju vrasin?” Ata thanë: “Po si jo”. Pejgamberi ﷺ tha: “Të përmendësh Allahun e Lartësuar.”[7]

“Allahu i Lartësuar thotë: ‘Unë do të sillem me robin Tim ashtu si mendon ai se do të veproj me të. Unë jam me të (me mëshirën, ndihmën dhe suksesin që i jap) kur ai më përmend. Nëse ai më përmend në vetvete, Unë e përmend në Vetvete. Nëse ai më përmend në një grup, Unë e përmend në një grup më të mirë (te melekët e afruar tek Ai). Nëse ai afrohet tek Unë një pëllëmbë, Unë afrohem drejt tij një kut (sa një parakrah). Nëse ai afrohet tek Unë një kut, Unë afrohem drejt tij një pash. Nëse ai vjen tek Unë duke ecur, Unë do të shkoj drejt tij me nxitim.”[8]

Abdullah ibn Busri tregon se një burrë tha njëherë: “O i Dërguari i Allahut, punët (nafile) të islamit më janë bërë shumë (dhe nuk kam mundësi t’i kryej). Ndaj, më trego diçka me shpërblim të madh që të merrem me të.” Pejgamberi ﷺ i tha: “Mbaje gjuhën vazhdimisht të njomë me dhikrin e Allahut.”[9]

Pejgamberi ﷺ, po ashtu, ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, do të fitojë një sevap. E një sevap shpërblehet me dhjetëfishin e tij. Nuk po ju them se “elif, lam, mim” bashkë llogariten si një shkronjë, por “elif” llogaritet një shkronjë, “lam” një shkronjë dhe “mim” një shkronjë më vete.”[10]

Ukbe ibn Amiri t tregon se, njëherë, kur i Dërguari i Allahut ﷺ doli, ne ishim në Suffe[11]. Ai tha: “Cili prej jush dëshiron të shkojë herët çdo ditë në But’han ose në Akik[12] e të sjellë prej andej dy deve me gunga të mëdha, jo në mënyrë të paligjshme (si me vjedhje, plaçkitje etj.) dhe as duke cënuar lidhjet farefisnore?” Ne i thamë: “Të gjithë e pëlqejmë këtë gjë, o i Dërguari i Allahut.”

Pejgamberi ﷺ tha: “Të shkoni në xhami e të mësoni ose lexoni dy ajete prej Librit të Allahut të Lartësuar, është më e mirë për ju se dy deve. Po ashtu, tri ajete janë më mirë se tri deve, katër ajete janë më mirë se katër deve; e kështu, çdo ajet më tepër që mësoni apo lexoni është më mirë se çdo deve më tepër.”[13]

Gjithashtu Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Kushdo që ulet diku dhe nuk përmend Allahun aty, Allahu do të bëjë që, për shkak të kësaj shkujdesjeje, të dëshpërohet; dhe kushdo që shtrihet diku dhe nuk e përmend Allahun aty, Allahu do të bëjë që të dëshpërohet”.[14]  “Nëse disa njerëz ulen në një tubim dhe nuk e përmendin Allahun aty e as bëjnë salavatë për Pejgamberin ﷺ, Allahu do të bëjë që të dëshpërohen. E kështu, nëse Allahu dëshiron, i dënon, e nëse dëshiron, i fal.”[15]

“Ata njerëz që ngrihen nga një kuvend pa përmendur Allahun aty, ngrihen njësoj si nga një vend ku ka kërmë gomari dhe, do të pendohen në Ditën e Gjykimit.”[16]

[1]Bekare: 152.

[2]Ahzab: 41.

[3][Fjala ‘dhikër’ do të thotë: të përmendësh Allahun. Shprehja ‘bëjmë dhikër’ do të thotë: përmendim Allahun e Lartësuar. Te dhikri hyn edhe lutja dhe istigfari (kërkimi i faljes)].

[4]Ahzab: 35.

[5]Araf: 205.

[6]Buhariu dhe Muslimi, por ky i fundit e sjell me këto fjalë: “Shtëpia në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpia në të cilën nuk përmendet Allahu është si shembulli i të gjallit me të vdekurin”.

[7]Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe (Sahih Tirmidhi).

[8]Buhariu dhe Muslimi.

[9]Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe (Sahih Tirmidhi).

[10]Tirmidhiu (Sahih Tirmidhi).

[11][Suffa ka qenë një strehë nën hije, në xhaminë e Pejgamberit ﷺ, ku strehoheshin të varfërit që nuk kishin ku të banonin].

[12][But’han dhe Akik ishin emra luginash në afërsi të Medines].

[13]Muslimi.

[14]Ebu Davudi (Sahihul Xhami).

[15]Tirmidhiu (Sahih Tirmidhi).

[16]Ebu Davudi dhe Ahmedi (Sahihul Xhami).

 

Seid el Kahtani – MBUROJA E MUSLIMANIT – (Dhikri i Kuranit dhe Sunetit)

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit