GAZA (AA) – Një çift i ri palestinez nga Gaza ka kryer ritin e martesës në një tendë pranë kufirit me Izraelin në shenjë mbështetjeje për “Marshin e Kthimit të Madh” që organizohet për të kërkuar të drejtën e kthimit të palestinezëve të dëbuar në tokat e tyre të okupuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Palestinezi Muhammed el-Hindi (23) tha për AA se dëshira e tij ka qenë që dasmën ta bëjë në kufi për t’i dalë në mbështetje demonstratave paqësore.
Dasmën e tij të realizuar në tendë Hindi e cilësoi si “mesazh për Izraelin për kthimin e palestinezëve në tokat e okupuara në vitin 1948”.
“Gëzimi nuk është vetëm në shtëpinë tonë por edhe në kufijtë tanë ndërsa gëzimi i shtetit tonë është afër”, tha dhëndërri palestinez.
Ndryshe, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 32 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe mbi 3.000 janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin nën moton “Marshi i Kthimit të Madh”.
Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.
Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit.