8.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Çfarë nënkuptojnë testimet raketore për marrëdhëniet SHBA-K.Veriore

Më të lexuarat

Më poshtë vështrojmë testimet e fundit të raketave nga verikoreanët dhe motivet e tyre.

Çfarë ndryshon në strategjinë e Koresë Veriore këtë herë?

Koreja Veriore ka një histori të gjatë të kryerjes së testeve të armëve të mëdha, kryesisht në kohën kur qeveritë e reja nisin mandatet, sidomos në SHBA dhe Korenë Jugore.

Në shkurt të vitit 2017, më pak se një muaj pasi Donald Trump kishte marrë pozitën e presidentit amerikan, Koreja Veriore ka testuar një raketë me rreze të mesme, e cila sipas vëzhguesve ka treguar avancimin në fushën e armëve.

Më vonë më 2017, katër ditë pasi presidenti jugkorean Moon Jae-in ishte inauguruar, Koreja Verore ka testuar atë që e ka konsideruar armë të re, raketë me rreze të mesme me kapacitet bërthamor.

Më 2009, Koreja Veriore ka testuar edhe një raketë me rreze të gjatë dhe një test bërthamor brenda muajve të parë të mandatit të parë të administratës së ish-presidentit amerikan Barack Obama.

Andaj, testimet e këtyre armëve duket se janë vazhdimësi e traditës, mirëpo ekspertët besojnë se ky shtet është zmbrapsur nga provokimet më serioze, sepse administrate e Bidenit është në proces e sipër të vlerësimit të politikës që do të ketë kundrejt Koresë Veriore.

Katër raketat e testuara këtë javë kanë qenë me rreze të shkurtër dhe nuk përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë në tokën amerikane. Sipas Koresë Jugore, raketat e testuara të dielën janë lëshuar në det, mirëpo Japonia ka thënë se raketat e testuara të enjten kanë qenë balistike, armë më provokuese, të cilat Koreja e Veriut e ka të ndaluar t’i testojë sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Çfarë kërkon Koreja Veriore?

Atë që e ka dashur gjithmonë: heqjen e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, pa u penguar në zhvillimin e programit bërthamor”, ka thënë Moon Seong Mook, analist nga Instituti Kërkimor Korean për Strategji Kombëtare, me seli të Seul, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Për shkak se administrata e Bidenit nuk duket se do ta bëjë një gjë të tillë në të ardhmen e afërt, disa ekspertë kanë thënë se Koreja Veriore mund të nxisë provokime më të madha, sikurse testime të raketave me rreze të gjatë, apo shpërthime bërthamore.

Tani për tani, ky vend duket se është duke tentuar të rrisë retorikën, bashkë me testimet e raketave me rreze të vogël.

Në muajin janar, vetëm 10 ditë para se Biden të niste punën, lideri vereikorean Kim Jong Un ka njoftuar se ai do të rrisë arsenalin e tij bërthamor dhe do të rrisë kapacitetet ushtarake të shtetit për t’u përballur me politikën armiqësore të SHBA-së dhe kërcënime tjera.

Ai po ashtu i ka bërë presion Koresë Jugore që të pezullojë stërvitjet e rregullta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, nëse do përmirësim të lidhjeve.

Kur ushtria amerikane dhe ajo jugkoreane vazhduan stërvitjet e tyre pranverore këtë muaj, motra e fuqishme e Kimit, Kim Yo Jong, ka paralajmëruar SHBA-në që të përmbahet nga skandalet, nëse dëshiron të “fle në paqe” në katër vjetët e ardhshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se Uashingtoni ka tentuar të kontaktojë Phenjanin në mesin e muajit shkurt, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Megjithatë, Blinken ka kritikuar Korenë Veiore sa u përket të drejtave të njeriut dhe ambicieve bërthamore, gjatë një vizite në Seul javën e kaluar.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes në Korenë Veriore Choe Son Hui ka thënë se shteti i saj do të vazhdojë të injorojë oferta të tilla të SHBA-së, për shkak të asaj që e ka konsideruar armiqësi amerikane.

Testimet e fundit duket se janë shembull i Koresë Veriore “që i përmbush kërcënimet e Kim Yo Jongut, meqë ajo ka thënë se SHBA-ja nuk mund të fle e qetë nëse nuk pranon kërkesat e këtij shteti”, ka vlerësuar Moon Seong Mook.

Çfarë tash?

Ekspertët thonë se ka pak mundësi që administrata e Bidenit të tërhiqet dhe të bëjë lëshime përballë testimeve të raketave nga verikoreanët.

Biden, i cili e ka quajtur Kimin “bandit”, po ashtu nuk pritet të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta me Kimin, përveç nëse ai zotohet se Koreja Veriore do të heqë dorë nga armët bërthamore – dhe kur zyrtarët të konfirmojnë se ky shtet është i sinqertë.

Në kohën e marrëdhënieve kësisoj, Koreja Veriore mund të përfundojë duke testuar raketa edhe më të mëdha, sidomos nëse nuk është e kënaqur me Politikën e administratës Biden ndaj Koresë Veriore, e cila pritet të publikohet shpejt.

“Biden nuk duket se do të ketë samit të stilit të Trumpit, me Kimin.. Agonia e Kimit në katër vjetët e ardhshëm do të thellohet dhe loja e tij me armë bërthamore nuk do të mund të vazhdojë”, ka thënë profesori Nam Sung-Wook.

Koreja Veriore madje mund të testojë edhe raketa me rreze të gjatë dhe ato bërthamore, të cilat Kim Jong Un pati pezulluar, kur pati nisur të angazhohej në rrafshin diplomatik me Uashingtonin.

Ndërkohë që Kim Jong Un ka pretenduar se ka kapacitet të sulmojë tokën amerikane me raketa bërthamore, ekspertët jashtë këtij shteti kanë thënë se Koreja Veriore nuk ka arritur deri në atë pikë.

Një provokim i tillë mund të nxisë, pa dyshim, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të shtojnë sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Koresë Veriore.

Por vënia e sanksioneve më të ashpra mund të jetë gjë e vështirë për shkak të Kinës, e cila ka lidhje të ngushta diplomatike me Korenë Veriore.

Kina po ashtu ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Marrë parasysh tensionet aktuale me Uashingtonin, Kina nuk mund të pajtohet shpejt për më shumë sanksione, edhe nëse Koreja Veriore kryen testime bërthamore, ka thënë analisti Du Hyeogn Cha, nga Instituti për Studime të Politikave Asan.

Biden: Nëse situata përshkallëzohet, do të përgjigjemi”

Në konferencën e parë me gazetarë, prej kur ka marrë detyrën e presidentit, Biden ka thënë më 25 shkurt se SHBA-ja do të përgjigjet në përputhje me rrethanat, nëse situata përshkallëzohet si pasojë e palës tjetër.

Ai ka thënë se ka qenë i përgatitur “për një lloj diplomacie” me Korenë Veriore, mirëpo që gjithçka duhet të ketë cak heqjen dorë nga armët bërthamore.

Përgatiti: Krenare Cubolli

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit