-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

ÇFARË MBJELLIM E KORRIM (HUTBE)

Më të lexuarat

Një thënie që shpesh e themi apo e dëgjojmë është kjo thënie: Çfarë mbjellim do ta korrim. Dhe kjo vlen për të dy botët; çfarë mbjellim në çështjet e dynjasë, e korrim atë, pra e gjejmë rezultatin e lodhjes sonë. Po ashtu çfarë mbjellim prej veprave të mira në dynja, do ta gjejmë shpërblimin inshaAllah në ahiret.

Po ashtu një thënie tjetër që e kanë thënë disa dijetarë islam është kjo: Ai që nuk hynë në Xhenetin e dynjasë, nuk do të hyjë në Xhenetin e ahiretit, në Xhenetin e vërtetë.

Qëllimi kësaj thënie për Xhenetin e dynjasë, është të ndiejmë kënaqësi në adhurim apo ibadet. Kënaqësia me njohjen e Allahut, është Xhenet i dynjasë. Kënaqësia që e ndiejmë kur të bëjmë tregti me Allahun, është Xhenet i dynjasë. Kjo kënaqësi apo ky Xhenet i dynjasë nuk shkruhet e as nuk përshkruhet, por shijohet apo përjetohet.

Shikojeni këtë lidhje: Për namazin që e bëjmë në dynja, çfarë shpërblimi do ta kemi në ahiret?

Xheriri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: Një natë, duke ndenjur me Pejgamberin ﷺ, e pa Hënën të plotë dhe tha: “Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç po e shihni Hënën: pa asnjë vështirësi. Po patët mundësi që të mos ju pengojë asgjë faljen e namazit të sabahut dhe të ikindisë, bëjeni.”[1]

Përse këto dy namaze? Sepse këto janë namazet më të rënda dhe më të vlefshme, për këtë edhe shpërblimi është më i madh.

Pasi që namazi i sabahut kërkon që ta prishësh gjumin, ndërsa namazi i ikindisë kërkon që t’i lësh punët e dynjasë, kjo sakrificë dhe ky mund nuk shkon huq, por shpërblehet me shpërblimin më të madh, e që është shikimi në Allahun e Madhëruar. Pra, mundi i madh shpërblehet me çmim të madh.

Kur jemi tek shikimi në Ditën e Kiametit, është edhe ana tjetër, ku do të ketë njerëz të verbër, të cilët nuk do të mund të shikojnë apo nuk do të mund ta shohin Allahun e Madhëruar.

Allahu thotë në suren Taha:

﴿قَالَ رَبِّ لِمَ حَشَرۡتَنِيٓ أَعۡمَىٰ وَقَدۡ كُنتُ بَصِيرٗا١٢٥ قَالَ كَذَٰلِكَ أَتَتۡكَ ءَايَٰتُنَا فَنَسِيتَهَاۖ وَكَذَٰلِكَ ٱلۡيَوۡمَ تُنسَىٰ١٢٦﴾

“Ai do të thotë: O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë, me të vërtetë, kam pasur të pamurit më parë?”

“(Allahu) i tha: Kështu (ke bërë); të kanë ardhur argumentet Tona, e ti i ke harruar ato. Kështu edhe ti sot do të jesh i harruar.” (Taha, 125, 126)

Po do të ringjallet i verbër, sepse nuk kishte dëshirë t’i shihte argumentet e Zotit, nuk ishte i interesuar për jetën tjetër.

Pastaj Allahu na tregon për ata që e kishin zemrën e zezë nga mëkatet, nga largimi prej udhës së Zotit, nga zilia që kishte ndaj njerëzve, të zezë nga urrejtja për Pejgamberët.

﴿كَلَّآ إِنَّهُمۡ عَن رَّبِّهِمۡ يَوۡمَئِذٖ لَّمَحۡجُوبُونَ١٥﴾

“Jo, jo, atë ditë, me të vërtetë, ata do të jenë të penguar që ta shohin Zotin e tyre.” (Mutafifin, 15)

Po, do të pengohet dhe do të privohen që ta shohin Allahun, sepse kanë mbjell perde dhe do të gjejnë perde. Vet me duart e veta e kanë mbjell këtë privim.

Kur jemi tek sadakaja, ne e dimë se Allahu edhe besimtarit edhe jobesimtarit i jep të mira për shkak të sadakasë.

Normalisht, jobesimtarit i cili jep lëmoshë dhe është bujar, Allahu i jep të mira në këtë dynja, i jep pasuri, i jep shëndet etj., por nuk merr shpërblim në botën tjetër.

Ndërsa besimtari i merr të gjitha këto privilegje, plus edhe shpërblimin në ahiret.

Pastaj sadakaja që e jep, nëse është prej sadakasë rrjedhëse, atëherë shpërblimi nuk i ndërpritet as me vdekje, por vazhdon t’i shkon atij edhe pas vdekjes.

A e shihni sa investime i bëjmë ne sot prej pagave tona, që ta kemi një trust apo një pension më të mirë. Edhe pse nuk e dimë a e marrim apo jo këtë trust apo pension, nuk e dimë a e arrijmë apo jo? Megjithatë, ne përgatitemi për të me vite të tëra, tridhjetë apo dyzet vite, për çdo muaj ndajmë prej pasurisë sonë.

Mirë, ne a jemi duke përgatitur trust për në ahiret? Secili mund t’i përgjigjet vetës së vet.

Shikojeni Ibrahimin ﷺ , Allahu na tregon për ‘Bejtu Mamurin’, një Qabe që ndodhet në qiell. Qabe e melekëve. Aty për çdo ditë hyjnë dhe bëjnë ibadet shtatëdhjetë mijë melekë. Në Qabenë e tokës bëjnë ibadet njerëzit, kurse në atë të qiellit melekët.

Në hadithin e israsë dhe miraxhit, Pejgamberi ﷺ  na ka treguar një gjë që ka të bëjë me temën tonë; Në qiellin e shtatë Pejgamberi ﷺ  është ngjitur deri tek ‘Bejtu Mamuri’ dhe aty e kishte parë Ibrahimin ﷺ  të mbështetur me shpinë për ‘Bejtu Mamurin’.

Po, Ibrahimi ﷺ  pasi ai e kishte ndërtuar Qabenë në tokë, Allahu ia mundësoi që tash të mbështetet në Qabenë e qiellit, ‘Bejtu Mamurin.’

Ta kuptojmë mirë: Këtu mbjellim, atje korrim. Këtu ndërtojmë, atje mbështetemi. Këtu sakrifikojmë, atje shpërblehemi.

E mira kthehet me të mirë edhe në këtë botë, e sidomos tek çështja e respektimit të prindërve. Për këtë ne jemi dëshmitarë të gjithë; ata që i respektuan prindërit e vet, Allahu u ka dhënë fëmijë të sjellshëm edhe këtyre. Ata që nuk i respektuan prindërit e tyre, sigurisht se i sheh se askush nuk i respekton ata.

Shikojeni Ibrahimin ﷺ , Allahu na e përmendi dialogun që i kishte ai me babanë e tij. Ibrahimi ﷺ  në katër ajete, sa herë që i foli babait, iu drejtua me fjalët:

﴿ يَٰٓأَبَتِ ٤٢﴾ ﴿ يَٰٓأَبَتِ ٤٤ ﴾ ﴿ يَٰٓأَبَتِ ٤٥﴾

“O babai im,” “o babai im,” “o babai im.”

Azeri, babai i Ibrahimit ﷺ , ishte idhujtar, dhe gjuha të cilën e përdori karshi Ibrahimit ﷺ , ishte shumë e vrazhdë:

﴿ لَئِن لَّمۡ تَنتَهِ لَأَرۡجُمَنَّكَۖ ٤٦﴾

“Nëse nuk ndalesh, do të gurëzojë!” (Merjem, 46)

Edhe pas kësaj gjuhe, Ibrahimi ﷺ  nuk ia ktheu me të keqe, e mori me të mirë:

﴿قَالَ سَلَٰمٌ عَلَيۡكَۖ ٤٧﴾

“Ibrahimi i tha: Selami (paqja) qoftë mbi ty!” (Merjem, 47)

Krejt kjo sjellje e mirë e Ibrahimit ﷺ , i tërë ky respekt ndaj babait, edhe pse nuk iu bind, nuk shkoi huq. Allahu e shpërbleu me fëmijë të mirë, Ismailin ﷺ , i cili do ta respektojë babanë e vet, Ibrahimin ﷺ .

E dini kur Allahu e urdhëroi Ibrahimin që ta ther Ismailin, çfarë i tha Ismaili:

﴿ قَالَ يَٰٓأَبَتِ ٱفۡعَلۡ مَا تُؤۡمَرُۖ ١٠٢﴾

“O baba, vepro çfarë je urdhëruar!” (Safat, 102)

Momenti ishte shumë i vështirë, Ibrahimi me thikë në dorë, duhej ta bëjë kurban djalin, të dashurin e zemrës, megjithatë Ismaili iu nënshtrua, nuk ia prishi, madje i foli me këtë gjuhë të but: “O baba.”

Kështu sjellja e mirë e Ibrahimit me babanë e vet, iu kthye me sjellje të mirë nga i biri i tij.

Hutbeja e dytë:

Ky rregulli çfarë mbjellim do ta korrim, vlen sikur për veprat e mira, ashtu edh për mëkatet.

P.sh. Pejgamberi ﷺ  ka treguar për rakinë: “Ai që e pi rakinë në dynja dhe nuk pendohet prej saj, do t’i ndalohet në ahiret.”[2]

Prandaj ata që ende pinë diç prej pijeve alkoolike, le ta dinë se nëse nuk pendohen prej tyre, nuk do të pinë verën e botës tjetër. Normalisht se në botën tjetër vera apo alkooli nuk janë dehëse, por do të jenë pije me të cilën kënaqen banorët e Xhenetit.

Po ashtu ata që i përcjellin të metat e të tjerëve, apo ata që merren me gabimet e të tjerëve, Pejgamberi ﷺ  ka treguar për ta: “O ju të cilët keni besuar me gjuhë, por që ende besimi nuk është futur në zemrat tuaja, mos i shqetësoni, e as mos i lëndoni e as mos ua numëroni të metat e muslimanëve. Ai që i numëron (ia përcjellë) të metat e vëllait të vet musliman, atëherë Allahu do t’ia numërojë të metat e atij. E kujtdo që ia numëron Allahu të metat, ia merr fytyrën edhe nëse është në shtëpinë e vete.” [3]

Bëjë vepra të mira se shpërblehesh, e lëri punët e hallkut se mund të të kushtojnë shtrenjtë!

[1] Buhariu nr.554.

[2] Buhariu nr. 5575.

[3] Tirmidhiu nr. 2032 dhe e saktëson shejh Albani.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit