8.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Çfarë do të sjellë legalizimi i martesave gay

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Disa organizata në mbrojtje të homoseksualizmit, kanë prodhuar një spot për të promovuar familjen që lind nga martesa e njerëzve me seks të njëjtë. Spoti përpiqet të tregojë se një familje e tillë është shumë e mirë dhe mund t’i rrisë fëmijët po aq mirë sa një familje që lind nga martesa mes një burri dhe gruaje. Ky spot transmetohet në të quajturat ditë kundër homofobisë, ditë të promovimit të homoseksualitetit. Po ashtu, në diskutim është edhe ndryshimi i Kushtetutës së vendit për Reformën në Drejtësi, e cila mes të tjerash do të prekë edhe një nen të parimeve të përgjithshme, duke lejuar martesat gay. Pas projektit për ndryshim të Kodit të Familjes dhe lejim të martesave gay, që ish-ministri i Çështjeve Sociale Erion Veliaj dërgoi në Ministrinë e Drejtësisë saktësisht dy vite më parë, ky është zhvillimi më domethënës në këtë drejtim. Shqipëria po përballet me vuajtje të shumta kudo, ndërkohë që asaj i shtohen edhe sfida si kjo, sfida të cilat do të vijnë duke u bërë edhe më të mëdha, duke qenë se pas tyre qëndron një lëvizje e gjerë, e cila te ne thjesht zgjatet në formën e vet totalitare. Mbi ç’shtrat qëndrojnë këto ide dhe mbi ç’këndvështrim janë sendërtuar këto zhvillime?
Christofer Dowson, një historian i njohur perëndimor i qytetërimeve, i parapriu në vitin 1930 trajektores së sotme, kur tha se “të gjitha shoqëritë në të kaluarën i kanë ndryshuar institucionet sociale dhe besimin fetar nën influencën e ndikimeve të jashtme apo nga ngadalësimi i rritjes së brendshme; sot ne përballemi vetëdijshëm me një ndryshim fundamental të besimit dhe institucioneve, në të cilat qëndron tërë fabrika e jetës shoqërore”. Dowson kishte parasysh atë që po ndodhte në Europë në atë kohë.
Rreth 20 vjet më herët (në 1909) Sigmund Freud, shkruajti, në përpjekje për të kuptuar seksin, se ai ka një shfaqje të plotë që në fëmijëri. Ai e quajti atë perversiteti polimorf dhe ajo që e bën të ndryshëm nga seksualiteti i periudhave të tjera është se fëmija demonstron çdo lloj sjelljeje me kënaqësi, pa asnjë lloj ndrydhjeje. Freud shpjegon se qytetërimi ngrihet vetëm pasi ky perversitet polimorf, i brendshëm, shtypet nga zakonet, normat dhe forma të tjera shoqërore e morale. Këtë shtypje Freud e quan të pashmangshme dhe të domosdoshme, pasi qytetërimi vdes pa prokrijim dhe pa çiftim heteroseksual.
Herbert Marcuse, një filozof me ndikim shumë të madh, iu rikthye atij në librin “Erosi dhe qytetërimi” gjysmë shekulli më vonë. Ai përzieu Marksin me Freudin, foli për çlirim seksual dhe e bëri atë teori. Sipas tij, i tërë problemi ishte tek ajo që Freud e quante të pashmangshme dhe të domosdoshme, shtypjen e perversitetit polimorf që shfaqet në fëmijëri. Kjo shtypje duhej zhbërë sipas Marcuse-s. Revolucioni i emancipimit seksual, siç njihet, i viteve 60-të u krye nën stuhinë e këtyre ideve.
Dekadat e fundit, disa nga kategoritë bazë të njerëzimit si gjinia, familja dhe martesa janë shënjestër e pikëpamjeve të tilla që janë kthyer në ideologji. Gjinia shihet si konstruksion social plastik, madje gjithë realiteti apo realitetet janë konstruksione plastike dhe parimet janë likuide. E vërteta është relative ose e gjithë e vërteta mund të konstruktohet socialisht dhe gjithçka që është konstruktuar mund të dekonstruktohet me qëllim që të çlirohet. Kësisoj martesa shihet si shtypje dhe si një produkt i evolucionit social, institucion që është zhvilluar sepse qytetërimi ka dashur një mënyrë për të mbrojtur dhe rritur fëmijët. Sërish duke evoluar familja mund të ndryshojë dhe tani mund të dalim të gjithë jashtë saj.
Në këtë rrokullimë mes divorcesh, fëmijësh që rriten me një prind e shumë plagësh të tjera, vjen edhe martesa mes njerëzve me të njëjtin seks, vjen edhe kërkesa e ministrit Veliaj për të ndryshuar ligjin. Në botë, debati është shumë i etshëm sidomos mbi fëmijët që rriten nga prindër gay dhe studimet më serioze janë të njëzëshëm në faktin se këta fëmijë shfaqin shumë dobësi, probleme dhe vështirësi. Për të kuptuar diçka nga kjo e vërtetë e frikshme, sidomos për fëmijët po shohim disa nga këto studime.
Profesor Mark Regnerus i universitetit të Austin-it, Texas, në një studim monumental “Sa të ndryshëm janë fëmijët që rriten nga prindër homoseksualë” të publikuar në Social Science Research 41(2012) ka marrë në shqyrtim persona të rritur nga mosha 18 në 39 vjeç. Ai vëren se 43% e atyre që janë rritur nga prindër heteroseksualë janë të martuar ndërsa nga ata që kanë nënën lesbike janë të martuar 36% dhe nga ata që kanë babanë gay janë të martuar 35%. Marrin ndihmë sociale 10% e atyre që vijnë nga familje heteroseksuale, 38% e atyre që kanë nënën lesbike dhe 23% e atyre që kanë babanë gay. Janë të papunë vetëm 8% e atyre që kanë prindërit heteroseksualë ndërsa nga ata që kanë nënën lesbike kjo shifër është 28% dhe ata me babanë gay janë në masën 20% të papunë. Kanë menduar për vetëvrasje vetëm 5% e atyre që kanë prindër heteroseksualë dhe 12% e atyre që kanë nënën lesbike dhe 24% e atyre që kanë babanë gay. Janë heteroseksualë mbi 90% e atyre që kanë prindër heteroseksualë ndërsa ata që kanë nënën lesbike janë në masën 40% homoseksualë dhe ata që kanë babanë homoseksual janë në masën 71% homoseksualë.
Shihet qartë se fëmijët që rriten nga prindër homoseksualë shfaqin probleme pa fund: martohen më pak, gjejnë punë më pak, marrin ndihmë sociale më shumë, bëhen homoseksualë në masë të madhe, mendojnë më shumë për vetëvrasje etj. etj. Po ashtu, Timothy Dailey, një kërkues i rëndësishëm i Qendrës për Studime mbi Familjen dhe Martesën, krahason çiftet homoseksuale me ato heteroseksuale në disa kategori. Ai vëren se 50% e martesave heteroseksuale zgjasin më shumë se 20 vjet, ndërsa vetëm 15% e homoseksualëve thonë se kanë një marrëdhënie të qëndrueshme.
Po ashtu, angazhimi mes partnerëve në martesë është pakrahasimisht i ndryshëm. Kjo për shkak se siç thonë Alan Bell dhe Martin Weinberg në ndoshta studimin më të rëndësishëm mbi marrëdhëniet mes homoseksualëve, botuar në “Journal of Sex research”, numri i partnerëve në këto marrëdhënie varion nga 100 në 500. Pra një jetë seksuale shumë e shthurur. Zyra e statistikave e departamentit amerikan të drejtësisë, (2002) thoshte se 11,4% e femrave lesbike dhunoheshin në një marrëdhënie, ndërsa shkalla e dhunës në marrëdhënie mes dy meshkujsh homoseksualë ishte në 15,4% të tyre. Te gratë në marrëdhënie heteroseksuale dhuna ishte në 0,26% të tyre dhe te burrat, kjo shkallë ishte në 0,05%.
Numri i studimeve në këtë lami është shumë i madh për shkak edhe të debatit të ashpër, por edhe sepse është një lami e re. Veç kësaj, duke qenë se kemi të bëjmë me një lëvizje me karakter totalitar, ajo rreket, dhe në shumë raste ia ka arritur, t’i bëjë të heshtin kundërshtarët. Vetë shoqata amerikane e psikologjisë, një nga më të mëdhatë në botë, kundërshton idenë se fëmijët që rriten nga prindër të të njëjtit seks kanë ndonjë dallim me të tjerët.
Shoqata në vitet ’70 drejtohej nga një autoritet si Leona Tyler, e cila vendosi një parim që njihet në shkenca sociale si parimi Leona Tyler. Sipas tij, asnjë pozicion i shoqatës nuk do ishte i pambështetur në prova shkencore. Sot, shoqata e ka rrëzuar këtë parim dhe i mban qëndrimet mbi baza ideologjike. Një grup sociologësh të njohur i dërguan një amicus curia Gjykatës Supreme në SHBA, gjatë shqyrtimit të çështjes “Hollingsworth vs Perry”, ku i kërkonin të mos i merrte në konsideratë qëndrimet e Shoqatës së Psikologjisë, pasi ishin joshkencore. Kryetari i mëpasshëm i shoqatës, Nicolas Cummings, i cili ndihmoi në avancimin e çështjes së homoseksualëve dhe e hoqi atë nga lista e sëmundjeve pa asnjë gjetje shkencore, thotë se shoqata kontrollohet nga lëvizja homoseksuale dhe ka rrëzuar parimin Tyler. Ai ka dhënë dorëheqjen si shenjë proteste.
Këtë qasje totalitare e vëmë re në Shqipëri, ku po shkohet drejt vendimesh të tilla madhore, si martesa e homoseksualëve, pa pasur asfare shqetësim nëse ka apo jo të drejta fëmijësh. Ky është një debat që do të vazhdojë, por nuk mund të thuhet kurrë që fëmijët nuk preken dhe që familja nuk preket. Të gjithë t’i duam homoseksualët si qenie njerëzore që kanë vuajtjen e tyre. Diskriminimi do të ishte një akt i ndyrë dhe pervers. Ata vetë kanë betejën e tyre, e cila nuk zgjidhet duke iu kundërvënë shoqërisë apo institucioneve të tilla si familja apo martesa.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit