Policia e Kosovës ka bërë të ditur procedurat e reja që kanë të bëjnë me ligjin e ri për kundërvajtje.
Për këtë, nënkoloneli në Policinë e Kosovës, Haxhi Krasniqi i cili njëherësh është dhe udhëheqësi i Komisionit për Vendosje që vepron në kuadër të drejtorisë së përgjithshme dhe që do merret me ligjin e ri për kundërvajtje, ka treguar në detaje procedurat, transmeton Indeksonline.
“Dallimi kryesor është se për gjobat mandatore nga 60 euro që policia ka shqiptuar deri më tani, tani ajo është rritur në 500 euro për persona fizikë dhe në 1000 euro për personat juridik. Gjithashtu vendimin në shkallë të parë në vend të ngjarjes tani e merr zyrtari policor. Ligji ka paraparë që qytetarët kanë të drejtë ankesë në shkallën e dytë dhe në komisionin për Vendosje në kuadër të Policisë së Kosovës ka disa muaj që policia po merret me themelimin dhe funksionalizimin e tij që nga data 1 janari veç është funksional dhe ka filluar të pranoj ankesa”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, kur qytetarëve iu shqiptohen gjoba në trafik nëse ata e paguajnë gjobën brenda 15 ditëve, qytetarët do paguajnë vetëm 50 për qind të shumës së asaj gjobe.
Gjithashtu, ai ka treguar edhe për aplikimin e procedurës së ankesave nga qytetarët të cilët besojnë se i është bërë e padrejtë.
“Nëse kundërvajtësi vlerëson se i është bërë e padrejtë, atëherë ai ka afat prej 8 ditësh të bëj ankesë në komisionin për vendosje i cili vepron në kuadër të drejtorisë së përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Më pas, komisioni për Vendosje në afat prej 30 ditëve nxjerr vendimin për atë ankesë. Nëse përsëri qytetari nuk dakordohet me vendimin e këtij komisioni atëherë ata kanë të drejt për ankesë në Gjykatë”, ka thënë ai.
Ndërsa, majori Jeton Rexhepi ka treguar për ata shoferë të cilët marrin pikë negative.
Sipas tij, nëse ata arrijnë të marrin 9 pikë negative do e humbin lejen dhe do detyrohen t’i nënshtrohen testit të auto-shkollës që nga fillimi, pra konsiderohen shoferë fillestar.
Ndërsa, gjatë kohës që ata marrin pikë negative do të mund të ndjekin disa trajnime të organizuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku do mund t’i rikujtojnë edhe rregullat e trafikut./Indeksonline.