“Sot kemi të bëjmë me atë që është më e shenjta në Kuranin Famëlartë – Dijen. Ajo që është imperativ i të Madhit Zot dhe mbani mend, Islami ka dy imperativë që janë rruga kryesore për ta kuptuar Zotin dhe jetën. Ata dy imperativë të shenjta janë: Lexo dhe Shkruaj. Nuk ka ideologji që i ka bë të shenjta këto dy vlera siç i ka bë islami. Andaj ne jemi sot të lumtur sepse kjo vatër e dijës që quhet Medreseja Isa Beu, në mënyrë të veçantë, me respektin më të madh, me besim tek Allahu Fuqiplotë i realizon dhe mishëron këto dy parime”, ishte porosia e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai drejtuar stafit të Medresesë Isa Beu, nxënësve të kësaj vatre dhe prindërve të tyre, në ceremoninë e ndarjes së diplomave për maturantët e këtij viti.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga të gjithë myftinjtë e myftinive të BFI, Drejtorit të Medresesë Isa Beu, udhëheqësve të sektorëve pranë Rijasetit të BFI, e tjerë, të martën më 06.07.2021, në Shkollën e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” në Shkup, bënë shpërndarjen e diplomave për mbi 170 maturantët e kësaj vatre të diturisë që përfunduan me suksese në këtë shkollë të mesme islame.
Më tej Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai para të pranishmëve shprehu kënaqësinë e tij për këtë ditë të madhe për nxënësit dhe nxënëset e Medresesë. Ai foli për ardhmërinë e të diplomuarve dhe publikisht e falënderoi stafin edukativo arsimor për gjithë punën e palodhshme që kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë në procesin e ngritjes së Medresesë, në piedestalin më të lartë, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me plot sakrifica…
“Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut me organet e saja në tërë territorin e saj kanë manifestime të shumta dhe më pyesin cili solemnitet është më i bukur, ku ndjen gëzimin më të madh, ku ndjehet lumturia më e madhe. Cili manifestim është ai? Pa fije dyshimi, pa fije hamendje, solemniteti më i lartë dhe më i gëzuar për gjithë besimtarët dhe për ne, është ky moment, kur ndahen diplomat e gjeneratës së Medresesë Isa Beu këtu në Qendër dhe në tërë territorin e Maqedonisë. Andaj nuk është e rastit që sot të gjithë jemi këtu. Jemi këtu bashkë me myftinjtë me të cilët në tërë territorin ku ata veprojnë dhe organizojnë, bëjnë çmos që ata të jenë në shërbim të nxënësve dhe nxënëseve tona, të jenë në shërbim të drejtorisë, në shërbim të Medresesë Isa Beu që kjo të funksionojë në kohën dhe vendin ku ne jetojmë dhe veprojmë
E dyta pse është solemnitet më i bukur. Është për arsye se sot kemi të bëjmë me atë që është më e shenjta në Kuranin Famëlartë – Dijen. Ajo që është imperativ i të Madhit Zot dhe mbani mend, Islami ka dy imperativë që janë rruga kryesore për ta kuptuar Zotin dhe jetën. Ata dy imperativë të shenjta janë: Lexo dhe Shkruaj
Nuk ka ideologji që i ka bë të shenjta këto dy vlera siç i ka bë islami.
Andaj ne jemi sot të lumtur sepse kjo vatër e dijës që quhet Medreseja Isa Beu, në mënyrë të veçantë, me respektin më të madh, me besim tek Allahu Fuqiplotë i realizon dhe mishëron këto dy parime. Ju nxënës dhe nxënëse. Ju të diplomuar dhe diplomuara, keni marrë bazat kryesore të jetës që i parasheh islami, që i duhen Botës moderne sot. Keni mësuar besimin më të shëndoshë, besimin në një Zot, që gjithçka që ekziston e vërteton atë dhe e argumenton. Ju keni mësuar se esenca e besimit dhe islamit është kultivimi i moralit respektit ndaj vetvetes, ndaj tjetrit e ndaj familjes dhe shoqërisë . Medreseja Isa Beu është një vatër e madhe. Këtë do ta shihni kur të dilni në Ballkan, në Evropë, kur ti shihni xhamitë gjithandej, atëherë do të vërtetoni se sa e madhe është Medreseja Isa Beu. Medresantët e kësaj vatre, janë njerëzit më organizativ të jetës fetare por edhe kombëtare gjithandej në botën perëndimore”. Tha mes tjerash Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Fjalimin e plotë të Reisul Ulemasë mund ta ndiqni në linkun: https://www.facebook.com/bfinmk/videos/973255700143751
Të pranishmëve iu drejtua Drejtori i Shkollës së Mesme Islame Medreseja Isa Beu, Prof. Ibrahim ef. Idrizi, i cili duke folur mbi rolin e kësaj vatre arsimore në arsimimin e gjeneratave të ndryshme dhe duke ofruar shifra e fakte. Ai me plot krenari foli rreth rrugëtimit të Medresesë: “Para 545 viteve, filluan të mësohen shkronjat e para në këtë medrese. Vazhdojmë me plot krenari edhe sot, pas 37 viteve të rihapjes së kësaj Medrese. Allahu Fuqiplotë na e mundësoi që edhe këtë vit të përcjellim një gjeneratë të bijave dhe bijve tanë në Medresenë Isa Beu, në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Shtip.
Të nderuar maturantë dhe maturante. Procesi i Arsimit asnjëherë nuk përfundon. Dituria dhe edukata janë lëmi që përvetësohen çdo ditë. Ata që dinë nuk janë të barabartë me ata që nuk dinë” tha mes tjerash Drejtori i Medresesë Isa Beu në fjalimin e tij drejtuar maturantëve dhe familjarëve të tyre.
Ky manifestim filloi me ashere nga nxënësi i Medresesë Hfz. Burim Amdi , ndërsa programin e udhëhoqi Sekretari i Medresesë Mr. Lutfi Nexhipi.
Ata që u shpallën nxënësit dhe nxënëset e vitit, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai u shpërndau nga një komplet librash si dhe i shpërbleu me regjistrim falas në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, si shenjë mirënjohjeje dhe dhuratë për një stimul më tepër për gjeneratat e tjera që vijnë pas.
Nxënësit e gjeneratës u shpallën: Ensar Çajani – Gjenerata 34 Qendër, Sara Sadiki – nxënëse e gjeneratës 14, Paralelja e shtrirë e vajzave në Tetovë, Xhengis Ferat – nxënës i gjeneratës 13 Paralelja për djem Shtip Fatime Ismani – nxënëse e gjeneratës 12 Paralelja e shtrirë e vajzave në Shkup, Berna Osmani – nxënëse e gjeneratës 10 Paralelja e shtrirë e vajzave në Gostivar.
Medreseja Isa Beu, përmes një pune të palodhshme, duke tejkaluar çdo sfidë dhe probleme të natyrave të ndryshme, e sidomos krizën me pandeminë globale Kovid 2019, e përfundoi me sukses vitin shkollor 2020/21.