2.6 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Ç’diskutuan kryeministri kosovarë dhe presidenti Stevo Pendarovski  

Më të lexuarat


Kryeministri i Republikës së  Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me bashkëpunëtorë.

Raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së  Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe avancimi i mëtejmë i  tyre dhe fqinjësisë së mirë, ishin tema qendrore e takimit.

“Ekziston vullnet i qartë politik nga ana e Republikës së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet tona dypalëshe”, është shprehur Kurti.

Ai theksoi interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të koordinuar politikat në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik dhe në linjë me raportet e shkëlqyeshme tregtare.

Në njoftim thuhet se presidenti Pendarovski e përgëzoi kryeministrin Kurti për reformat e filluara dhe progresin demokratik të Kosovës.

Ai u shpreh i brengosur për rritjen e tendencave autoritare në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit. BE-ja do të duhej të shpërblente reformat demokratike, theksoi presidenti Pendarovski.

Kryeministri ngriti shqetësimin për militarizimin e Serbisë, që siç tha ai, paraqet kërcënim për rajonin dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.

U theksua se të dy vendet mbeten të përkushtuara në synimet e përbashkëta euroatlantike dhe në parandalimin e ndikimit të akterëve të jashtëm destabilizues për rajonin, në radhë të parë nga ndikimi malinj i Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor dhe gjetiu në kontinentin evropian dhe ndikimi ekonomik dhe tregtar i Republikës Popullore të Kinës, i cili ka për qëllim krijimin e varësisë financiare e përmes saj ndikimin në vendimmarrjen politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

U bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinim të dy shteteve me ShBA-në, BE-në dhe aleatët e tjerë për të pamundësuar një ndikim të tillë.

Raportet ndërshtetërore janë avancuar dukshëm, gjë që e dëshmon edhe mbledhja e dy qeverive, e mbajtur më 16 shtator në Shkup, ku u nënshkruan 11 marrëveshje të reja duke çuar në 50 numrin e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ngriti në takim çështjen e “Rastit Kumanova” me ç’rast e shprehu shqetësimin e familjeve dhe kërkoi informata për ecurinë e procesit që tani është në Gjykatën Supreme.

Ndryshe, gjatë ditës presidentin e Maqedonisë së Veriut, e kanë pritur edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit