6.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Bursa e përbashkët e energjisë Shqipëri-Kosovë, shtyhet nisja e punës për vitin tjetër

Më të lexuarat

Bursa e përbashkët e energjisë Shqipëri-Kosovë që më herët u deklarua se do të niste funksionimin në 23 nëntor 2022 do të shtyhet edhe për pak muaj.

Kjo lidhet më shumë me kalimin e të gjitha hallkave të nevojshme për krijimin e kushteve të funksionimit ku së pari mbeten ende për t’u miratuar rregullat e tregut nga Enti Rregullator i Energjisë, raporton Monitor.

Bursa e energjisë parashikohej të niste operimet në muajin nëntor për tregun e ditës në avancë, ndërkohë që në muajin janar 2023 mendohej të niste tregtimi për tregun e Kosovës dhe bashkimi i të dy tregjeve Shqipëri – Kosovë.

Burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thanë se shtyrja e datës së funksionimit të bursës lidhet me krijimin e kushteve të përshtatshme për të nisur aktivitetin.

Kjo do të thotë që fillimisht duhet të bëhen gati të gjitha kushtet në mënyrë që pjesëmarrësit të dinë mënyrën e funksionimit, leverdishmërinë që kanë nga kjo mundësi e re por edhe të jenë të interesuar për të qenë pjesë e saj.

“Hapja e një burse pa pasur palë të interesuara për të tregtuar në të nuk ka vlerë” pohuan të njëjtat burime.

Aktualisht Bursa Shqiptare e Energjisë ka deklaruar se po kalon një fazë trajnimesh me palët e tregut dhe me miratimin e rregullave që pritet që të bëhen nga ana e Entit Rregullator të Energjisë hapet rruga edhe për nisjen e regjistrimeve.

“Miratimi i rregullave duhet të bëhet nga dy Borde si nga ai rregullator i joni edhe i Kosovës. Në bazë të kësaj bëhet më pas legjitime nisja e regjistrimeve. Ka shumë rëndësi që nga trajnimi që po zhvillohet anëtarët të jenë të kënaqur me funksionimin e bursës. Kur ka një numër të caktuar anëtarësh që kanë interes për bursën atëherë edhe data e funksionimit të saj merr rëndësi”, tha ministria.

“Ne besojmë që deri në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm do të dalim në konkluzionin për të dalë me një datë zyrtare. Gjithçka do të jetë konsoliduar edhe me trajnimet dhe do jenë bërë dhe regjistrimet për t’i hapur rrugë procesit”, thanë burimet nga Ministria e Enegjisë.

Bursa e energjisë është një nga projektet më të zvarritura të sektorit dhe arsyet e kësaj situate i janë faturuar situatave të ndryshme. Jo në pak raste vonesa e bursës është bërë objekt kritikash i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë apo edhe aktorëve të tregut të cilët e cilësojnë funksionimin e saj si jetik në rritjen e transparencës dhe konkurrencës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit