-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Burrave të divanit e të telekomandës

Më të lexuarat

Klodjana Smajlaj

 

Një pjesë e burrave të sotëm janë qenie pa identitet.

Të gjendur tashmë ndërmjet një tradite shekullore patriarkale, genet e së cilës i kanë ende në trup, dhe një mezorevolte të gjinisë së kundërt për të rimarrë atë që i ka takuar që në nisje, burrat e sotëm enden kuturu, duke u përpjekur të kapen fort edhe pas të fundmëve elementë që ata mendojnë se ua përcaktojnë burrërinë.

Të frikësuar deri në asht se mos në familje e humbasin pozicionin komod të divanit, ku telekomanda u rri përherë në duar e prej ku japin urdhër pas urdhëri, ata përpiqen dëshpërimisht të shuajnë çdo lloj rebelimi apo orvatje të gjinisë së kundërt për rimarrje të të drejtave. Përdorin çdo mjet të mundshëm, që nga dhuna verbale e deri tek ajo fizike, vetëm e vetëm për të ruajtur një supermaci që ata mendojnë se u takon me të drejtë. Por e gjitha është një përpjekje e dështuar. Janë grahmat e një padrejtësie që grave u është bërë prej shekujsh e që vazhdon t’u bëhet.

Burrat e kanë humbur prej kohësh pozitën e tyre, si në familje, ashtu edhe në shoqëri. Ata e kanë humbur virtuozitetin e mëkëmbësit të Zotit në tokë qëkurse pushuan së qenuri furnizues të familjes, qëkur të pazotë për të përballuar shpenzimet e nevojshme familjare, nisën të presin nga gratë dhe të ardhurat e tyre. Burrat e kanë humbur pozitën e mëkëmbësit të Zotit në tokë qëkurse i pronësuan gratë, duke dështuar në këtë mënyrë që t’i trajtonin ato si partneret e tyre, si qenie të lira. Burrat vazhdojnë edhe sot ta humbasin vrullshëm edhe atë pak pozitë që u ka mbetur, kur nëpërmjet skllavërisë moderne, diku të mendjes e diku të trupit, ata përpiqen me çdo kusht të mbajnë nën zgjedhë edhe ato pak gra që kuptojnë e që duan të ngrejnë krye. Për ta, qëllimi justifikon mjetet. Ruajtja e status quo’së është shumë më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, edhe se Ligji i Zotit.

Nëse burrat do të kishin respektuar që në fillim atë çka Zoti zbriti, edhe në lidhje me gratë, sot nuk do të ishin duke akuzuar këdo e gjithçka tjetër për prishje të rendit në tokë. Kthejuni grave atë çka Zoti u dha, atë që jua keni grabitur përdhunshëm, as më shumë e as më pak, dhe s’do të jetë më e nevojshme që të ngreni tymnaja mediokre për prishje të ekuilibrave që nuk ekzistojnë askund. Trajtojini me respekt e dashuri bijat tuaja, edukoni njerëz të lirë e të vetëmjaftueshëm, e mos shtoni numrin e skllevërve dhe të nënshtruarve. Nëse nuk arrini ta bëni këtë ndryshim për hir të nënave e bashkëshorteve tuaja, së paku bëjeni për bijat tuaja. Jepjuni kurajë, kultivoni vetëbesim, nderojini, ashtu siç nderonte Profeti ynë i dashur, dritën e syve të tij, Fatimen. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit