Nga: Aid Elkarnij
Bujaria tek njerëzit e mëdhenj
Thotë profeti Muhamed a.s:”Bujari është afër Zotit, afër xhenetit dhe afër me njerëzit. Kurse dorështrënguari është larg Zotit, larg xhenetit dhe larg njerëzve.”
Bujaria është një moral i cili mbulon të metat, largon fatkeqësitë dhe lehtëson krizat.
Duke qenë se njerëzit lavdërohen sipas bujarisë dhe ndihmës së nevojtarëve, dijetarët e kanë ndarë bujarinë në dy pjesë kryesore: Bujari me pasuri dhe bujari me shpirt, e cila është grada më e lartë e bujarisë.
Bujaria me pasuri është duke e dhënë atë për shpenzimet në rrugë të Zotit, për të ndihmuar nevojtarët. Shembulli dhe modeli më i mirë në këtë fushë, është miku më i ngushtë i Profetit a.s, Ebu Bekri, i cili dha të gjithë pasurinë e tij në rrugë të Zotit.
Tek bujaria me pasuri, hyn dhe bujaria me ushqim. Thotë Zoti në Kuran duke lavdëruar ata që ushqejnë të varfërit:”dhe japin ushqim me pasion, nevojtarëve, jetimëve dhe robërve.”
A mund të thuash për një njeri se është me shpirt, nëse ai vetë flen i ngopur në një kohë që komshiu i tij vuan nga uria? Thotë Profeti a.s:”Për Zotin nuk e ka besimin e plotë, një njeri që flen i ngopur, në një kohë që komshiu i tij është i uritur.”
Vlera me të cilën Zoti i lavdëroi dhe vlerësoi besimtarët, ishte se ata ushqenin njerëzit në nevojë. Aq e rëndësishme është kjo, saqë Profeti a.s në një hadith tjetër i përmend ata që japin ushqim, me ata që do të hyjnë në xhenet. Thotë Profeti a.s:”Kush jep ushqim, ruan lidhjet farefisnore, jep selam dhe falet kur njerëzit flejnë, do të hyjë i qetë në xhenet.” Kurse në një hadith që e transmeton Tirmidhiu, thotë:”Ushqeni nevojtarët, shkoni mirë me farefisin, faluni natën teksa njerëzit flejnë, që të hyni në xhenet të qetë.”
Kurse Hatim Taij, i thoshte gruas së tij teksa gatuante:”Nëse gatuan, më gjej dikë që të hajë me mua, pasi vetëm nuk më shijon.”
Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Më i keqi ndër ju është ai që ndalon dhënien, rreh skllavin e tij dhe ushqehet vetëm.”
Hatim Taij vdiq si jomusliman, megjithatë, Profeti a.s e vlerësoi bujarinë dhe mikpritjen e tij. Kur vajzën e tij e morrën muslimanët si robëreshë në një betejë, Profeti a.s i tha:”Nëse babai yt do të kishte qenë musliman, do të ishim lutur që Zoti ta mëshirojë.” Më pas u drejtua nga ushtarët e tij dhe u tha:”Lëreni të lirë, pasi ka pasur një baba me moral të lartë.”
Në disa vargje të tjera, Hatim Taij, e nxiste skllavin e tij të ndezë zjarr në shkretëtirë me qëllim që ta shohin udhëtarët dhe të ndalojnë për tu ushqyer në çadrën e tij. Në këto vargje, ai i premtonte skllavit se po të vinte ndonjë mik për shkak të zjarrit që ndizte, do i falte lirinë.
Një lloj tjetër bujarie është dhe të qenit bujar, në raste kur je në poste të larta dhe të lakmueshme. Këtë e bën duke ndërmjetësuar tek autoritetet për të lehtësuar hallet dhe problemet e njerëzve të thjeshtë.
Një lloj tjetër është dhe bujaria me dijet dhe njohuritë që ke përftuar dhe kjo duke ua mësuar atë të tjerëve, duke shkruar libra, duke urdhëruar për të mirë dhe ndaluar nga e keqja. Sa më shumë të jepet dija, aq më shumë shtohet dhe shumohet dhe e kundërta sa më shumë të mbahet dhe të mos jepet, aq më shumë pakësohet dhe nuk ka vlerë.
Një lloj tjetër bujarie është dhe bujaria me kohë dhe kjo duke harxhuar kohë në vizitën e të sëmurëve, duke përkrahur moralisht nevojtarët, duke u shërbyer jetimëve dhe grave të veja etj… Në këtë lloj bujarie, dijetarët muslimanë kanë futur edhe ndejtjen me mikun pas namazit të jacisë. Edhe pse Profeti a.s nuk e ka pëlqyer të qëndrojnë muslimanët pas namazit të jacisë për të biseduar, përsa i përket mikut ai vetë ka qëndruar pas namazit të jacisë. Këtë e ka bërë kur kishte mik Ebu Bekrin, pasi diçka e tillë është nga moralet e larta Islame.
Dijetarët konfirmojnë se grada më e lartë e bujarisë dhe zemërgjerësisë, është një fytyrë e buzëqeshur dhe e çelur. Kurse fytyra e zymtë nuk është shenjë dalluese e besimtarëve. Ajo është shenjë e mendjemëdhenjve dhe e gjynahqarëve.
Njerëzit me fytyrë të çelur, të cilën ua zbukuron buzëqeshja, janë njerëz që i ka zgjedhur Zoti dhe ua ka zbutur zemrat
Njerëzit më bujarë ndër arabët njihen Abdullah ibnu Xhafer ibnu Ebi Talib, Urabe El-eusij El-ensarij, Kajs ibnu Sad El-ensarij, Abdullah ibnu Abasi dhe shumë të tjerë. Kurse bujari më i madh ndër njerëzit është vetë profeti Muhamed a.s.
Është e veçantë që bujaria mbulon shumë të meta të atij njeriu që është zemërgjerë dhe bujar. Që ta arrish diçka të tillë, nuk është kusht që të japësh të gjithë pasurinë, por mjafton që të japësh aq sa mundesh, të ushqesh me çfarë të gjendet në shtëpi dhe pa e sikletosur nevojtarin apo mikun. Tregon Selman Elfarisi:”Na është ndaluar të sikletosemi për atë që nuk e kemi dhe na është ndaluar të mos e japim atë që e kemi.”
Tregon Imam Dhehebiu:”Tre veta të ulur në oborrin rreth Qabes, po diskutonin mbi njeriun më bujar ndër arabët. Njëri prej tyre mendonte se më bujari ishte Abdullah ibnu Xhafer ibnu Ebi Talib. I dyti mendonte se më bujari është Urabe El-eusij El-ensarij. Kurse i treti mendonte se është Kajs ibnu Sad El-ensarij. Një njeri i mençur që ndodhej pranë tyre u tha:”Unë ua ndaj drejt se cili është më bujari ndër këta të tre. Secili prej jush të veshë një rrobë të vjetër dhe të shkojë tek ai që mendoni se është më bujari dhe t’i kërkoni diçka për t’ju dhënë. Ai që do u japë gjënë më të vlefshme, ai është më bujari. Pas një viti, do të vini këtu dhe do të rrëfeni secili atë që ndodhi dhe çfarë morrët.”
Njëri prej tyre vajti tek Kajs ibnu Sad El-ensarij në Medine, i veshur me rroba të vjetra dhe plot arna. Ai vajti tek shtëpia e Kajsit dhe trokiti në derë. Menjëherë në derë doli një vajzë –pasi vetë Kajsi ishte në gjumë – e cila e pyeti se çfarë dëshironte. Burri i tha:”Unë jam një i varfër dhe dua të takoj padronin tënd.” Vajza i tha:”Ai është në gjumë, por merri këto njëmijë dinarë dhe largohu.” Burri i morri dhe u kthye në Meke.
I dyti vajti tek Urabe El-eusij El-ensarij, të cilin e takoi rrugës për në xhami për të falur namazin e iqindisë. Urabe ishte plak i moshuar dhe i verbër dhe për ta çuar në xhami, kishte marrë dy skllevër të rinj të cilët e mbanin për krahësh. Me ta parë, burri i doli para dhe i tha:”Unë jam një udhëtar që më janë harxhuar të hollat për rrugë dhe jam shumë i varfër. Unë i jam lutur Zotit dhe po të lutem dhe ty që të më ndihmosh.” Urabe i tha:”Detyrimet ndaj njerëzve mi harxhuan pasuritë dhe nuk më ka mbetur gjë tjetër veç këtyre dy djemve të rinj, të cilët po t’i dhuroj ty.” Burri i morri dy djemtë dhe morri rrugën e kthimit.
I treti vajti tek Abdullah ibnu Xhafer, të cilin e takoi rrugës për në Sham. Me ta takuar ai i tha:” Unë jam një udhëtar që më janë harxhuar të hollat për rrugë dhe jam shumë i varfër. Unë i jam lutur Zotit dhe po të lutem dhe ty që të më ndihmosh.” Abdullah ibnu Xhafer i tha:”Nëse do më kishe gjetur në Medine, do të kisha dhënë gjëra të shumta. Tani nuk kam gjë tjetër veçse këtë kalë dhe shpatën time. Merri të dy, se unë do të pres në rrugë derisa të vijë dikush dhe të më ndihmojë, pasi të gjithë më njohin.”
Të tre u mblodhën në Meke, me qëllim që njeriu i urtë dhe i mençur të gjykojë kush ishte më bujari. Sipas burrit të mençur, më bujari ishte Urabe, pasi atij nuk i kishte mbetur nga pasuria vetëm ata dy djem dhe ata i dhuroi.
Njerëzit më bujarë në botë, janë ata që dhurojnë dhe japin veten dhe shpirtin e tyre, ashtu siç vepruan banorët e Medines me të dërguarin e Zotit kur emigroi tek ta.
Bujaria është një moral me vlerë e dashur tek të gjithë popujt dhe racat njerëzore. Të gjithë njerëzit e shohin bujarin si njeriun më të lumtur në botë. Edhe vetë Zoti e nderon dhe e gëzon me shëndet dhe familje të mirë.
Edhe psikologët dhe sociologët pohojnë se kushdo që kërkon të ndihet i lumtur në këtë botë, duhet të kontribojë në përkrahjen dhe ndihmën e nevojtarëve. Një gjest të tillë, ata e quajnë “farmacia e zemrave”. Nëse kërkon që Zoti të të shërojë nga stresi, depresioni, çregullimet nervore etj… duhet të ndihmosh të varfërit dhe nevojtarët dhe kjo është diçka e provuar.
Nëse vetë doktorët dhe psikoterapistët në perëndim këshillojnë për diçka të tillë, ç’mund të thuhet për botën Islame dhe fenë Islame, e cila që prej 14 shekujsh e ka stimuluar bujarinë? Vetë profeti Muhamed a.s e ka përshkruar atë që jep dhe ndihmon të tjerët si dikë që rrobat e tij zgjerohen dhe ndihet më rehat. Kurse atë që pasurinë e mban vetëm për vete dhe është koprac, e ka përshkruar si dikë që rrobat i ngushtohen dhe gati i marrin frymën. Prandaj, po të shohësh dhe të takohesh me një koprac, do e gjesh nevrik, të papërmbajtur, agresiv dhe tekanjoz.
Elxhahidh e ka përshkruar bujarin si njeri i cili para se të kënaq me fjalët e tij të ëmbla, të kënaq me fytyrën e tij të çelur dhe të buzëqeshur. Një poet, kur dëshiroi të lëvdojë një nga bujarët e klasës sunduese i tha në vargje:
Kurdo që t’i shkosh, do të ngrohesh nga zjarri i tij
Tek ai gjen ngrohjen dhe njeriun e mirë.
Kuptimi i këtyre vargjeve është se ai bujar për të cilin flitet, ndizte zjarr natën, me qëllim që ta shohin udhëtarët dhe të shkojnë për t’u ngrohur dhe për të gjetur ushqim tek ai.
Kur Umer ibnul Hattabi i dëgjoi këto vargje, tha:”Ai duhet të jetë i dërguari i Zotit.”
Një koprac, i ankohet gruas së tij se askush nuk po vinte për të kërkuar dorën e vajzave të tij. Gruaja e tij ishte e mençur dhe i thotë:”Kjo është për shkakun tënd se je koprac dhe njerëzit duan të rrinë larg kopracëve.” Burri e pyeti:”Po çfarë duhet të bëj?” Gruaja i tha:”Fto filan poet për darkë, therri një deve dhe shtroja sofrën deri në gju. Kur ta shohë këtë, ai do të thurrë vargje të cilat do të përhapen dhe njerëzit do të vijnë të kërkojnë dorën e vajzave.” Dhe ashtu veproi. E ftoi poetin, i therri një deve dhe ia mbushi sofrën me ushqime të ndryshme. Kur doli, poeti i thurri disa vargje ku theksonte bujarinë dhe mikpritjen e tij, vargje të cilat u përhapën në mbarë krahinën. Po atë vit, ai arriti t’i martojë të dy vajzat.
Morali i kësaj ndodhie është që të kuptosh se ka një sëmundje që quhet kopraci, për të cilën duhet t’i kërkosh Zotit të të ruajë. Kush dëshiron që Zoti të tregohet bujar me të, ta bashkojë me njerëzit më të mirë, t’i pranojë veprat e mira, t’i fshijë veprat e këqia dhe ta falë, le të tregohet bujar me krijesat e Zotit.
Një ditë, Aisheja e pyeti të dërguarin e Zotit:”A i bën dobi Ibnu Xhed’anit bujaria dhe ushqimi që jepte për të varfërit para Islamit?” Profeti a.s ia ktheu:”Jo. Pasi ai kurrë nuk tha:”O Zot mi fal gjynahet Ditën e Gjykimit.”
Abdullah ibnu Xhed’an, ka qenë një njeri shumë i varfër, por ai gjeti një thesar floriri, të cilin e shpëndau të gjithin për të varfërit. Një enë me ushqim nga i Ibnu Xhed’anit mezi e mbanin katër veta. Ai ftonte njerëz për të ngrënë në mëngjes, drekë dhe darkë.
Diçka të tillë e përmend dhe vetë Profeti a.s ditën kur muslimanët fituan në Bedr. Teksa kërkonin kufomën e Ebu Xhehlit, të cilit ia kishin këputur kokën, Profeti a.s u tha:”Kontrolloni tek pjesa e gjurit, pasi ka një shenjë plage, të cilën e ka që nga dita kur kemi bërë mundje në sofrën e Abdullah ibnu Xhed’anit.” Me ta kontrolluar, ata arritën ta dallojnë plagën e marrë dhe e morrën kufomën e tij dhe e hodhën në pus.
Vetë shokët e Profetit a.s konkuronin për bujari. Kishte prej tyre nga ata që dhuruan jetën dhe gjakun e tyre. Kishte të tjerë që dhuruan të gjithë pasurinë, të tjerë ndanë shtëpitë dhe pasuritë e tyre me vëllezërit muslimanë të ardhur nga Meka.
Një nga banorët e Medines, ftoi një natë një mik në shtëpi. Ngaqë nuk kishte në shtëpi ushqim të mjaftueshëm, ai i tha gruas që fëmijët t’i vërë në gjumë. Gjithashtu, ai e porositi që kur të ulen të hanë darkë, ta ulë dritën e llambës dhe ata të dy të shtiren sikur po hanë nga pjata, por në fakt vetëm të prekin pjatën pa marrë gjë prej saj. Këtë, e bënin me qëllim që ushqimin e pakët, ta hante miku. Të nesërmen në mëngjes, Profeti a.s i tha mikpritësit:”Zoti është çuditur me atë që vepruat mbrëmë me mikun tuaj.”
Këto ishin disa fragmente të njerëzve të mëdhenj përsa i përket bujarisë dhe dëshirës për të ndihmuar nevojtarët. Kush e kërkon të mirën, le të tregohet bujar me aq sa posedon. Pasuria e vetme që të mbetet në këtë botë, është ajo që ke dhënë dhe jo ajo që kursen dhe ruan në banka.
…