Nga Yangon në Hyderabad, këto janë historitë e pesë komuniteteve më interesante myslimane të Azisë
Në Yangon, një perandor islamik pushon në bodrumin e një xhamie historike. Në Bangkok , lagjja më e vjetër myslimane e qytetit zbulohet nga një linjë e re treni. Në Hyderabad, mbi qytet shfaqen mbetjet e një mbretërie të madhe islame. Në Phnom Penh, një komunitet mysliman është rritur rreth një xhamie gjigante të dhuruar nga familja Alserkal e Emirateve të Bashkuara Arabe. Dhe në Singapor, një zonë me rrugë të quajtur Bagdad dhe Kandahar është lagja më e vjetër e qytetit.
Myanmari, Tajlanda, India, Kamboxhia dhe Singapori mund të jenë shumica budiste ose hindu, por secila prej tyre është shtëpia e lagjeve të bukura myslimane me histori magjepsëse.
Këtu janë historitë e pesë komuniteteve pak të njohura islamike të Azisë.
Yangon, Myanmar
Xhamia në lagjen Zi Wa Ka në Yangon.
Bahadur Shah Zafar II ishte perandori i fundit musliman i Indisë. Ky njeri i fuqishëm luajti një rol kyç në një moment përcaktues në historinë e vendit, megjithatë mbetjet e tij mortore nuk prehen në varrezat e komandantëve në Delhi ose Kalkuta, si shumë nga perandorët e tjerë indianë. Në vend të kësaj, vendi ku prehet trupi i tij është i fshehur nën një xhami të vogël në Yangon, kryeqytet i Mianmarit.
Vetëm 700 metra në jug të faltores së praruar gjigante, Shwedagon, atraksioni kryesor turistik i Yangonit, ndodhet xhamia e Rrugës Zi Wa Ka. Kjo ndërtesë tërheqëse me ngjyrë jeshile dhe ari është zemra e një komuniteti të vogël mysliman, në një komb ku gati 90 për qind janë budist.
Ajo xhami po bëhet një atraksion i pazakontë turistik për shkak të banorit të saj të famshëm, Zafar II. Në mesin e viteve 1800 ai udhëhoqi Dinastinë Islamike Mughal, e cila kontrollonte pjesë të mëdha të Indisë nga fillimi i viteve 1500 deri në 1857, kur kjo perandori u shpërbë pas gati 20 vjetësh nën udhëheqjen e Zafar II.
Pasi britanikët pushtuan fortesën e tij, Delhi, Zafar II iku. Por, shumë shpejtë u kap, u dënua për tradhti dhe u dëbua në degën britanike të Yangonit. Në vitin 1862 ai vdiq atje në burg. Sot, Zafar II i fuqishmi pushon në një mauzoleum të vogël në Yangon, një qytet ku shumë pak njerëz e dinë saktësisht se kush ishte ai dikur.
Bangkok, Tajlandë
Ton Son është xhamia më e vjetër në Bangkok.
Rrjetet nëntokësore dhe qiellore të Bangkokut janë zgjeruar shumë në tre vitet e fundit. Në këtë proces, ato kanë zbuluar pjesët pak të vizituara të qytetit. Më parë, periferitë e përgjumura të Bangkokut në anën perëndimore të lumit Chao Phraya nuk pritnin pothuajse asnjë turist, sepse trafiku i ngrirë i qytetit i bëri ato të paarritshme nga zona e qendrës së qytetit.
Por, sot udhëtarët lehtësisht mund të vizitojnë lagjen më të vjetër myslimane të Bangkokut duke u ndalur në stacionin Itsaraphap në linjën e re blu të rrjetit nëntokësor MRT. Kjo zonë historike quhet Bangkok Yai. Në mesin e viteve 1600, më shumë se një shekull përpara se Bangkoku të bëhej kryeqyteti i Tajlandës, myslimanët malajzias u mblodhën këtu, pranë një prej kanaleve më të mëdha të qytetit.
Ky komunitet u zgjerua gjatë dekadave në vijim, falë të ardhurave nga tregtia e erëzave dhe tekstileve. Më pas, në 1682, ajo u bë vendi i asaj që tani është xhamia më e vjetër në Bangkok, e quajtur Ton Son. Turistët që vizitojnë Bangkok Yai mund të admirojnë kupolat e gjelbra të ndërtesës, të marrin pjesë në një lutje në xhaminë e afërt Bang Luang ose thjesht të bredhin në rrugët e pasme të kësaj lagjeje miqësore, duke shijuar ushqimin e saj hallall Thai-Malay.
Hyderabad, Indi
Një varr islamik në periferi të Hyderabad
Hyderabad është një nga destinacionet më të anashkaluara të udhëtimit në Azi. Bukuria e tij e nënvlerësuar rrjedh kryesisht nga dy vende të shquara, të lashta islame. Të grupuara së bashku në një lagje myslimane në perëndim të qytetit, janë mbetjet e një mbretërie si dhe një nekropol gjigant, i cili është shtëpia e varreve të një dinastie islame që kontrollonte këtë rajon në shekujt 16 dhe 17.
Familja Qutb Shahis kryesonte Mbretërinë e Golcondës. Për më shumë se 70 vjet, selia e tyre ishte në Kalanë Golconda, të cilën ata e braktisën në 1591 për shkak të një murtaje, që çoi në krijimin e qytetit të Hyderabad.
Për fat të mirë, kjo kala është në gjendje të mirë dhe është kthyer në një atraksion tërheqës turistik. Të shpërndara nëpër një kodër janë dhjetëra struktura të vjetruara, nga pallatet te sallat, xhamitë, portiket, pavionet dhe pallatet. Nga kreshta e kalasë mund të shihni nekropolin aty pranë, një grup prej 75 varresh madhështore dhe monumentesh që së fundmi iu nënshtruan një restaurimi mbresëlënës 10-vjeçar.
Singapor
Kampong Glam ka qenë prej kohësh një pjesë qendrore e komunitetit mysliman të Singaporit.
Singapori është një nga vendet më të larmishme religjioze në Azi, me komunitete të mëdha budiste, të krishtera, taoiste, hindu dhe myslimane. Por, për shumë breza përpara se të kolonizohej nga Britania, në 1819, Singapori sundohej nga udhëheqës islamikë me prejardhje malajase dhe indoneziane.
Kjo ndihmon për të shpjeguar pse lagjja myslimane e Kampong Glam është periferia më e vjetër e mbijetuar në këtë qytet-shtet. Shenjat do ta bëjnë të qartë kur të keni mbërritur në këtë zonë simpatike, me emra rrugësh si Arab, Muscat , Bagdad, Kandahar dhe Sultan.
Ky komunitet është i përqendruar rreth dy strukturave historike – Sulltan Masjid-i brilant dhe Qendra e madhe e Trashëgimisë Malaje, e vendosur brenda asaj që dikur ishte pallati i një dinastie islamike. Qendra e trashëgimisë shpjegon historinë dhe kulturat malajase dhe islame të Singaporit.
Ndërkaq, Sulltan Mesxhidi magjeps me kupolat e tij të praruara dhe arkitekturën e këndshme indo-saracenike. Drejtpërsëdrejti pas saj është një nga rrugët më të bukura për ecje të Singaporit. E mbushur me restorante hallall, kafene, dyqane dhuratash dhe galeri arti, vetëm ky qendër për këmbësorët ia vlen të vizitohet në Kampong Glam.
Phnom Penh, Kamboxhia
Xhamia Alserkal në Phnom Penh është dhuruar nga një familje nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në krahasim me Singaporin, Kamboxhia dominohet nga një religjion – rreth 98 për qind e qytetarëve të saj janë budistë. Ndërkohë, rreth 1 për qind e popullsisë së saj janë myslimanë. Në kryeqytetin Phnom Penh, komuniteti më i madh islamik është i përqendruar rreth xhamisë së madhe Alserkal.
E zbukuruar me minare të larta, kupola gjigante, mure të zbardhura dhe modele hipnotike Arabeske, kjo xhami madhështore u ndërtua në vitin 2014 si dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo zëvendësoi një xhami më të vogël të ndërtuar në vitet 1960 nga familja Alserkal e Emirateve të Bashkuara Arabe .
Kjo xhami është vendtakimi kryesor i myslimanëve chamë të qytetit. Këta janë pasardhës të Champa, një mbretëri islamike indokineze që zgjati nga shekulli i 2-të deri në shekullin e 17-të të erës sonë në atë që tani është Vietnami jugor. Xhamia Alserkal është në pjesën veriore të qendrës së Phnom Penh, në një distancë të shkurtër nga atraksionet kryesore turistike si tempulli Wat Phnom dhe Tregu Qendror.