Feja formon ndër të tjera edhe këndvështrimin mbi botën, jetën dhe marrëdhënien me të vërtetën, me njerëzit, ngjarjet, rendet, politikat, ideologjitë, luftërat, paqen, qytetërimin, traditat, kulturën etj.
A mundet që këndvështrimi fetar të përzihet me atë laik mbi botën dhe të bashkëjetojë me të, në harmoni dhe paqe?
Kur rendi modern laik doli nga mitra e një shoqërie fetare, si ajo e Evropës së krishterë dikur, e pa të pamundur që botëvështrimi i tij të ishte i njëjtë me atë fetar teist, sidomos në themelet e tij, kështuqë i dha formë një këndvështrimi të ndryshëm mbi botën dhe gjithçkaje që rrjedh nga ndërveprimi i njeriut me të.
Edhe pse në epokën tonë pikëpamjet fetare mbi botën vazhdojnë të kenë vendin e tyre mes njerëzve, shumë ide dhe praktika janë tërësisht laike, aq sa janë kthyer në refren të himnit dhe boshtit qendror të jetës njerëzore. Ato janë bërë ideale të shenjta edhe për vetë besimtarët, duke laicizuar për ta, pa e kuptuar, edhe vetë besimin e tyre.
Është bërë gati e pamundur për një pjesë, që fenë ta kuptojnë të zhveshur nga disa pikëpamje krejtësisht dhe rrënjësisht laike, aq sa nuk është aspak e vështirë për ta, që të interpretojnë tekste dhe tradita fetare, në pajtim të plotë me pikëpamjet e kulluara laike!
Mbijetesa e fesë tek njerëzit përmes të tilla përzierjeve, në thelb kontradiktore, nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm se e ka laicizuar fenë deri në atë masë, saqë njerëzit shkojnë deri në skaje të paimagjinueshme, ku “përligjin” përmes “argumenteve” të fesë, edhe idetë e praktikat më antagoniste me vetë fenë, dhe ata të mos e kuptojnë këtë.
Shumë prej këtyre njerëzve e quajnë veten mendjehapur, apo dëshmi e gjallë e pajtimit të botës moderne me traditën fetare, a thua se kanë gjetur çelësin e artë të harmonisë mes tyre! Në realitet është vetëm një iluzion mashtrues, që pajton në abstraksion mes dy botëvështrimeve të papajtueshme, ndërsa në realitet, vetëm se zmbrapset duke i lënë terren njërës në dëm të tjetrës.
Të mbijetosh fizikisht si fetar në këtë botë moderne, është domosdoshmëri fetare dhe ekzistenciale, por të përziesh botëvështrimin fetar, themelet e fesë, parimet dhe praktikat e saj me fillin e botëvështrimit, parimeve dhe praktikave laike është vetëvrasje e fesë.
Mungesa e rezistencës dhe pajtimi me botëvështrimin laik apo derivatet e tij, është dëmi më i madh që i është bërë besimit fetar në epokën moderne nga vetë fetarët.