2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bota e re Gay

Më të lexuarat

Brenton Kotorri

Gjatë epokës moderne, shkrimtarë si Thomas More, Francis Bacon, H.G. Welles, Tommaso Campanella etj., shkruan për botë të reja dhe qytete ëndrrash. Epoka e së vërtetës objektive, e së vërtetës eksperimentale, sigurisht që ëndërronte për qytetin e sinkronizuar, apo Synchronicity-n ku gjithçka ishte në vendin e duhur, si në aspektin social-kulturor ashtu edhe në atë politiko-ekonomik. Epoka modern, aspirante pra, që të krijonte qytetin perfekt, me etikën perfektë, me shpërndarjen perfekte të punës dhe të të mirave materiale, me arkitekturën perfekte, duke ëndërruar të shfaqte një panoramë, ku njeriu e arrinte perfeksionin duke u shndërruar në një Zot të ri, më i mirë sesa vetë Zoti. Sigurisht që ky iluzion nuk u arrit kurrë dhe mbeti vetëm një ëndërr e çuditshme dhe shpesh e frikshme.

 

Në epokën post-moderne, që vjen fill pas revolucionit seksual në Amerikën e viteve ’60, në emër të emancipimit, aspirata e re nuk shihte më që njeriu të arrinte perfeksionin sipas rregullave dhe rrugës eksperimentale. Kjo aspiratë ishte zëvendësuar nga një bindje. Bindja se gjithkush është perfekt ashtu siç është dhe duhet pranuar ashtu siç është. Kjo bindje që e ka shkatërruar shoqërinë botërore pak e nga pak për çdo ditë është aq e pamëshirshme saqë i dënon disidentët duke qenë jo vetëm pa pushtet politik, por edhe në minorancë. Kjo bindje, është sot më e fortë se kurrë, pasi brezat e rinj indoktrinohen që në gjenezë prej sloganeve të tilla si “Të gjithë të ndryshëm, të gjithë të barabartë”. Më së shumti, kjo mënyrë e re jetese, pa norma morale dhe pa rregulla sociale ushqehet prej axhendës gay, apo LGBT.

 

Paçka se në Shqipëri axhenda gay duket sikur është e pafajshme dhe e padëmshme, prej vitesh po synohen dukshëm disa hapa vendimtarë në favor të tyre. Më poshtë do të përshkruajmë disa fenomene që në dukje japin iluzionin se nuk janë një sulm i koordinuar psikologjik ndaj shoqërisë:

 

Së pari: Për shkak të axhendës gay, shteti jo vetëm që lejon, por madje edhe inkurajon mësime rreth homoseksualitetit në shkollat publike. Në lëndët e edukimit seksual, tanimë mësuesit (sidomos këta të diplomuarit pas viteve 2000), mësojnë se homoseksualiteti është një alternativë ndaj marrëdhënies ndër-gjinore. Dikur, në të gjitha tekstet shkollore (biologji, sociologji, psikologji, edukim qytetar) homoseksualiteti (dhe degjenerime të tjera) konsideroheshin devijanca biologjike, gjenetike, psikologjike shoqërore etj. Sot, ato serviren si një alternativë ekzotike. Qeveria Berisha, dhe kjo e sotmja Rama, kurrsesi nuk kanë pranuar që ta pengojnë axhendën gay, me justifikimin se e kërkon Europa.

 

Së dyti: axhenda gay, është çuar përpara më shumë prej homoseksualistëve sesa prej homoseksualëve. Nëse do të bënim një ndarje të thjeshtë për ta qartësuar situatën, duhet të ndajmë tre kategori lidhur me këtë çështje: a) njerëz me prirje homoseksuale që nuk veprojnë si homoseksualë; b) njerëz me prirje homoseksuale që e mbështesin axhendën gay; c) njerëz heteroseksualë që e mbështesin axhendën gay (këta të fundit janë edhe më të rrezikshmit sociologjikisht). Të parët, janë individë të cilët për shkak të një problemi gjenetik me hormonin e tyre seksual (testosteron – mashkullor apo estrogjen – femëror) kanë prirje të tërhiqen seksualisht prej gjinisë së njëjtë. Historia dhe ditët e sotme njohin raste të shumta pacientësh të tillë, të cilët përmes këshillimit fetar, psikologji dhe/ose mjekësor, kanë mundur që t’i mbajnë nën fre instinktet e tyre, e shpesh me sukses t’i sjellin në përputhje me gjininë e tyre. Këta individë janë jo vetëm për t’u respektuar, por madje për t’u marrë si shembull i forcës së vërtetë të vullnetit njerëzor. Të dytët, janë ajo kategori individësh, të cilët homoseksualitetin e tyre e shndërrojnë në identitet politik dhe kërkojnë të demonstrojnë më shumë për të bindur veten e tyre sesa shoqërinë, që ata ekzistojnë dhe duhen konsideruar si të barabartë më gjithë të tjerët. Ligji shqiptar sot për mbrojtjen nga diskriminimi, është një prej ligjeve më demokratike të botës, ngase në mënyrë shumë të qartë garanton në nenin 2 të tij:

 

  1. a) barazi përpara ligjit dhe mbrojtje të barabartë nga ligji;
  2. b) barazi të shanseve dhe mundësive për të ushtruar të drejtat, për të gëzuar liritë dhe për të marrë pjesë në jetën publike;
  3. c) mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin.

 

Kjo do të thotë, që homoseksualët, pavarësisht gjithçkaje, janë të trajtuar prej shtetit njëlloj me pjesën tjetër të shoqërisë. Në këtë moment, çdo qurravitje në emër të të drejtave të barabarta për LGBT-të është një padrejtësi. Mirëpo çfarë do të thotë të kërkosh të drejta edhe pas këtyre tre pikave. Natyrisht do të thotë të mos mjaftohesh me barazinë dhe të kërkosh privilegje. Të marrim për shembull barazinë përpara të drejtës për t’u martuar dhe krijuar familje. Kodi i Familjes dhe Legjislacioni për Birësimet në Republikën e Shqipërisë përkufizon në nenin 7 të saj se: Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Kjo është pra martesa në Republikën e Shqipërisë. Praktikisht, po të bashkojmë ligjin kundër diskriminimit dhe përkufizimin e martesës do të kuptojmë fare qartë se përveç gjithë të tjerëve, edhe cilido homoseksual që dëshiron të martohet, mund të martohet, mjafton që bashkëshorti/ja e tij të jetë mbi 18 vjeç dhe e gjinisë tjetër. Pra, fare thjesht e drejta e martesës është e garantuar. Ajo që kërkojnë homoseksualët dhe homoseksualistët përmes axhendës gay, shkon edhe më tej, ata duan, që krahas kësaj oferte, shteti të ofrojë edhe një lloj tjetër martese. Kjo lloj martese që ofron shteti për ta është e papëlqyeshme, kështu ata duan që shteti të shpikë një martesë të re që të kënaqë dëshirat dhe impulse e tyre. Praktikisht ata nuk kërkojnë më barazi përpara ligjit, por kërkojnë privilegjim mbi ligjin ekzistues për një ligj të ri. Çka do të thotë se ata nuk kërkojnë barazi, por privilegje. Ata kësisoj kërkojnë privilegje edhe për mbështetje special nga shteti, mbështetje fillimisht sociale, pastaj ekonomike, dhe nuk do të jetë e largët dita (me siguri në zgjedhjet e 2017-ës) kur do të kërkojnë edhe përfaqësim të garantuar politik përmes kuotave. Mirëpo axhenda gay nuk pranon kurrsesi që metodat, ideologjia dhe strategjitë e tyre të njihen si një axhendë. Ata ia kanë dalë tashmë, që pak e nga pak të fusin togfjalëshin “orientim seksual” në thuajse të gjitha ligjet që mbrojnë minoritetet. Ndërkohë, që në fakt, minoritete konsiderohen ato grupe individësh, që janë të veçuar prej pjesës tjetër të shoqërisë për shkak të arsyeve të lindura dhe jo prej zgjedhjes personale. Kjo do të thotë që ti je minoritet nëse i përket një race të caktuar, dhe sido që të veprosh socio-politikisht ti nuk e zhbën dot racën tënde, je minoritet nëse ke lindur në Shqipëri por zotëron aspekte antropogjenetike të një kombi tjetër, dhe këtë nuk e zhbën dot, e kështu e me radhë. Por nuk mund të vetëquhet minoritet i barabartë me këta të parët që kërkojnë integrim në shoqëri, edhe një grupim, i cili është i këtillë sepse ka zgjedhur vetë të sillet në një mënyrë të caktuar seksualisht, por edhe në mos e pastë zgjedhur sepse i vjen prej problemeve gjenetike, ai individ zgjedh të mos kurohet. Axhenda gay vazhdon të bëjë punën e vet edhe këtu. Ata, duke kërkuar të manipulojë, e shesin këtë si një thirrje të pafajshme për barazi. Le ta lëmë mënjanë për momentin debatin nëse barazia është kriteri apo standardi më i lartë në marrëdhëniet midis njerëzve dhe le të kalojmë pak te formati i tretë i atyre që e mbështesin axhendën gay, homoseksualistët jo-homoseksualë.

 

Këta janë njerëzit e botës së re, ata e besojnë veten si njerëzit më të emancipuar dhe avangardë ndaj të gjithë ne të tjerëve të prapambeturve. Ata mendojnë se të çosh përpara axhendën gay, jo vetëm që të jep para sa të duash, por të jep edhe një aurë martirizimi se je duke punuar për botën e së nesërmes. Për një botë ku nuk ka vend për tradita të vjetërsuara dhe ku duhen shpikur mënyrat e reja të të shijuarit të jetës. Ata besojnë se po ndërtojnë botën e re. Historia na ka treguar se si “Botët e Reja” gjithnjë janë ndërtuar duke shkatërruar të vjetrat, e në fakt nuk ka asnjë logjikë tjetër. Qytetërimi babilonas u shkatërrua prej atij egjiptian, Egjipti prej Perandorisë Perse, persët prej maqedonasve, kjo u zëvendësua prej romakëve, Roma prej Bizantit, Bizanti prej Mbretërisë Bullgare dhe Kalifatit, më pas erdhi Perandoria e Shenjtë Romane Gjermane dhe në lindje Perandoria Mongole dhe në Mesdhe Perandoria Osmane, Spanja, Britania dhe Franca, me perandoritë e tyre shkatërruan të gjitha qytetërimet indigjene të kontinentit të madh amerikan, dhe të një pjese shumë të madhe të Afrikës dhe Azisë.

 

Sot, përmes sulmit psikologjik, me anë të filozofisë post moderne të jetesës “Unë bëj ç’të dua me jetën time dhe askush nuk ka të drejtë të më gjykojë”, dhe me anë të lobimit të tyre me para e mjete të tjera si kjo parada e tyre e përvitshme, homoseksualistët po çojnë përpara axhendën e tyre gay. Ata kërkojnë (ndoshta edhe ata vetë pa e ditur), që të ndërtojnë botën e tyre të re, pa u sikletosur aspak, (shpesh duke e mezipritur) për fatin e kësaj sonës. Mënyra më e mirë për t’i bërë ballë një rreziku eminent që na vjen nga të gjitha frontet, është duke iu përgjigjur me më shumë besim në të gjitha frontet. Kemi nevojë të mendojmë kritikisht, të flasim e veprojmë për atë që besojmë megjithëse nuk është shumë në modë. Kemi nevojë të mos neglizhojmë sepse sikurse thotë edhe Burke “Që e keqja të triumfojë, nevojitet që njerëzit e mirë të mos veprojnë”. Ne duhet të besojmë të gjithë bashkë se një shoqëri që pranon devijancat nuk ka sesi të jetë më jo-devijante. Duhet të besojmë sikurse e sqaronte Tocqueville përpara 2 shekujsh, se barazia duhet të ekzistojë për hir të drejtësisë dhe jo për hir të vetvetes. Duhet të besojmë se politikisht, sociologjikisht, ligjërisht, kulturalisht dhe shpirtërisht, ne nuk duhet të privilegjojmë askënd më kot përmbi të tjerët as në sytë e ligjit, ashtu sikurse askush nuk privilegjohet më kot as në sytë e Zotit.

Autori është Ekspert i Politikave Publike

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit