Karriera e Boris Johnson është e mbushur me gënjeshtra dhe racizëm që vetëm mund të inkurajojë edhe më valën e ksenofobisë në Europë.
Tani që kryeministrja Theresa May ka dhënë me dridhje zëri dorëheqje nga posti, janë shtuar zërat se Johnson mund të jetë pasuesi i saj.
Ndonëse lista e kandidatëve spekulativë është në rritje, vetëm pak kandidatë nga radhët e Konservatorëve ia kanë mësyrë zyrtarisht kësaj detyre.
Njëri nga ata është autori i skandaleve të panumërta, ish-sekretari i Jashtëm Boris Johnson, i cili po konsiderohet si favorit.
As që mund ta marrim me mend se si Johnson, si kryeministër mund të ishte shkatërrimtar jo vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për të gjitha vendet ku e djathta ekstreme po merr zë.
Johnson është një gënjeshtar patologjik
Edhe raportet e mediave kanë marrë parasysh deklaratat, e madje kanë numëruar rastet kur Johnson qëllimisht ka keqinterpretuar opinionin, apo thënë më drejtpërdrejt, ka gënjyer.
Përveç kësaj, karriera e tij politike ka qenë e mbushur edhe me racizëm dhe ksenofobi.
Kur në vitin 2003, lufta e Irakut ishte çështja më e nxehtë për kryeministrin e atëhershëm Toni Blair, Johnson votoi në favor të Blair, për bashkëpunim me SHBA-të në pushtimin e vendit.
Ai votoi kundër kërkimit të mbështetjes nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së para se të niste pushtimi, dhe votoi pro që qeveria britanike të përdorte “të gjitha mjetet” për të shkatërruar armët inekzistente të shkatërrimit në masë, që supozoheshin se ishin në Irak.
Më pas, ai votoi kundër lejimit të deputetëve që të kenë ndikim në vendimin nëse vendi i tyre duhet të bindet qorrazi ndaj një lufte ku duhej të kontribuonte me ushtarët e vet, ndonëse nuk kishte evidenca të qarta.
Pasojat barten edhe sot: jetë të humbura të djemve britanik dhe shpenzime të panumërta që kurrë s’u arsyetuan.
Babai i rrenave
Johnson e ndau një komb të tërë përmes gënjeshtrave që i shpiku, duke thënë se Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) do përfitoj 350 milion funte nëse votuesit zgjedhin Brexit-in.
Por pasi votuesit dolën pro Brexit, nuk patën asnjë fjalë për të thënë kur doli se kjo ishte një gënjeshtër e kulluar.
Tani, Johnson po përballet me gjykim kriminal lidhur me deklarata e tij. Por meqë ky gjykim është iniciuar nga palët private, ka gjasa që të hidhet poshtë, apo të tej zgjatet.
Një turk turkofob
Meqë gënjeshtrat për NHS-në nuk mjaftuan, ai tha se “turqit po jargaviten nga dëshira për emigruar në Britani, dhe se 10 milionë janë tashmë gati”.
Johnson vazhdimisht ka përsëritur frikën nga emigrantët turq, edhe pse Turqia asnjëherë nuk u bë pjesë e BE-së, megjithatë, fobia e tij nga kufijtë e hapur ishte toksike.
Ironia qëndron se Johnson është pjesërisht turk pasi stërgjyshi i tij, Bej Ali Kemal, ishte një politikan osman.
Por pasi ai emigroi në Britani të Madhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ai e ndryshoi emrin në Wilfred Johnson.
Poqese ai nuk do ta kishte ndërruar identitetin e tij, me gjasë stërnipi i tij intrigant sot do të quhej “Boris Kemal”.
Deklarata raciste
Ndjenjat e tij anti-turke ndoshta janë të pakta krahasuar me veprimet e tij më të ashpra raciste. Në vitin 2002, Johnson tha se “Blair do të kënaqej në udhëtimin e tij ne Afrikë, ku do ta prisnin me flamuj të bardhë fiset e egra, kur ta shohin shefin e bardhë”.
Ndërsa ishte në postin e diplomatit më të lartë britanik gjatë 2017-tës, Johnson nuk u skuq fare teksa recitonte vargje koloniale gjatë një vizite shtetërore në Mianmar, vend që dikur ishte viktimë e Perandorisë Britanike. Sjellja e tij ishte aq e turpshme saqë ambasadori britanik duhej t’ia kujtonte atij: “Jeni në mikrofon. Ndoshta nuk është një ide e mirë. ”
Në vitin 2018, kur nuk ishte më sekretar i Jashtëm por ishte ende i zënë me Brexit, Johnson krahasoi në mënyrë fyese gratë muslimane me “kuti postare” dhe “grabitëse banke” duke përdorur retorikën nxitëse dhe islamofobike për të viktimizuar një pjesë tashmë të ndjeshme të popullsisë britanike.
Besoj se e kemi të qartë frikën: Nëse Johnson do të bëhet kryeministër, pritet që pakicat në Britani të Madhe të përballen me persekutim gjithnjë e më të madh nga murtaja e së djathtës ekstreme, kudo në botë.
Burrat si Johnson dhe Trump vetëm sa i fryjnë zjarrit.
Vërejtje: Pikëpamjet e shprehura nga autorët nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht mendimet, këndvështrimet dhe politikat editoriale të tesheshi.com.
Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha – /tesheshi.com/