-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

BIRN:Mediat në Shqipëri uzurpim nga katër familje të mëdha. Kontroll politik

Më të lexuarat

Biznes familiar – Miti i medias pluraliste në Shqipëri. Prezantohen gjetjet e studimit investigativ “Monitorimi i Pronësisë së Medias- Shqipëri. Një treg mediatik i deformuar, në duar të disa familjeve, ku pluralizmi po asfiksohet, ku nuk ka rregulla mbrojtëse per gazetaret që për të ruajtur vendin e punës përdorin autocensurën. Kjo është tabloja e zymtë e tregut mediatik në Shqipëri, mbi të cilën hedh dritë studimi investigativ,  ”Monitorim i Pronësisë së Medias – Shqipëri” i kryer brenda 3 muajve të fundit nga Rrjetet Ballkanike të Raportimit Investigativ në Shqipëri (BIRN Shqipëri) dhe Reporterët pa Kufij. Rezultatet e studimit u publikuan sot,( 13.03.2018) në Tiranë. Studimi zbulon kush e zotëron dhe kontrollon tregun, cilat janë interesat e ekonomike dhe politike të pronarëve.

Kristina Voko, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN, Shqipëri, gjatë prezantimit të studimit në fjalë, tha se ky studim shpartallon mitin sipas të cilit ” pavarësisht mangësive, mediat shqiptare përfaqësojnë një shumëllojshmëri pikpamjesh. Një grusht familjesh  arrijnë më shumë se gjysmën e publikut dhe marrin 90% të të ardhurave në tregun tonë mediatik ” theksoi ajo.

Ku po shkon media në Shqipëri?

E  zotëruar dhe kontrolluar nga disa familje, media po humbet vlerat dhe rolin e sa në një  vend demokratik, si Shqipëria që aspiron hyrjen në BE. Olaf Steenfadt, Drejtor i studimit investigativ “Monitorim i Pronësisë së Medias-Shqipëri” e sheh me shqetësim atë që po ndodh sot në Shqipëri me median.

Logo Reporter Ohne Grenzen englisch

“Pas dekadash të tranzicionit dhe përpjekjeve të shumta nga aktivistë të shoqërisë civile brenda Shqipërisë si edhe të kontributeve të konsiderueshme të bashkësisë ndërkombëtare, peizazhi i medias duket se rrëshqitet dhe po ikën larg nga rruga e pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë “, theksoi ai në prezantimin e gjetjeve të studimit të përbashkët të BIRN dhe Gazetarëve pa Kufi..

“Ne u bëjmë thirrje elitave politike të Shqipërisë të kuptojnë vlerën e një sektori mediatik vërtet të shëndetshëm dhe të veprojnë si duhet duke pasur parasysh përpjekjet e vendit për të hyrë në Bashkimin Evropian.” theksoi Olaf Steenfadt

Autoriteti i Mediave Audio-Vizuale firmos monopole me licensat dixhitale

Gjetjet e studimit tregojnë nivele jashtëzakonisht të larta përqendrimi të tregut mediatik shqiptar. Katër pronarët kryesorë në median televizive kapin gjysmën e publikut/audiencës totale, nga 48.93% në 58.60%. Tri familje mbajnë pesë licensat e transmetimit digjital, nga të cilat vetëm një familje ka marrë tri licensa. Në këtë mënyrë Autoriteti Rregullator i Medias, praktikisht, ka nënshkruar një monopol, vëren studimi i sapopublikuar.

Symbolbild Medien (picture alliance/dpa/Jörg Carstens)

Në Radio, përqëndrimi i publikut është edhe më i lartë, me katër pronarë, që kontrollojnë pothuajse dy të tretat (63.69%) e audiencës. Një nivel mesatar përqëndrimi, studimi vëren vetëm në shtypin e shkruar ku katër pronarët kryesorë kanë lexues të kombinuar në masën 43.29%. Tetë pronarë kryesorë në TV, median e shkruar, radio dhe internet kapin një audiencë nga 72,1% në 80,1%.

Përqëndrimi i lartë i tregut mediatik vetëm në disa pronarë

Tregu shqiptar i medias është i vogël dhe i mbingarkuar dhe si pasojë ndodhet nën një  presion të ashpër ekonomik, vëren studimi. Mediat e shkruara rezultojnë të kenë më shumë se 200 tituj. 12 të përditshme kanë një pronar të vetëm, që zotëron mbi 54% të tregut. Botuesit e katër gazetave kryesore kontrollojnë 86.5% të tregut të shtypit të shkruar , të kombinuar. Të dhënat financiare tregojnë se pjesën e luanit nga të ardhurat e  marrin disa familje të fuqishme, që zotërojnë grupet e medias. Përqëndrimi në tregun komercial të  katër pronarëve më të mëdhenj shkon në 89.6% – ku vetëm dy më të mëdhenjtë kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut ose 71.7% të tregut – dhe arrijnë në 94% nëse përfshihen edhe ofruesit e rrjeteve digjitale dhe transmetuesi publik.

Ligje që anashkalohen, nene që shfuqizohen

Megjithëse tregu audio-vizual rregullohet me ligj, shumica e ekspertëve të medias e perceptojnë organin e tij rregullator, Autoritetin e Mediave Audio-Vizuale, (AMA) si një institucion nën ndikimin e drejtpërdrejë ose të tërthortë të aktorëve politikë dhe të korporatave.

Studimi investigativ i referohet një rregulloreje specifike në ligjin për media audio-vizive, e cila  kufizon sasinë e aksioneve dhe të drejtave të votimit në çdo kompani televizive shtesë, si dhe sasinë e reklamave, por këto kufizime duket të paqarta dhe në ligj nuk ekziston një përkufizim i qartë i monopolizimit të medias. Sipas studimit ka një sërë rastesh, ku, me anë të pronësisë së familjeve dhe strukturave të ndryshme të korporatave, synimi origjinal i ligjit është anashkaluar lehtësisht.

Shumë gazetarë për shkak të presionit nga pronarët e mediave me interesa politike dhe ekonomke zgjedhin autocensurën.

Sipas gjetjeve të studimit, një nen i rëndësishëm, që kufizonte deri në 40%  sasinë e aksioneve që mund të merrte një personi apo entitet në një stacion televiziv kombëtar, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016,

Presione ndaj gazetarëve – autocensura si mjet mbrojtës

Studimi investigative zbulon se në Shqipëri kontrolli politik mbi mediat është i lartë. Audienca që kapin pronarët e mediave me lidhje politike varion nga  65,18%  deri në 75,86% . Shumë gazetarë për shkak të presionit nga pronarët e mediave me interesa politike dhe ekonomke zgjedhin autocensurën. Klima e medias në Shqipëri është gjithashtu nën presion nga një sërë faktorësh, duke përfshirë kompanitë e mëdha të reklamave dhe institucionet qeveritare. Gjithsesi, asnjë nga këta faktorë të jashtëm nuk ndikon për t’i shtyrë gazetarët drejt autocensurës aq sa ndikojnë interesat politike dhe  ekonomike të pronarëve. Sipas studimit 80% e gazetarëve në Shqipëri e konsiderojnë të ulët sigurinë e punës së tyre duke lidhur në mënyrë të qartë kushtet e punës me fenomenin e përhapur gjerësisht të autocensurës, si një mjet mbrojtjeje. (DW)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit